Padi për 62 vjeçarin nga Shkupi për uzurpimin e tokës shtetërore për parking

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 62 vjeçarit nga Shkupi nën dyshimin për uzurpim të pronës, hapësirë që e ka shfrytëzuar për parking, transmeton Portalb.mk. “Kallëzim penal kundër R.A. (62) nga Shkupi dhe kundër subjektit juridik nga Shkupi për vepër penale të kryer “uzurpim të patundshmërive” sipas nenit 225 të KP […]

Mars 28, 2024 - 17:00
 0  3
Padi për 62 vjeçarin nga Shkupi për uzurpimin e tokës shtetërore për parking
Parkingjet e uzurpuara prapa Poliklinikës "Bit Pazar", foto: Portalb.mk

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 62 vjeçarit nga Shkupi nën dyshimin për uzurpim të pronës, hapësirë që e ka shfrytëzuar për parking, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër R.A. (62) nga Shkupi dhe kundër subjektit juridik nga Shkupi për vepër penale të kryer “uzurpim të patundshmërive” sipas nenit 225 të KP të RMV-së”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Ai në afërsi të tregut për lule në Bit Pazar, ka përvetësuar një tokë shtetërore dhe për një periudhë të gjatë ka përfituar nga shfrytëzimi i saj.

“Prona paraqet tokë ndërtimore e pandërtuar në përdorim të përgjithshëm në pronësi të shtetit, ai e ka rrethuar në mënyrë të paligjshme me një pikë-pagesë dhe një kabinë për hyrje-dalje në tokën në fjalë, ku për një tarifë të caktuar të pagesës për çdo hyrje-dalje dhe kështu ka penguar lëvizjen dhe shfrytëzimin e hapësirës në fjalë nga qytetarët dhe institucionet e RVM-së”, sqaroi Policia.

Ndryshe, kanë kaluar disa muaj prej kur Policia ka dorëzuar padi penale kundër dy persona në lidhje me uzurpimin e pronës shtetërore dhe transformimin e të njëjtit në parking privat me pagesë, por Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Parkingu ilegal vazhdon të funksionojë në kushte normale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Me një sërë shkrimesh, Portalb.mk ka dëshmuar se toka mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.