Në RMV u bë edhe një transplantim me kockë nga donator i ndjerë, i dyti në 24 orët e fundit
Një tjetër transplantim i suksesshëm me kockë nga një donator i ndjerë u bë në Maqedoninë e Veriut, i dyti në 24 orët e fundit. Transplantimi u krye te një pacient 19-vjeçar për korrigjimin e një deformimi të shputës, si pasojë e paralizës cerebrale, transmeton Portalb.mk. Në të kaluarën, korrigjimi i deformimeve bëhej duke përdorur […]
Një tjetër transplantim i suksesshëm me kockë nga një donator i ndjerë u bë në Maqedoninë e Veriut, i dyti në 24 orët e fundit. Transplantimi u krye te një pacient 19-vjeçar për korrigjimin e një deformimi të shputës, si pasojë e paralizës cerebrale, transmeton Portalb.mk.
Në të kaluarën, korrigjimi i deformimeve bëhej duke përdorur një pjesë të koskës së jashtme të kërcirit, e marrë nga vetë pacienti. Kjo shkaktonte një defekt që ishte i vështirë për t’u korrigjuar. Me përdorimin e koskës nga kadaveri, ndërhyrja kirurgjikale zgjat shumë më pak, nuk lë defekte në pjesë të tjera të trupit të pacientit dhe korrigjimi është shumë më i qëndrueshëm.
“Ekipi që kreu transplantimin u udhëhoq nga prof. Dr. Zoran Bozhinovski, me anesteziologen Dr. Liljana Angeleska dhe asistentet Dr. Teodora Bozhinovska dhe Kristina Jordanovska, së bashku me personelin mjekësor të mesëm Mençe Dojçinovska dhe Olivera Lazarevska. Ekspertiza dhe profesionalizmi mbeten prioriteti ynë, dhe ne jemi të fokusuar fuqishëm në metoda dhe procedura të reja për transplantime, tha prof. Dr. Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantime”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur pardje se në Klinikën për Sëmundje Ortopedike, për herë të parë është transplantuar kocka e një donatori të vdekur në dy gishta të një fëmije 13-vjeçar me brakidaktili.
Para tre viteve në Klinikën për sëmundje ortopedike në Shkup për herë të parë është bërë transplantimi i ligamenteve nga një donator i vdekur. Më pas, një pacient 34-vjeçar me një dëmtim serioz në gjurin e djathtë mori transplant të indeve të buta nga një donator i vdekur.