Nesër, ambasadori David Geer do ta hapë zyrtarisht Europe House në Strugë
Nesër, më 30 maj, 2024 në ora 11:00, Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian do ta hapë zyrtarisht Europe House në Strugë. Programi me rastin e hapjes së Europe House Strugë, do të nisë me një debat me nxënësit e shkollave të mesme të “D-r Ibrahim Temo”, “Niko Nestor” dhe “Yahya Kemal” […]
Nesër, më 30 maj, 2024 në ora 11:00, Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian do ta hapë zyrtarisht Europe House në Strugë. Programi me rastin e hapjes së Europe House Strugë, do të nisë me një debat me nxënësit e shkollave të mesme të “D-r Ibrahim Temo”, “Niko Nestor” dhe “Yahya Kemal” nga ora 11:00 deri në 12:15 në Europe House Strugë, transmeton Portalb.mk.
Aktivitetet në lidhje me hapjen zyrtare do të vazhdojnë pasdite dhe do të përfshijnë zbulimin e muralit “Symbiosis” të financuar nga BE-ja që gjendet në Muzeun e Natyrës “Dr. Nikola Nezhlobinski”. Të rinjtë nga Struga do të kenë më pas mundësinë për shoqërim me bashkëmoshatarët e tyre në një aktivitet rrjetëzimi në ambient të hapur.
Europe House Strugë organizoi eventin e vet të parë më 21 mars 2024 në Ditën Botërore të Poezisë. Çmimi “Struga e re” u riaktivizua me këtë rast në bashkëpunim me Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Gjatë dy muajve të fundit, Europe House Strugë arriti të mbledh të rinjtë dhe t’i ndihmojë ata të shkëmbejnë ide. Dhe ky është vetëm fillimi.
Zgjerimi i rrjetit të Europe House filloi në Shkup në nëntor të vitit 2019, për të vazhduar në Kriva Pallankë dhe Strumicë në shkurt të vitit 2021, në Manastir dhe Veles në maj dhe qershor 2023 respektivisht. Rrjeti po përmbyllet këtë vit me hapjen e Europe House në Strugë dhe Tetovë. Hapja e Europe House në Tetovë është planifikuar të bëhet në fillim të muajit të ardhshëm.
Vetëm në vitin 2023, zyrat e Europe House ishin nikoqirë të rreth 900 ngjarjeve artistike, arsimore ose argëtuese për mbi 36,000 pjesëmarrës. Rrjeti i zgjeruar organizoi 300 ngjarje vetëm në katër muajt e parë të vitit 2024.