Numri i rasteve me zgjebe për një vit në RMV është rritur për 46 përqind

Vitin e kaluar Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka regjistruar 493 persona të infektuar me zgjebe në vend. Në vitin 2023 ky numër ishte 337 persona, që është një rritje prej pothuajse 50 përqind e rasteve, njoftojnë nga ISHP në raportin e fundit. Në janar të këtij viti janë regjistruar 28 raste, 16 prej tyre […]

shkurt 22, 2025 - 10:00
 0  4
Numri i rasteve me zgjebe për një vit në RMV është rritur për 46 përqind
Foto: Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)

Vitin e kaluar Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka regjistruar 493 persona të infektuar me zgjebe në vend. Në vitin 2023 ky numër ishte 337 persona, që është një rritje prej pothuajse 50 përqind e rasteve, njoftojnë nga ISHP në raportin e fundit. Në janar të këtij viti janë regjistruar 28 raste, 16 prej tyre në Shkup. Pavarësisht këtyre shifrave epidemiologët thonë se nuk ka vend për panik, transmeton Portalb.mk.

Doktori Dragan Koçinski, epidemiolog në ISHP, për Meta.mk thotë se nuk ka përhapje të gjerë të infeksionit, pra infeksion në spitale, shkolla, kopshte.

“Numri prej 28 rastesh në janar është i njëjtë me vitin e kaluar. Për sa i përket rritjes vjetore prej 46,3 përqind, unë personalisht do kisha rezerva të mëdha për këtë përqindje, sepse ende po i ndjejmë pasojat e pandemisë së Covid-19, kur sistemi ynë u bllokua plotësisht. Raportimi i sëmundjeve infektive ishte minimal. Për këto arsye unë besoj se nuk ka vend për panik”, tha Koçinski.

Ai sqaroi se zgjebja është një sëmundje që është e pranishme gjatë gjithë kohës dhe se kjo sëmundja nuk transmetohet lehtë.

“Nevojitet një kontakt i ngushtë dhe i zgjatur me një person të infektuar për ta transmetuar infeksionin. Nuk do të infektoheni nëse, për shembull, prekni një dorezë të një autobusi që është prekur paraprakisht nga një person i infektuar me këtë sëmundje”, shton Koçinski.

Zgjebja është një infeksion parazitar i shkaktuar nga një parazit i vogël, i njohur si Sarcoptes scabiei var hominis. Ky parazit depërton në shtresën e sipërme të lëkurës, ku shumohet, duke shkaktuar kështu një skuqje të fortë dhe kruajtje të padurueshme. Por zgjebja nuk është vetëm një shqetësim – ajo mund të shkaktojë edhe komplikime serioze si infeksione bakteriale të lëkurës, sepsë, madje edhe sëmundje të zemrës dhe veshkave.

Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të ngushtë fizik lëkurë me lëkurë me një person të infektuar (nëse jetoni në të njëjtën amvisëri, nëse fleni në të njëjtin shtrat, gjatë udhëtimeve në kamping dhe midis njerëzve që jetojnë në kushte të këqija higjienike). Rreziku është veçanërisht i lartë në shtëpi, shkolla, spitale ose kampe refugjatësh. Transmetimi përmes veshjeve ose shtratit ndodh më rrallë, por është i mundur. Është e rëndësishme të theksohet se një person i infektuar mund ta transmetojë sëmundjen edhe përpara se të shfaqë simptoma, duke e bërë zgjeben një sfidë të vërtetë për ta kontrolluar.

Simptomat e zgjebes mund të shfaqen 4 deri në 6 javë pas infektimit. Më shpesh ato manifestohen si: kruajtje e fortë, e cila është më intensive gjatë natës. Lokalizimi më i zakonshëm i ndryshimeve janë thellimet (të çarat) midis gishtërinjve dhe këmbëve, në bërryl, nën sqetulla, kërthizë, bel dhe pjesës të ijeve. Pjesa e pasme e trupit preket më rrallë, ndërsa koka dhe qafa zakonisht nuk preken. Shenja të rëndësishme diagnostike janë kanalet e zgjebes, në fund të të cilave dallohet një pikë e zezë. Gjithashtu në trup mund të vihen re edhe ndryshime të tjera të lëkurës,si makulat dhe papulat. Në fillim të sëmundjes në lëkurë ka pak ndryshime, por pacienti është infektiv për mjedisin përreth. Me zhvillimin e alergjisë, intensifikohen edhe kruajtjet.

Sa i përket parandalimit, duhet të evitohet kontakti me persona të infektuar, veçanërisht nëse kanë kruajtje ose skuqje. Nëse dikush në familje ka zgjebe, trajtojini të gjithë anëtarët e familjes, edhe nëse nuk kanë simptoma.

Kundërspin: Ndërsa po grindemi për stemën, na kaploi zgjebja