Ovacionet ‘UÇK, UÇK’ jehonin në takimin e Ahmetit me rininë e Kërçovës
Sonte në Kërçovë u mbajt takimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, me të rinjtë dhe të rejat e qytetit. The post Ovacionet ‘UÇK, UÇK’ jehonin në takimin e Ahmetit me rininë e Kërçovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Sonte në Kërçovë u mbajt takimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, me të rinjtë dhe të rejat e qytetit. Takimi u zhvillua në kuadër të diskutimeve për programin e ri katërvjeçar të qeverisjes lokale, ku rinia u theksua si mbështetja më e fuqishme për vizionin e një Kërçove të bashkuar, raporton Flaka
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e nisi fjalimin e tij me përshëndetje të të pranishmëve, duke veçuar Kreshnik Bekteshin, të cilin e quajti “i burgosuri i fundit politik”.
Në vijim, Ahmeti tha: “Ta humbish integritetin dhe dinjitetin, është sikur të ia marrish shpirtin e organizmit. Për fat të keq, kjo na ka ndodhur neve për këto 15 muaj. Na kanë goditur edhe në dinjitet, edhe në integritet. Çka më ktheu mua pas në konceptin tim, ishte kur e pashë udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së së atëhershme që ia drejtonte dorën fotografisë së Fatmir Deharit dhe thoshte: Fatmir Dehari le të shkojë në Shqipëri po ta duaj Shqipërinë, por këtu është Maqedoni. Kjo është Maqedoni shqiptare dhe le ta dinë të gjithë.”

Fjalimi i Ahmetit u prit me ovacione dhe thirrjet “UÇK, UÇK” nga të pranishmit. Ai shtoi më tej:
“Shqiptarët nuk janë të dyndur nga ndonjë vend, nuk janë ardhacakë, por janë autokton bashkë me diellin që ka lind. Tani, në këto toka, të ua mohosh shqiptarëve gjuhën, historinë, është padrejtësi e madhe. Këto janë teza të Çubrilloviçit dhe Grashaninit, që unë po i shoh se po përpiqen t’i aplikojnë me shqiptarët. Me vetëdije ose pa vetëdije, politikanët sot në Maqedoni po tentojnë t’i zbatojnë.”
Në fund, Ahmeti iu drejtua të rinjve duke kujtuar sakrificat e brezave të kaluar: “E dashura Rini, vëllezërit tuaj para 24 vitesh kanë derdhur gjak për këtë flamur, kanë derdhur gjak për ato Universitete që sot i kemi. Universiteti i Tetovës është i vetmi në botë që është hapur me gjak. Moshatarët tuaj u flijuan që gjuha dhe identiteti i tyre të mos mohohet. Sot, obligimi, detyra dhe misioni juaj është që këtë krenari dhe këtë gjak të derdhur për lirinë tonë, ta mbroni dhe të jeni avangarda e pamposhtur. Të gjithë ne do të jemi në ballë dhe nuk do t’ju lëmë vetëm në mbrojtjen e këtyre të drejtave.”
Fatmir Dehari, duke iu drejtuar të rinjve, tha: “Ju të dashur të rinj, të dashurit e Xhaxhit, ashtu siç u kam thënë, sonte jeni këtu me ne. Parashtrohet pyetja, çka bëjnë kandidatët e tjerë, ku i kanë njerëzit. Nga ky takim, nga kjo fotografi që do ta shohin, i ftojë edhe të rinjtë e tjerë: ejani këtu, se këtu është ardhmëria, këtu është e tashmja, këtu është shpresa, dhe këtu është fitorja.” Flaka
The post Ovacionet ‘UÇK, UÇK’ jehonin në takimin e Ahmetit me rininë e Kërçovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
