Nikollovski para ministrave të BE-së: Korridori 10 është prioritet, Korridori 8 me “pengesa teknike”
Ministri për transport dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikollovski, në kuadër të takimit me ministrat e transportit në Bashkimin Evropian, ka diskutuar për realizimin dhe sfidat e projekteve infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk. “I njoftova që instensivisht jemi duke punuar edhe në ndërtimin e linjës hekurudhore Korridori 8, ku […]
Ministri për transport dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikollovski, në kuadër të takimit me ministrat e transportit në Bashkimin Evropian, ka diskutuar për realizimin dhe sfidat e projekteve infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.
“I njoftova që instensivisht jemi duke punuar edhe në ndërtimin e linjës hekurudhore Korridori 8, ku segmenti i parë drejt Bullgarisë është afër përfundimit, në të dytin po punohet, ndërsa në segmentin e tretë kemi pengesa teknike të cilat shpresoj që do t’i zgjidhim në periudhën e ardhshme, si edhe sfida në raport me projektimin”, deklaroi Nikollovski.
Ai shpreson që të gjendet gjuhë e përbashkët, ashtu që linja hekurudhore mos të përfundon në tunel që nuk të dërgon askund.
“Në raport ne transportin hekurudhor, theksova që prioritet numër një për Maqedoninë është ndërtimin i linjës së shpejtë hekurudhore Shkup – Selanik me 200 kilometra në orë”, deklaroi Nikollovski.
Ministri vlerësoi që intensivisht po punohet në ndërtimin e rrugës Ohër – Kërçovë, ndërsa në periudhën e ardhshme shumë do të punohet në segmentin Kërçovë – Bukojçan, Bukojçan – Gostivar, Gostivar – Tetovë, si pjesë të korridorit 10.
Deri në fund të vitit, ministri paralajmëroi përfundimin e rrugës ekspres, Kumanovë – Kriva Pallankë dhe Prilept – Gradsko.
Nikollovski sqaroi që Qeveria e RMV-së ka ndryshuar mënyrën e subvencionimit të fluturimeve, ashtu që pret të ketë vitin e ardhshëm rritje të numrit të udhëtarëve mbi 20 përqind.
Ndryshe, ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski, më herët kishte vlerësuar se për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, sikurse me autostradën në Bllacë, është zgjedhur traseja më e vështirë për të fryrë çmimin. Në dhjetor të vitit 2023 në faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8.
Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë. Me ardhjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, është paraqitur ideja për ridedikimin e këtyre mjeteve për ndërtimin e hekurudhës me Selanikun. Nikollovski ka kërkuar që paratë për hekurudhën drejt Bullgarisë të ridedikohen për hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10.
- LEXO: Nikolloski: Kërkojmë që paratë për hekurudhën drejt Bullgarisë të ridedikohen për hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10
- LEXO: Nikolloski: Për hekurudhën me Bullgarinë është zgjedhur traseja më e vështirë që të fryhet çmimi
- LEXO: Nikolloski: Pas akuzave për ryshfet, i tërhoqëm anëtarët nga komisioni i vlerësimit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë
- LEXO: Mickoski: Më është ofruar ryshfet për të nënshkruar tenderin për hekurudhën drejt Bullgarisë