Një parking i ri në Tetovë: Zgjidhje sipërfaqësore për kaosin urbanistik të vazhdueshëm

Në bllokun urban 100 të Tetovës, garazhet e improvizuara janë zhvendosur, duke hapur hapësirën për një parking të ri, raporton Portalb.mk. Për të përuruar këtë parking të ri, në terren doli edhe kreu i komunës Bilall Kasami. “Ky projekt u realizua pas largimit të garazheve të improvizuara nga qytetarët, të cilat ishin ndërtuar pa standarde […]

tetor 29, 2024 - 16:01
 0  5
Një parking i ri në Tetovë: Zgjidhje sipërfaqësore për kaosin urbanistik të vazhdueshëm
Parkingu në bllokun urban 100 në Tetovë. Foto: Komuna e Tetovës

Në bllokun urban 100 të Tetovës, garazhet e improvizuara janë zhvendosur, duke hapur hapësirën për një parking të ri, raporton Portalb.mk.

Për të përuruar këtë parking të ri, në terren doli edhe kreu i komunës Bilall Kasami.

“Ky projekt u realizua pas largimit të garazheve të improvizuara nga qytetarët, të cilat ishin ndërtuar pa standarde dhe i jepnin një pamje të papërshtatshme këtij blloku”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë Tetova vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve në qytet dhe kjo tani më është bërë përditshmëri për qytetarët, të cilët parkohen vend e pa vend, ku si rezultat krijohet edhe kaosi urbanistik.

Situata mbetet kritike, dhe qytetarët presin me padurim zgjidhje më të qëndrueshme për problemin e parkimit që ka prekur Tetovën.

Sipas Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës gjatë vitit të kaluar 2023 numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm ishte 6.226, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 3.964.

Komuna e Tetovës edhe pse nuk e realizoi planin e viteve të kaluara për parkingje të reja, në janar premtoi se ka plan të ri detal urbanistik të bllokut 32. Bëhet fjalë për lokacionin nën Tregun e Gjelbër ku aktualisht ka parking të mbyllur ndërsa sipas nismës, aty planifikohet ndërtimi i garazhit në kate me 800 vend parkime. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë aktivitet të dukshëm në terren për këtë parking.