Oborret e shkollave fillore në Gostivar në gjendje të keqe, nxënësit pa kushte për aktivitete sportive
Oborret e shkollave fillore në Gostivar ku gjenden terrenet sportive nuk janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë mirëmbajte adekuate. Prandaj, në disa prej tyre mbarëvajtja e aktiviteteve sportive apo orës së edukimit fizik është vështirë e realizueshme. Portalb.mk vizitoi shkollat fillore në të cilat shihet gjendja e çrregulluar e terreneve ndërsa bisedoi dhe […]
Oborret e shkollave fillore në Gostivar ku gjenden terrenet sportive nuk janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë mirëmbajte adekuate. Prandaj, në disa prej tyre mbarëvajtja e aktiviteteve sportive apo orës së edukimit fizik është vështirë e realizueshme. Portalb.mk vizitoi shkollat fillore në të cilat shihet gjendja e çrregulluar e terreneve ndërsa bisedoi dhe me nxënësit që kërkojnë kushte më të mira. Ministria e Arsimit e hedh përgjegjësinë te komuna e cila hesht për këtë problem.
Oborret e shkollave fillore në Gostivar janë të mbuluara me mbeturina, me gjethe, me kullosa të pakositur, madje shpesh ka edhe qen endacakë. Terrenet sportive janë të shkatërruara dhe pa kushte adekuate.
Pamje të shëmtuara nga shkollat
Vizituam shkollën fillore “Goce Dellçev” në qytet. Kjo shkollë ka oborr të madh por të pashfrytëzueshëm, oborri ishte i pastër vetëm në pjesën ku ecin nxënësit dhe mësimdhënësit. Nga njëra anë e oborrit bari ishte i kositur kurse nga ana tjetër bari ishte i pakositur saqë shumë pak dukeshin golat e futbollit sepse ishin mbuluar nga kullosa e madhe. Por, për të shkuar deri te golat së pari na u desh të kalojmë nga mbeturinat e shkollës që ishin jo në kosh po të hedhura në tokë, mbeturina që kohë të gjatë ishin aty dhe bartnin erë të keqe, papritmas na doli edhe një qen endacak. Kullosat ishin pa mirëmbajtje nga të gjitha anët. Dallimi në dukje i hapësirave para dhe pas shkollës është drastik. Këtë e tregojnë edhe pamjet nga terreni.
Shkolla fillore “Ismail Qemali” ka hapësirë të madhe të oborrit por në gjendje të keqe, me ulëse të thyera, pa gjelbërim të mjaftueshëm, pa murr në hyrje të oborrit dhe me terren sportiv të pamirëmbajtur. Hapësira e futbollit ishte e shtruar me beton dhe e rrethuar me tela, e pa vizatuar me vija te bardha apo me kullosë artificiale, golat ishin me rrjeta të dëmtuara të shqepura dhe pjesa ku duhet ulur publiku ishte vetëm me shkallë prej betoni pa ulëse kundër ftohtit. Kurse te hapësira e basketbollit ishte vetëm një shtyllë e thyer, pa kosh.
Në Shkollën fillore “Mustafa Kemal Ataturk” mungon terreni sportiv, nuk ka asnjë pjesë për të kryer aktivitete sportive siç mund të jetë vrapimi, futbolli apo basketbolli. Gjendja është shqetësuese pas objektit të shkollës sepse ishte me mbeturina dhe kullosë të paprerë. Për të kaluar te pjesa tjetër e shkollës u desh të zbritnim shkallëve të oborrit me ç’rast vërejtëm shkallë të palara të mbushura me gjethe dhe të shoqëruar me mbeturina siç janë letra çipsash, çokollatash e faculeta.
Shkollës Fillore “Bashkimi” i mungon parku i shkollës si dhe këndi ku nxënësit mund të kryejnë aktivitetet sportive. Nxënësit nuk mund të bëjnë asgjë në oborrin e shkollës përveç se të kalojnë andej për të hyrë në klasat e tyre. Kurse pas oborrit të shkollës kishte një hapsir të vogël me gjelbërim e hudhur një karike nga dritarja dhe e shoqëruar me këndin e fëmijëve të vegjël.
Ankohen nxënësit, kërkojnë kushte më të mira
Nxënësit ankohen, duan hapësira me kushte të mira sportive dhe terrene me kushte dhe të pastra.
Bardh Osmani, nxënës i klasës së nëntë në shkollën fillore “Goce Delçev” tha se pjesa pas shkollës është shumë e pa pastër ku ata asnjëherë nuk kalojnë andej pasi ka erë të keqe nga mbeturinat.
“Unë kisha dashur që oborri i shkollës sonë të jetë më i pastër pasi që kemi hapësire të mund të përdoret edhe për aktivitete të ndryshme sportive. Do kisha dashur që të ketë një stadium të vogël me kushte të mira siç e kanë në shkollën e fshatit Debresh. Ne e kemi sallën sportive mirëpo do ishte mirë që këto aktivitete t’i kryejmë edhe në oborr të shkollës. Unë më jam klasa e nëntë do të dal nga shkolla por dua që gjeneratat e ardhshme t’i kenë kushtet më të mira në oborr të shkollës që ta shfrytëzojnë edhe gjatë pushimit por edhe për kryerje të aktiviteteve”, tha Bardh Osmani.
Bujar Qerimi, një tjetër nxënës i të njëjtës shkollë tha që shkollën e don të pastër jo vetëm në hyrje të oborrit të shkollës por në të gjitha pjesët e saj.
“Nuk jam i kënaqur me oborrin e shkollës. Ka nevojë për pastërti dhe mirëmbajtje. Hapësirë kemi por vetëm një pjesë e caktuar është e pastër që mund ta shfrytëzojmë. Lëndën e arsim fizik dhe shëndetësor dua ta mbajë në oborr të shkollës gjatë gjysmë vjetorit të dytë sepse njëkohësisht tre ose më shumë klasa e mbajmë lëndën mësimore brenda në sallë dhe jo vetëm që s’ka hapësirë të mjaftueshme por është edhe nxehtë. Në shkollën tonë ka një pjesë për të luajtur futboll me dy gola por nuk janë kushtet adekuate për luajtur është me gunga dhe kullosë që kemi frikë të afrohemi nga kullosa e pa prerë”, tha Bujar Qerimi.
Anida Jakupi, nxënëse nga Shkolla “Ismail Qemali” tha se dëshira e saj ideale është që shkolla e saj të jetë me gjelbërim, lule dhe pastërti.
“Besoj që oborri është mirë por mundet të ishte edhe më mirë. Nxënësit e ndotin ambientin, dhe ato janë fajtorë për këtë. Në sallën sportive i kemi të gjitha kushtet por do ishte mirë të kemi teren sportiv edhe ne oborr të shkollës, përveç saj do kisha dashur që në shkollën time të ketë edhe sa më shumë gjelbërim, pishinë, lule. Këtu kemi pushimore kur më së shumtë ulen prindërit e klasave të ulëta kurse ulëset në pjesën e përparme të oborrit janë të thyera e të dëmtuara”, tha Anida Jakupi.
Problem tjetër janë edhe qentë endacakë nga të cilët nxënësit kanë frikë. Një nxënës i Shkollës “Ismail Qemali” u shpreh se do të ishte mirë të kenë sigurim që të t’i mbrojnë nga faktorë të ndryshëm sepse te pjesa e klasave të ulëta shpesh herë ka qen.
“Nuk jam i kënaqur me shkollën. Ka mundësi të ketë kushte më të mira si për shembull një terren sportiv. Nëpër shkollat tona më së shumti luhet futboll dhe ne kemi një pjesë për të luajtur futboll mirëpo golat nuk kanë rrjetë, nuk ka kullosë artificiale, por edhe e vizatuar nuk është. Në fshatin Debresh terreni sportiv është perfekt që i plotëson të gjitha kushtet. Gjatë orës arsim edukim shëndet oborrin apo këtë pjesë që është për futboll ne nuk e shfrytëzojmë fare më së shumti e shfrytëzojnë klasat e ulëta ti cilët vrapojnë, luajnë me top ose vizatojnë”, tha nxënësi.
Rrëfehet stafi i shkollave
Për shkak të rregullimit të rrugës përballë shkollës Ismail Qemali pamja e oborrit të shkollës ishte disi jo në rregull, pa murr të oborrit, me ulëse të thyera dhe të dëmtuara si dhe me mjete pune të mjeshtërve që punonin në rrugë.
Portalb.mk bisedoi me drejtorin e kësaj shkolle, Hilmi Gashin. Ai tregoi se kanë në plan për mbjellje të drunjve dhe bredhave, ulëse të reja dhe pastrim të oborrit.
“Edhe pse kemi një pjesë për terren sportiv për futboll, planifikohet edhe rregullimi i oborrit për terren sportiv, që kemi donacion nga ana e disa prindërve për të vendosur koshin e basketbollit dhe për ngjyrosje te saj. Pse jo, në të ardhmen edhe për këndin e futbollit sepse shkolla ka nevojë edhe për shtylla të reja por besoj se edhe ajo pjesë të rregullohet brenda dy viteve”, u shpreh Gashi.
Mungesën e terreneve sportive në Shkollën “Goce Delçev” e theksoi edhe mësimdhënësja Arlinda Muslimi Elezi.
“Neve si shkollë na mungon terrene sportiv edhe pse kemi sallë sportive. Pasi që kemi hapësirë të bollshme mendoj se duhet të kemi patjetër terren sportiv për futboll, basketboll e volejboll bile edhe një pjesë për not. Unë njëkohësisht jam edhe arsimtare për edukim të ambientit shpeshherë dalim me nxënësit në oborr të shkollës dhe i pyes nxënësit se çka duan, çfarë kanë dëshirë të kenë në oborr dhe ato e vizatojnë. Një pjesë të oborrit mund ta ndërtojnë edhe si pjesë ku mund të hanë ushqim nxënësit që të mos konsumojnë ushqimin në këmbë po ashtu të vendosin edhe më shumë ulëse si dhe më shumë gjelbërim lule dhe të ketë trotuar”, tha Muslimi.
Ajo theksoi se terrenet sportive nevojiten urgjentisht sepse arsimtarët e edukatës fizike kanë problem pasi që në sallë sportive brenda në shkollë mbajnë mësim mbi pesë klasa dhe nuk kanë hapësirë të mjaftueshme.
MASH drejton gishtin te Komuna e Gostivarit
Në lidhje me këtë problem pyetëm edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, se a kanë ndonjë projekt apo plan për rregullimin e terreneve sportive në shkollat fillore të Gostivarit. Nga atje thanë to se me procesin e decentralizimit, shkollat fillore dhe të mesme janë nën juridiksionin e komunave, ndërsa vetëqeverisjet lokale janë përgjegjëse për t’i menaxhuar dhe mirëmbajtur.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon në ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore, për të cilat iniciativë ngrit vetë komuna, e cila vë në dukje nevojën për investime. Çdo kërkesë e cila parashtrohet deri te MASH-i për realizimin e ndonjë investimi kapital shqyrtohet me kujdes dhe sillet vendim, konform prioritetit të nevojave dhe buxhetit vjetor në dispozicion, ku dhe në cilat shkolla do të investohet”, thanë nga MASH.
Komuna e Gostivarit premtoi, por, terreni flet ndryshe
Gjatë fillimit të vitit shkollor, në shtator 2023 nga Komuna e Gostivarit deklaruan se “ investimet në edukimin parashkollor dhe shkollor, mbeten prioritet i Komunës së Gostivarit për shkak se investimet në arsim janë investime në ardhmëri”.
Por, ky zotim nuk shihet në praktikë në hapësirat e jashtme të shkollave fillore.
Pyetëm Komunën e Gostivarit se pse oborret e shkollave janë në këtë gjendje, a kanë plan për t’i rregulluar dhe kur. Por nga Komuna e Gostivarit nuk u përgjigjën për këtë problem deri në publikimin e këtij teksti.
Përndryshe, Komuna e Gostivarit ka 31 shkolla fillore prej të cilave 5 në qytet ndër të cilat njëra është shkollë e muzikës dhe 26 shkolla ka në fshatra.