Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën

Seanca e radhës për atë se kujt i takon pronësia, vulat dhe hapësirat e partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravarit apo Ziadin Selës, pritet të mbahet më 13 dhjetor në ora 14:00 në Gjykatën e Tetovës. Derisa dy grupet e partisë ende janë në proces gjyqësor, të dyja palët thirren në legjitimitet, ndërsa akuzat mes […]

Nëntor 11, 2024 - 18:00
 0  5
Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
Arben Taravari dhe Ziadin Sela. Foto nga Aleanca per Shqiptaret (Facebook)

Seanca e radhës për atë se kujt i takon pronësia, vulat dhe hapësirat e partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravarit apo Ziadin Selës, pritet të mbahet më 13 dhjetor në ora 14:00 në Gjykatën e Tetovës. Derisa dy grupet e partisë ende janë në proces gjyqësor, të dyja palët thirren në legjitimitet, ndërsa akuzat mes tyre vazhduan edhe sot, shkruan Portalb.mk.

Në prill 2024 Gjykata Themelore e Tetovës vendosi që vulat e partisë t’i takojnë Ziadin Selës. Ndërkaq, krahu i Arben Taravarit e ankimuan vendimin. Në muajin shtator 2024 Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim lëndën për vulat e Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkaq akuzat midis dy partive kanë vijuar edhe sot, shkas për këtë u bë Kongresi i Pestë i Jashtëzakonshëm i partisë i cili u mbajt dje nga krahu i Arben Taravarit.

Nënkryetari i partisë Remzi Mehmedi nga krahu i Ziadin Selës sot deklaroi se dje nuk kishte kongres Aleanca për Shqiptarët, as të rregullt e as të jashtëzakonshëm, por spektakël të organizuar nga Taravari.

Ai theksoi se të drejtat, obligimet dhe rregullat e sjelljes brenda Aleancës për Shqiptarët janë të shkruara në Statutin e Aleancës për Shqiptarët.

“Për tu quajtur kongres ahengu i djeshëm duhej pjesëmarrës të ketë delegatët e kongresit të zgjedhur në Kongresin e rregullt të ASH në vitin 2022 dhe që janë të regjistruar në Gjykatën Themelore të Tetovës, mandati i të cilëve me statut zgjat katër vite, pra deri në vitin 2026. Për tu quajtur i rregullt, vendimin për tu shpall Kongresi i rregullt e merr Kuvendi i Partisë dhe vendim të tillë nuk ka. Për tu quajtur i jashtëzakonshëm përsëri duhet të thirren delegatët që janë të deleguar dhe mandatuar nga anëtarësia e ASH-së”, tha Mehmedi.

Ai shtoi se duke pasur parasysh se nuk ka një vendim të plotfuqishëm të gjykatës, kongresi mbahet me shumicën e delegatëve të regjistruar në gjykatë nga kongresi i fundit zyrtar dhe legjitim.

“Këtë shumicë e kishim vetëm ne në kongresin e IV ku Ziadin Sela u zgjodh kryetar. Ndërkaq dje edhe vetë Taravari e pranoi se ka mbajtur një tentim për kongres”, tha Mehmedi.

Nga ana tjetër, avokati i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Arben Taravarit, Abidin Abduli thotë se ASH krahu i Selës ka shkarkuar dhe emëruar delegatë të ri.

Ai theksoi se udhëzimet dhe dëshmitë e ASH- së të krahut të Selës janë të falsifikuara.

“Udhëzimet e Gjykatës së Apelit janë të qarta, ku duhet të merren parasysh deklaratat e dhëna nën noter të anëtarëve të Kuvendit Qendror, të cilët taksativisht deklarojnë se nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin Qendror të thirrur nga Ziadin Sela, në Kuvendin Qendror të mbajtur në restorant Bushi, si dhe në udhëzimet e Gjykatës së Apelit se në Kongres të Jashtëzakonshëm shkohet me delegatë aktualë, jo me zgjedhjen e të rinjve”, tha Abduli.

Abduli shtoi se gjykatësi sot e ka anuluar seancën pas elaborimit të tyre, me çka do të kërkohet nga arkivi i gjykatës të merret lënda e partisë ku është statuti i vitit 2022 dhe do të bëhet krahasimi i delegatëve.

Kanë reaguar përsëri nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës, ata thonë se demantojnë të pavërtetat e thëna sot nga avokati i grupit të Taravarit për shtyerje të seancës gjyqësore dhe për gjoja konstatim të ndonjë falsifikimi nga ana e gjykatës.

“E vërteta është se sot në Gjykatën Themelore në Tetovë seanca është mbajtur me rregull dhe ka përfunduar si e tillë. Në këtë seancë ne kemi paraqitur dëshmitë dhe argumentet tona, ndërsa pala tjetër ka paraqitur vetëm pretendime të paargumentuara. Pas përfundimit të rregullt të seancës së sotme gjykatësi ka caktuar seancën e fundit për më 13 dhjetor, në të cilën do të bëhet vetëm përmbledhja e dëshmive dhe do të sillet vendimi përfundimtar. Me rekomandim të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore e Tetovës do të shqyrtojë listën e delegatëve të Kongresit të rregullt të vitit 2022”, thanë nga ASH-ja krahu i Selës.

Partia Aleanca për Shqiptarët vijon të jetë e ndarë në dy grupe, të dyja thirren se ata janë Aleanca e vërtetë.

Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024.

Me këtë Aleanca për Shqiptarët u përça në dy fronte.

Në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje shkoi bashkë me opozitën shqiptare si koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike).

Si dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje garoi me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.