Palevski u ekstradua në burgun e Shutkës, pritet zbardhja e rastit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit (Infografik)

Përmes fluturimit komercial nga Stambolli i Turqisë me”Turkish Airlines”, mbrëmë në orën 19:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, u ekstradua Ljupço Palevski – Palco, i dyshuari kryesor për dy vrasjet monstruoze, të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski. Ai u transferua në burgun “Shkup” në Shutkë, transmeton Portalb.mk. “Policët e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar […]

maj 16, 2024 - 14:01
 0  5
Palevski u ekstradua në burgun e Shutkës, pritet zbardhja e rastit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit (Infografik)
Ljupço Palevski - Palço. Foto: Ministria e Drejtësisë e RMV-së (Facebook)

Përmes fluturimit komercial nga Stambolli i Turqisë me”Turkish Airlines”, mbrëmë në orën 19:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, u ekstradua Ljupço Palevski – Palco, i dyshuari kryesor për dy vrasjet monstruoze, të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski. Ai u transferua në burgun “Shkup” në Shutkë, transmeton Portalb.mk.

“Policët e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me policinë turke, sot kanë përfunduar procesin e ekstradimit nga Republika e Turqisë të Ljupço Palevskit (59) nga Shkupi, për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje”. Personi është transferuar në burgun Shkup”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Ministria e Drejtësisë dhe ministri Krenar Lloga falënderuan autoritetet turke, veçanërisht ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Yilmaz Tunç, për reagimin e shpejtë dhe marrjen e të gjitha masave për ekstradimin e Ljupço Palevskit.

“E gjithë procedura u realizua në një periudhë relativisht të shkurtër prej më pak se pesë muaj. Kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë dhe një mesazh që drejtësia do t’ju arrijë kudo që të jeni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria Themelore Publike Shkup informoi se pas ekstradimit të Palços vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore për rastin e kidnapimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit.

“Në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Republika e Turqisë dje ka ekstraduar të dyshuarin e parë për krimet. Me kërkesë të prokurorit publik ndaj tij tashmë është caktuar masa e paraburgimit, e cila ka filluar të zbatohet menjëherë. Lidhur me këtë person, prokurori publik ndërmerr veprime hetimore për marrjen dhe analizimin e provave që nuk mund të ndahen me publikun në këtë fazë të procedurës”, informoi Prokuroria Publike.

Prokuroria theksoi gjithashtu se hetimi për pesë të dyshuar, është në fazën përfundimtare, tre prej të cilëve janë bashkëkryetarë të krimeve të rënda – dy rrëmbime dhe dy vrasje, një i dyshuar për ndihmën në kidnapimin e një të miture dhe një i dyshuar për ndihmë për kryerjen e krimit.

Palevski ishte në Turqi për saktësisht pesë muaj e gjysmë, pasi u arrestua në Belikiser më 5 dhjetor 2023, pas një urdhërarresti ndërkombëtar.

“Monstrumi është kapur”, deklaroi në orët e vona të mbrëmjes së 5 dhjetorit, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Më 30 prill të këtij viti, Turqia lejoi ekstradimin e tij.

Sipas informacioneve të Meta.mk, Palevski do të vendoset në izolim, në një qeli të veçantë në burgun e Shutkës, ku i gjithë korridori në burgun hetimor do të jetë nën siguri të vazhdueshme. Palevski, sipas protokolleve, nuk do të lejohet as të përdorë banjën me të paraburgosurit e tjerë, por i vetëm, si dhe kohën për shëtitje që është paraparë në oborr, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë kontakt me të paraburgosurit e tjerë në burg. Gjithashtu, ushqimi që do t’i jepet në paraburgim do të kontrollohet vazhdimisht.

Palevskit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, që do të thotë se ai nuk do të sillet para gjykatësit për procedurë paraprake, por do të presë që prokuroria ta marrë në pyetje. Nga marrja në pyetje e Palevskit pritet të zbardhet enigma dhe pyetjet e hapura prej gjysmë viti, motivet e vrasjeve dhe të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e dyfishtë që tronditi opinionin.

Kronologjia e ngjarjeve pas arratisjes së Palevskit

Më 6 dhjetor 2023, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga autoritetet turke që Palevski të mbahet në paraburgim për shkak të ekstradimit deri në përfundimin e procedurës.

Në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim zyrtar nga Interpolli se personi Ljupço Palevski, i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, është privuar nga liria në Turqi. Më 7 dhjetor 2023 është nënshkruar kërkesa për ekstradim të Ljupço Palevskit.

Më 13 dhjetor 2023, Ministria e Drejtësisë mori një njoftim se kolegët e tyre në Turqi kishin marrë kërkekën për ekstradimin e Palevskit.

Më 8 shkurt 2024, Ministria e Drejtësisë njoftoi se gjykimi për Palevskin ka përfunduar.

Përveç vrasjes, Ljupço Palevski – Palco dyshohet edhe për rrëmbim.

Për vrasjen e dyfishtë, në burgun e Shutkës ndodhen edhe Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski, të cilët dyshohen për rrëmbim personi nga neni 141 i Kodit Penal dhe për dy vrasje. Të gjithë ata janë pjesë e partisë politike Desna (E Djathta).

Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dyshohet se i ka ndihmuar në kryerjen e krimit – rrëmbimin e të miturës. Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, tashmë ndodhet në arrest shtëpiak, pasi Gjykata e Lartë pranoi ankesën e tij. Avokati i Gjorcevskit, Vladimir Tufegdzic, pohon me vendosmëri se ai nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e vajzës së tij dhe se nuk i njeh fare të dyshuarit.

Stefan Dimkovskit, shokut që e transportoi Palevskin përmes Bullgarisë për në Turqi, në mars të këtij viti i është hequr paraburgimi dhe ndaj tij janë shqiptuar masa paraprake – ndalim i daljes nga vendbanimi, konfiskim i dokumentit të udhëtimit, detyrimi për t’u paraqitur në gjykatë dhe konfiskimi, pra ndalimi i përdorimit të patentës së shoferit.

Motivi i të dyja vrasjeve është i paqartë

Sipas asaj që është paraqitur deri më tani nga hetimi, 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska është rrëmbyer në Shkup më 27 nëntor 2024 rreth orës 7:20 të mëngjesit kur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Sipas hetimeve, Palevski së bashku me Keshishovin, Manevskin dhe Videvskin e kanë marrë dhe e kanë lidhur në hyrje të objektit, e kanë futur në thes dhe më pas në veturën e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, i cili u vra pesë ditë më parë.

Vanja u vra në të njëjtën ditë, më 27 nëntor 2023, ndërsa trupi i saj u gjet më 3 dhjetor në fshatin Brazda në periferi të Shkupit. Makina e djegur u gjet jo shumë larg. Palevski u largua nga vendi tre ditë pas vrasjes, ndërsa Keshishov, Manevski dhe Videvski pas arrestimit e pranuan krimin dhe e dërguan policinë në vendet ku ishin varrosur Vanja dhe Zhezhovski.

Ljupço Palevski-Palço dyshohet se ka planifikuar, organizuar dhe kryer dy vrasje. Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev dyshohen për rrëmbim dhe dy vrasje. Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjës së vrarë, dyshohet se i ka dhënë informacion Palços për kohën kur vajza e tij del nga ndërtesa dhe shkon në shkollë. I dyshuari i fundit është Stefan Dimkovski, i cili u arrestua sepse dyshohet se e ndihmoi Palçon të arratisej nga Beogradi në Turqi.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk