Osmani: Kosova të ketë më shumë bashkërendim dhe bashkëpunim me ShBA-në
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë. Ajo tha se historia e ka treguar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka pasur sukses, […]
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë.
Ajo tha se historia e ka treguar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka pasur sukses, çka i ka shërbyer vendit dhe banorëve të tij.
Ndërsa i konsideroi tërësish të ligjshme veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri, Presidentja Osmani shtoi se bashkëpunimi me aleatët do t’i bënte këto përpjekje të qëndrueshme, duke u reflektuar edhe në politikën e jashtme, nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtarë.
Komentet zonja Osmani i bëri nga Nju Jorku, ku këto ditë ka zhvilluar një sërë takimesh në kuadër të aktiviteteve që mbahen paralel me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Shtetet e Bashkuara ritheksuan këto ditë “nevojën urgjente” që Kosova dhe Serbia të ripërkushtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A ka ndonjë të ardhme ky dialog?
Vjosa Osmani: Në radhë të parë duhet ta potencoj se marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më të thella, shumë më të gjera sesa thjesht çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Natyrisht që dialogu Kosovë-Serbi është një prej temave që ne vazhdimisht e diskutojmë me aleatët tanë në SHBA, mirëpo kjo nuk është e tëra, dhe të reduktohet i gjithë raporti ynë vetëm në këtë temë, mendoj që nuk i bën mirë farë Kosovës. Prandaj edhe gjatë kësaj jave si Presidente e Republikës së Kosovës dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vazhdimisht kam potencuar këtë fakt në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë dy biseda të shkurta që kisha me Presidentin (Joe) Biden gjatë ditës së djeshme, i cili siç e dini, ia ka kushtuar më shumë se 30 vite të karrierës së tij në mbështetje të Kosovës nga fillimi i viteve të 90-ta, kur ne me të vërtetë si Kosovë na duheshin zëra pro shtetit tonë dhe aspiratave tona për liri dhe pavarësi. Në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka shumë sfida mirëpo, asnjëherë nuk ka munguar përkushtimi i plotë i Kosovës për të adresuar çështje që janë në interes të qytetarëve tanë dhe të paqes e stabilitetit rajonal. Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të dhe tani e tëra që Kosova kërkon është që të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të copëzave të saj, sepse marrëveshja e ndarë në copëza nuk ka asnjë kuptim, dhe nuk ka asnjë kuptim që ajo të zbatohet në mënyrë unilaterale nga Kosova, ndërsa pala tjetër që është Serbia në këtë rast, të ikë plotësisht nga obligimet e saj, siç edhe e ka bërë në këto 12-13 vite dialog. Pra, Kosova është e përkushtuar dhe natyrisht si presidente insistoj që çdo ditë të ketë më shumë koordinim dhe bashkëpunim me SHBA-të sepse historia ka dëshmuar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara edhe sa i përket qëndrimeve tona në dialog, por në përgjithësi në sukseset tona në fuqizimin subjektivitetit tonë ndërkombëtar, çdo herë kemi pasur sukses, pra sa më shumë afërsi, sa më shumë bashkëpunim me SHBA-të, aq më mirë për Kosovën, aq më shumë suksese për popullin tonë.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente ju keni thënë që veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri janë të ligjshme. Por a do të ishin ato më të qëndrueshme nëse do të kishin mbështetjen perëndimore? A po e humb Kosova përkrahjen e aleatëve për shkak të mungesës së bashkërendimit. Ju e përmendët nevojën për këtë gjë.
Vjosa Osmani: Veprimet jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime. Kanë legjitimitet të plotë sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit. Mirëpo, siç e thatë edhe ju, dhe e kam përsëritur në çdo deklarim publik dhe në takimet me institucionet tona në çdo rast përgjatë kësaj historie 25 vjeçare, por në veçanti në 16 vitet tona si shtet i pavarur, në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë. Nuk është që populli i Kosovës nuk ka pasur vullnet ta shpallë pavarësinë edhe më herët mirëpo, sikur ta bënim në mënyrë më të pakoordinuar atëherë Kosova as nuk do të njihej. Fakti që e kemi bërë në koordinim të plotë me shtetet tona aleate na ka sjellë më shumë njohje, na ka sjellë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetje ekonomike, prosperitet për qytetarët tanë dhe hapa tutje drejt integrimit euro-atlantik. Edhe tani natyrisht që sovraniteti duhet të shtrihet në çdo cep të Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim, por sa më shumë që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë me aleatët tonë aq më shumë ky sovranitet do të jetë i qëndrueshëm, afatgjatë dhe rrjedhimisht edhe më i suksesshëm për shtetin tonë dhe do të hap më shumë rrugë pastaj për Kosovën që ky sovranitet të mos jetë vetëm i brendshëm, por të reflektohet edhe në politikën tonë të jashtme, pra nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë ku vendi ynë e ka vendin dhe e meriton të jetë.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, a mjafton të thuhet se po ndodh shtrirja e sovranitetit në veri me dërgimin e forcave të posaçme të policisë për sa kohë që nuk ka një integrim të qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën atje?
Vjosa Osmani: Unë nuk do ta quaja dërgim sepse dërgim mund të thuhet vetëm nëse ne dërgojmë forca në një shtet tjetër. Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo kohë dhe në çdo cep të territorit të Kosovës, e ka detyrim kushtetues dhe ligjor, e ka këtë mandat që të jetë prezente kudo. Pra, ne nuk dërgojmë polici, policia është atje sepse e ka detyrë të jetë në çdo cep të Kosovës. Është sikur të themi Shtëpia e Bardhë dërgoi forca policore në Nju Jork, natyrisht se nuk i dërgon sepse NYPD (Departamenti i Policisë së Nju Jorkut) është këtu, rrjedhimisht edhe policia e Kosovës është aty ku e ka mandat që të jetë, ku e ka detyrë që të jetë dhe është aty mbi të gjitha për të mbrojtur qytetarët, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në veri, për t’i mbrojtur nga bandat serbe, bandat kriminale që udhëhiqen nga kriminelë që janë në listën e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve tjera, nga banda kriminale të cilat kanë vrarë edhe serbë, të cilat djegin shtëpitë dhe makinat e serbëve. Në fakt, sa më shumë që të ketë siguri, aq më të lirshëm janë qytetarët serbë që jetojnë në veri të vendit tonë që pastaj lirshëm ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik, të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe po ashtu që të përfitojnë nga të drejtat që Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj ua japin atyre, si kushtetuta më progresive në gjithë kontinentin evropian sa i përket të drejtave të pakicave. Megjithatë unë mendoj që akoma ne mund të bëjmë edhe më shumë që komunikimi ynë me komunitetin serb që jeton në Kosovë të jetë më i mirë, që të ketë edhe më shumë zhvillim ekonomik, që krijon vende të reja të punës, të ketë më shumë prosperitet, sepse sa më shumë që ka zhvillim ekonomik aq më shumë edhe integrimi është i mundshëm. Por, nuk mund të ndodh integrimi duke i ndarë komunitetet, duke mos i lënë që të bashkëpunojnë, duke mos i lënë që të flasin me njëri-tjetrin. Pra, sa më shumë që ka bashkëpunim, sa më shumë që ka qasje te njëri-tjetri, sa më shumë që krijohen vende të punës ku edhe shqiptarët edhe serbët edhe turqit dhe të tjerët punojnë në një vend, aq më i lehtë është integrimi dhe aq më shumë të gjithë do ta kuptojnë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është projekt i përhershëm, projekt që do të mbetet aty përgjithmonë dhe nuk është diçka që vetëm do zgjasë disa vite dhe pastaj zhduket. Pra është shtëpia e përhershme e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie.
Zëri i Amerikës: Presidentit serb Alleksandar Vuçiq ka kërkuar ditët e fundit kthimin e gjendjes së mëparshme në veri, duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kthimin në punë të policëve, gjykatësve e prokurorëve serbë. Ju keni thënë se Vuçiqi nuk duhet marrë seriozisht, pasi nuk e dëshiron rikthimin e serbëve në institucione. Por, cila është rruga, sipas jush për të zgjidhur problemin e kthimit të tyre në institucione?
Vjosa Osmani: Unë jam e bindur sepse ai ka gënjyer në të kaluarën dhe të njëjtën gjë bën edhe tani. Jam e bindur se ai nuk e dëshiron pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, sipas të drejtave që atyre u takojnë edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse është pikërisht Vuçiqi arsyeja pse ata i bojkotuan, u larguan nga këto institucione. Ishte pikërisht ai që nëpërmjet intimidimit, forcës, dhunës, i bllokoi serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme që u organizuan në komunat e veriut të Kosovës. Tani, natyrisht që do të ketë zgjedhje të reja lokale, sipas afateve ligjore ato ndodhin vitin që vjen. Pra në vend që të marrim parasysh gjërat që ai i thotë, sepse asnjëherë nuk e thotë atë që mendon, paralel me këto fjalë veprimet i ka krejt të kundërta në terren; vazhdon që t’i trajnojë terroristët dhe grupet paramilitare, vazhdon që t’i mbajë nën mbrojtje ata që e kanë kryer (sulmin në) Banjskë, vazhdon që të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjës dhe gjithë rajonin. Dhe vazhdon të mbijetojë me logjikën e shekullit të 19-të duke folur për “botën serbe” e koncepte tjera që rrezikojnë paqen e stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm në Kosovë. Pra, Vuçiqi flet, por në fakt veprimet e tij asnjëherë nuk përshtaten me gjuhën e tij dhe në këtë rast nuk duhet t’i marrim seriozisht fare ato që flet, por ta shohim se si po vepron. Veprat e tij e rrezikojnë stabilitetin tonë, pra ne duhet të fuqizojmë mbrojtjen e Kosovës, ta ruajmë edhe më mirë kufirin në bashkëpunim me aleatët tanë, e në të njëjtën kohë të ndërmarrim masa afirmative që vazhdimisht të fuqizohen qytetarët e të gjitha komuniteteve jo shumicë, të ndihen që mund të japin kontribut në institucionet e Kosovës dhe të riintegrohen. Pra, natyrisht që zgjedhje të reja do të ketë në përputhje me kalendarin zgjedhor. Ajo që është me rëndësi është që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Vuçiqit që të mos përdorë dhunë dhe kërcënime ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë dhe t’i lërë ata të lirë që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre, t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre edhe në nivel lokal edhe në nivel kombëtar dhe nëpërmjet këtyre përfaqësuesve pastaj t’i shtyjnë përpara të drejtat e tyre, zhvillimin, progresin dhe të gjitha ato që u janë akorduar edhe me Kushtetutën tonë edhe me ligje, por edhe më shumë marrëveshjen e Brukselit. Pra kjo është rruga përpara. Rruga është që ta ndalim presionin e Serbisë dhe të Vuçiqit konkretisht mbi serbët në Kosovë. Dhe jo ta fuqizojmë apo ta faktorizojmë atë edhe më shumë që ai të vendosë për ta. Kushtetuta e Kosovës ua jep të drejtën serbëve që të vendosin për veten e tyre nëpërmjet të drejtave që i kanë në Kushtetutë. Siç e dini, kanë edhe mbivotim që nuk është në përputhje me përqindjen në popullsi. Pra 3-4 për qind të popullatës në Kosovë, që janë serbët, mund ta bllokojnë çdo amendament kushtetues, çdo ligj me interes vital. Kanë të drejta që nuk i ka asnjë pakicë në Evropë.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti udhëheq politikën e jashtme. A ia keni përcjellë ju hapur shqetësimet ndërkombëtare Kryeministrit Kurti dhe a bashkërendoheni me njëri-tjetrin? Sa e lehtë apo sa e vështirë është kjo për ju, se siç ju jeni shprehur, marrëdhëniet me kryeministrin nuk janë më ato që kanë qenë dikur?
Vjosa Osmani: Natyrisht që jo vetëm këto shqetësime, por të gjitha çështjet i diskutojmë shumë hapur. Rolet tona në Kushtetutë janë të caktuar dhe të ndara, por megjithatë ekziston sistemi i “kontrollit dhe balancës”, sipas parimeve që vet Kushtetuta jonë i ka përqafuar. Mirëpo, është në interes të Republikës së Kosovës që ne të bashkëpunojmë, që ne të bashkërendohemi, gjithnjë duke e vënë si pikë udhërrëfyese interesin e qytetarëve tanë dhe interesin e Republikës së Kosovës, parime këto që edhe na kanë bërë bashkë në vitin 2021. Jo domosdoshmërisht e kemi qasjen e njëjtë, megjithatë sa i përket interesave afatgjata të shtetit tonë, sa i përket synimit final, ne nuk dallojmë. E duam një Kosovë të fuqishme, sovrane në çdo cep të territorit, një Kosovë të integruar në familjen euro-atlantike, në mekanizmat nga të cilat përfitojnë qytetarët tanë, një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht. Mbi të gjitha, një Kosovë ku sundon ligji e jo kriminelët. Prandaj në këtë aspekt jemi të pakompromis. Por, insistimi im i vazhdueshëm është që në mënyrë që të gjitha këto veprime që janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën të jenë me sukses më afatgjatë dhe më të qëndrueshme, duhet vazhdimisht të punojmë bashkë me aleatët tanë. Mos të harrojmë që aleanca me Shtetet e Bashkuara është ndër themelet e shtetit tonë. Është ndër shtyllat më të forta të shtetit tonë dhe e tillë është dëshmuar çdo herë kur ne kemi pasur probleme apo sfida me Serbinë, përfshirë edhe sfidën që kishim vitin e kaluar nëpërmjet aktit të agresionit. Ishin SHBA që u siguruan që forcat e shumta ushtarake e policore rreth kufirit me Kosovën të largohen dhe të mos e rrezikojnë Kosovën, siç e bënin.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ju objektivin e keni të njëjtë por mënyra se si do shkoni deri atje, mund edhe ta ngadalësojë procesin…apo jo?
Vjosa Osmani: Ne duhet të bëjmë atë që në Shtetet e Bashkuara dhe në ushtri e quajnë “regroup and reorganize”. Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat sepse interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi. Dhe ne e shohim që në këtë moment kur ka shumë luftëra nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë kontinentin tonë, Kosova natyrisht që nuk është prioriteti kryesor i liderëve botërorë. Pra Kosova dhe si shqiptarë në përgjithësi, ne jemi pak për të qenë të ndarë, siç e kam thënë gjithmonë. Sa i përket interesit të vendit tonë, duhet të punojmë pavarësisht a jemi sot në pushtet apo dikush është në opozitë. Interesi i Kosovës duhet të jetë mbi të gjitha dhe janë disa tema që duhet të na bashkojnë. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, integrimi euro-atlantik i vendit tonë, janë prioritete kombëtare dhe ato duhet t’i vendosim para gjitha të tjerash. Nganjëherë shkon më ngadalë, nganjëherë shkon me shpejt, por me rëndësi është që koordinohemi, të bashkëpunojmë dhe që Kosova të ecën përpara duke mos mbetur prapa, sepse nganjëherë kjo dritarja e mundësive hapet për një periudhë, por pastaj mbyllet për një periudhë të gjatë. Duhet ta shfrytëzojmë momentumin dhe unë dje kam marrë një konfirmim të fuqishëm nga Presidenti Biden se do të jetë përkrah Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara vërtet e konsiderojnë Kosovën si ndër sukseset më të mëdha në historinë e vet dhe duhet ta mbajmë si të tillë.