Një pikë kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për përshpejtim të qarkullimit, paralajmëroi ministri Toshkovski

Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshovski, sqaroi që mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po avancohet në projektin për një pikë kufitare me qëllim që të ketë qarkullim të përshpejtuar të udhëtarëve, transmeton Portalb.mk. “Sistemi tashmë është në një fazë të avancuar të zbatimit me Republikën e Serbisë, si dhe […]

tetor 4, 2024 - 22:01
 0  5
Një pikë kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për përshpejtim të qarkullimit, paralajmëroi ministri Toshkovski
Flamuri i Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup gjatë takimeve zyrtare. Foto nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshovski, sqaroi që mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po avancohet në projektin për një pikë kufitare me qëllim që të ketë qarkullim të përshpejtuar të udhëtarëve, transmeton Portalb.mk.

“Sistemi tashmë është në një fazë të avancuar të zbatimit me Republikën e Serbisë, si dhe me Republikën e Kosovës, me qëllim të përshpejtimit të qarkullimit të udhëtarëve në këto pika kufitare, me uljen maksimale të kohës së lëvizjes së udhëtarëve nga këto vende”, deklaroi Toshkovski.

Ai vlerësoi që kalimi i shpejtë përmes pikës së përbashkët kufitare, e njohur si “One Stop Shop”, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka mundësuar kalim të shpejtë dhe është një bashkëpunim i shkëlqyer edhe në luftën kundër krimit.

“Gjithashtu diskutuam mundësinë që shërbimet tona policore të vazhdojnë me vizitat e vazhdueshme që kemi gjatë sezonit të verës dhe policët shqiptarë që patrullojnë zonat turistike që kemi në Maqedoni, si dhe policët maqedonas që patrullojnë zonat turistike në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët tanë”, deklaroi ministri Toshkovski, i cili ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua edhe me homologun shqiptar, Ervin Hoxha.

Ndryshe, në takimin bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 5 gusht ndër të tjera u diskutua edhe për organizmin e seancës së përbashkët qeveritare deri në fund të vitit 2024. Në vitin 2022 dhe 2023 ishte planifikuar organizmi i seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut por nuk ishte realizuar.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”. Në lidhje me projektin e fundit, në muajin qershor filloi punën edhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”