Nëntë zjarre aktive në territorin e RMV-së, më problematike situata në Makedonski Brod
Nga gjithsej 40 zjarre të regjistruara dje, 25 zjarre janë shuar, ndërsa gjashtë janë vënë nën kontroll. Nëntë zjarre janë ende aktive sot, më i madhi prej të cilëve është zjarri në territorin e Komunës së Makedonski Brod, sipas një video deklarate të lëshuar nga drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov. “Numri […]
Nga gjithsej 40 zjarre të regjistruara dje, 25 zjarre janë shuar, ndërsa gjashtë janë vënë nën kontroll. Nëntë zjarre janë ende aktive sot, më i madhi prej të cilëve është zjarri në territorin e Komunës së Makedonski Brod, sipas një video deklarate të lëshuar nga drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov.
“Numri i zjarreve që kaplojnë territorin e Maqedonisë çdo ditë është alarmant. Gjatë ditës së djeshme kemi pasur deri në 40 zjarre në hapësirë të hapur. Disa prej tyre janë më të vogla, disa janë pak më të mëdha dhe ne kemi një përbindësh zjarri. Por, më duhet të theksoj se kush e di se në cilën mënyrë zjarret më të vogla mund të kthehen në zjarre të mëdha pyjore në një çast dhe të kërcënojnë ndonjë vendbanim ose të rrezikojnë jetën e njerëzve disa kilometra më tej. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm për të mos shkaktuar zjarr në ambient të hapur”, porositi Angellovi dhe paralajmëroi se burimet po harxhohen dhe zjarrfikësit janë në fund të fuqive të tyre.
Zjarri më i rëndë me të cilin po përballen tash e 20 ditë është zjarri që ka kapluar territorin e Komunës së Makedonski Brodit, zjarri që ka kaluar nëpër fshatin Tazhevë, ka djegur shtëpitë e këtij fshati, pastaj është kthyer rreth fshatit Breznicë, dhe dje ka zbritur në territorin e terrenit të gjuetisë në Jasen.
“Ne po veprojmë përsëri sot mbi këtë zjarr me shumë burime, duke përfshirë edhe me një helikopter hungarez. Janë gjithashtu 40 anëtarë të zjarrfikësve hungarezë me automjete speciale që tashmë kanë zhvilluar një rrip zjarrfikës që siguron vendbanimin e shtëpive të fundjavës në brigjet e liqenit Kozjak. Kemi edhe zjarrfikës vendorë por edhe 26 pjesëtarë të policisë maqedonase”, shprehet Angellovi.
Ai thekson se në këtë moment vendbanimi i shtëpive të fundjavës është relativisht i sigurt, për shkak të rripit zjarrfikës, por, thotë ai, ai është ende duke u monitoruar me kujdes dhe do të jetë e nevojshme që në të njëjtin vend të ketë njerëz që nuk do të lejojnë që zjarri, respektivisht zjarri të kërcejë rripin zjarrfikës, si dhe rrugën pyjore që kalon mbi vetë vendbanimin.
Zjarri i dytë që zvarritet për ditë të tëra, thotë Angellovi, është zjarri në malin Ilinska, i cili tani po ndodh më shumë në territorin e Komunës së Demir Hisarit. Katër zjarrfikës lokalë po punojnë në të sot me mbështetjen e dhjetë të punësuarve në Pyjet kombëtare. Është aktiv në aksin te fshatit Brezhani, Komuna e Ohrit, dhe në atë anë ka 20 pjesëtarë të Pyjeve kombëtare. Ajo është e zënë, mbi të gjitha, nga bimësia e ulët, pyjet me bimë të ulëta, dhe në disa vende nga pyjet me pisha.
“Karakteristikë e këtij zjarri është se në disa raste kemi përdorur avionë, në disa raste traktorë ajri, kemi përdorur edhe helikopterë, por ka tym të fortë që zvogëlon dukshmërinë, duke e bërë të vështirë manovrimin e avionëve. Kjo është arsyeja pse unë u bëj thirrje autoriteteve komunale që të bëjnë çmos për të rritur aktivitetet në këtë aks dhe për të kontrolluar këtë zjarr të hapur, i cili ka qenë i ndezur për ditë të tëra”, bën thirje Stojanovi.
Zjarri i tretë është aktiv në territorin e Komunës së Çashkës, në fshatrat Papradishtë dhe Orashçe, ku sot në mëngjes operuan dy traktorë ajri nga Qipro. Këta janë traktorë ajri që mbërritën dje dhe tashmë janë vënë në funksion që nga sot. Në tokë janë angazhuar 10 persona nga Pyjet kombëtare, si dhe pesë të punësuar në Komunë. Janë duke u djegur plantacione të reja pyjesh, bimësi e ulët, por edhe pyje të larta.
Zjarri i katërt është zjarri që shpërtheu dje në territorin e Komunës së Petrovecit, u nis në drejtim të Gradmancit dhe Divljës, duke shkaktuar shqetësim të madh mbrëmë midis banorëve ose njerëzve që qëndronin në vendbanimin e fundjavës mbi Banjën e Katllanovës. Operohet me dy traktorët ajrorë të OSSH-së, si dhe me dy traktorët ajrorë gjermanë. Gjithashtu në terren janë anëtarë të Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, të punësuar të Pyjeve kombëtare dhe DMSH-së. Digjet bimësi e ulët.
Zjarri është ende aktiv në territorin e Komunës së Studeniçanit drejt fshatrave Draçevicë dhe Ujë i Kuq në zonën e quajtur Ahu i Errët, ku punonjësit e Pyjeve Kombëtare marrin pjesë në shuarje. Digjet bimësi e përzier e ulëta, por edhe e lartë.
Zjarri i gjashtë është në territorin e Komunës së Kërçovës, afër fshatit Çelopeci, i cili dje shkoi në drejtim të disa objekteve ushtarake, prandaj, siç deklaron drejtori i QMK-së, një forcë më e madhe ajrore u drejtua për ta shuar atë, pra disa helikopterë – një traktor ajror i armatës, disa traktorë të huaj.
“Gjatë ditës së sotme operojmë me dy traktorë ajrorë nga Gjermania si dhe zjarrfikës vendorë, por edhe pjesëtarë të armatës maqedonase dhe një numër i madh i tyre. Ky zjarr filloi nga një deponi të egër dhe më pas u përhap në bimësinë e ulët përreth”, shprehet Angellovi.
Zjarri i shtatë është në territorin e Komunës së Dibrës në afërsi të fshatit Kosovrasti ku terreni është tejet i pjerrët, duke lëvizur në drejtim të fshatit Rajçicë, Raylevc. Sot në këtë rajon funksionojnë dy traktorë ajri të DMSH, dhe në terren janë pesë zjarrfikës lokalë, 12 pjesëtarë të Pyjeve Kombëtare, si dhe katër anëtarë të popullatës lokale. Sipas Angellovit, ky është një zjarr i rëndë pyjor që digjet në terren të vështirë.
“Zjarri i tetë është në territorin e Ohrit, në malin Galiçica, ky është zjarri që ka ardhur dje nga Shqipëria në anën tonë, pastaj e kemi vënë nën kontroll, e kemi shuar, por është riaktivizuar përsëri. Vepruam atje sot me një helikopter policie. Në vend janë zjarrfikësit lokalë, njerëz nga Pyjet Kombëtare, vullnetarë, por edhe roje nga Parku Kombëtar. Për shuarjen e këtij zjarri po ndërmerren veprime edhe nga pala shqiptare. Digjet bimësia e ulët dhe bari.
Zjarri i nëntë aktiv është në territorin e Makedonski Brodit, në fshatin Sllatinë, me qëllim të shuarjes së këtij zjarri, një pjesë e zjarrfikësve nga Makedonski Brod, të cilët janë gjithsej 12, u ridrejtuan, gjë që, sipas Angellovit, dobësoi numrin e tyre në zjarrin e madh që po lëviz në drejtim të Jasenit dhe vendbanimit e shtëpive të fundjavës në liqenin Kozjak. Ky zjarr më i vogël po shuhet nga njerëzit nga Pyjet kombëtare të NP dhe popullatës lokale. Digjet bimësi e ulët.
Gjashtë zjarret që janë nën kontroll, por që, paralajmëron Angellovi, në çdo moment mund të dalin jashtë kontrollit, janë në territorin e Gjevgjelisë në afërsi të fshatit Negorci, Kërçovë në afërsi të fshatit Zajaz, Koçanë në zonën e quajtur Panagjur, në Makedonski Brod, në afërsi të fshatit Sllatinë, Komuna e Pllasnicës në afërsi të fshatit Pllasnicë ku ka ende tym në drejtim të fshatit Latovë, dhe deponia e Dellçevës, e cila ende jep shenja të tymit.
Dje, janë shuar gjithsej 25 zjarre, nga të cilat gjithsej 11 zjarre u shuan në territorin e qytetit të Shkupit, dhe dy janë ende aktive.
“Zjarrfikësit e Shkupit i kanë duart plot me punë. Ata u mbytën nga puna, duke shuar një numër të madh zjarresh çdo ditë. Vetëm në territorin e Komunës së Studeniçanit pas Draçevës, për ata që nuk e dinë se ku ndodhet kjo komunë, dje ka pasur katër zjarre. Dje ka pasur katër zjarre në territorin e Gazi Babës. Një zjarr në territorin e Komunës së Haraçinës, dhe një në territorin e Komunës së Çuçer Sandevës. Prandaj i bëj thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm. Burimet janë harxhuar, zjarrfikësit janë në fund të fuqive të tyre. Shtrohet pyetja se çka nëse me këtë ritëm qytetarët vazhdojnë të ndezin zjarre, me dashje ose pa dashje. Pra, forcat tona janë në fund. Ndihma e huaj gjithashtu është zvogëluar”, nënvizoi Angellovi.
Dje, zjarret u shuan në Prilep, Dojran, Bogdancë, Gostivar dy, Berovë, Bërvenicë, Radovish, Dibër, Kumanovë, Kriva Pallankë, Strugë tre zjarre dhe një tjetër afër Delçevës. Numri i zjarreve është alarmant.
Në këtë moment, në territorin e vendit operojnë një helikopter nga Hungaria, dy traktorë ajri nga Gjermania, dhe dy traktorë ajri nga Qipro. Ata mbërritën gjatë ditës së djeshme. Herët në mëngjes, helikopteri serb, i cili na ndihmoi shumë, u largua, por për shkak të numrit të shtuar të zjarreve të hapura, ai duhej të kthehej në Serbi. Në të njëjtën kohë, kemi një ekip prej 46 personash nga Hungaria në vend, i cili është plotësisht i përqendruar në zjarrin e madh në Makedonski Brod ose mbi Liqenin Kozjak, i cili hyri në Jasen. U bëj thirrje qytetarëve të raportojnë në numrin 122 çdo sjellje të dyshimtë, veçanërisht nëse janë dëshmitarë të një personi që ka ndezur zjarr ose ka shkaktuar pa dashje zjarr të hapur, thekson drejtori i QMK Angellov në video-deklaratën.