Polarizimi etnik ishte dominues gjatë fushatës zgjedhore, konstatoi hulumtimi i IMA-s
Polarizimi etnik ishte dominues gjatë fushatës së zgjedhjeve që lamë pas. Ky është konstatimi kryesor i hulumtimit më të ri “Polarizimi etnik në media dhe komunikimin publik gjatë zgjedhjeve” nga Instituti për Mediume dhe Analitikë (IMA), raporton Portalb.mk. Petrit Saraçini, kryetari i IMA-s për redaksinë Portalb.mk deklaroi se hulumtimi konstaton se diskursi i polarizimit ishte […]
Polarizimi etnik ishte dominues gjatë fushatës së zgjedhjeve që lamë pas. Ky është konstatimi kryesor i hulumtimit më të ri “Polarizimi etnik në media dhe komunikimin publik gjatë zgjedhjeve” nga Instituti për Mediume dhe Analitikë (IMA), raporton Portalb.mk.
Petrit Saraçini, kryetari i IMA-s për redaksinë Portalb.mk deklaroi se hulumtimi konstaton se diskursi i polarizimit ishte dominues gjatë zgjedhjeve. Mediumet sipas tij, ishin zgjatime të porosive të tilla me kontekst etnik.
“Publikimi i projektit “Polarizimi etnik në media dhe komunikimin publik gjatë zgjedhjeve”, konstaton se ky diskurs i polarizimit etnik ishte goxha dominues gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj. Përfaqësuesit politik dërgonin mesazhe politike të cilat ishin polarizuese në kontekst etnik, dhe se mediat u bënë zgjatime të këtyre porosive. Porosia jonë si institut është se mediat duhet të mos përçojnë narrative të tilla. Mediat duhet të jenë ndërtues të kohezionit të një shoqërie dhe përfaqësimin e saj”, tha Petrit Saraçini.
Zharko Trajanovski, drejtues i hulumtimit, theksoi se ky problem po zgjat tashmë disa dekada. Sipas tij, shembuj të tillë kemi në shumë procese të rëndësishme në RMV, si dhe në këtë kontekst ishin edhe zgjedhjet e dyfishta në vend.
“Problemi i polarizimit politik në kontekstin shoqëror dhe politik në Maqedoninë e Veriut, është problem që po zgjat disa dekada. Shembuj të tillë kemi kur u arrit Marrëveshja e Prespës, gjatë referendumit, ndryshimeve kushtetuese, periudhës së Covid-19, gjatë regjistrimit të popullatës në RMV etj. Në këtë kontekst, narrative të tilla u hasën edhe gjatë zgjedhjeve të dyfishta të vitit 2024″, tha Zharko Trajanovski.
Trajanovski thekson se hy hulumtim ka detektuar thellim të polarizimit politik dhe etnik, gjë që ndez pasione nacionaliste dhe nxisin diskriminim dhe urrejtje.
“IMA në vitin 2024 detektoi thellim të polarizimit politik dhe etnik, të cilat nëpërmjet shfrytëzimit të propagandave të dëmshme, jo vetëm që ndiznin pasione nacionaliste, por edhe nxisnin diskrminim dhe urrejtje në bazë etnike, nacionale dhe politike”, shkroi në hulumtim Trajanovski.
Profesoresha universitare Mirjana Malevska vlerëson se një nacionalizëm nxit një tjetër, por është logjike dy parti nacionaliste të krijojnë një Qeveri. Profesoresha Malevska më tej shton se VLEN kërkon vazhdimin e bisedimeve për integrime, ndërkaq VMRO-DPMNE ngelet “e rrobëruar” në nacionalizmin e propaganduar, përskaj asaj që BE po merr kahje të djathtë, të njëjtit bëjnë thirrje për respektimin e marrëveshjeve.
“Një nacionalizëm nxit një nacionalizëm tjetër. Dy parti nacionaliste logjikisht mund të formojnë një qeveri. Koalicion VLEN kërkon vazhdimin e bisedimeve për integrime, ndërkaq VMRO-DPMNE është e “robëruar” në nacionalizmin që ka propaganduar disa dekada. Si do të mund të deklarojnë emrin Maqedonia e Veriut, Gordana Siljanovska apo Mickoski. Ata shpresojnë në retorikën se BE po kahëzon drejtë së djathtës, dhe do përkrahën nga partitë simotër. BE vërtetë po merr kahje drejtë së djathtës, por qendra, përkatësisht integristët, ndërkaq partitë simotër si për shembull ato gjermane sugjeruan tu përmbahen marrëveshjeve“, tha Mirjana Malevska.
Malevska në hulumtim shkroi se programet politike mbajnë opsione të hapura. Ajo më tej shton se të vetmet çështje për të cilat partitë nuk janë të interesuara, është integrimi shoqëror, dhe një shoqëri për të gjithë.
“A janë të gjitha programet zgjedhore një mashtrim i zakonshëm? Mendoj se mbajnë edhe opsione të hapura. E vetmja gjë për të cilën askush nuk është i interesuar, të paktën gjatë fushatës zgjedhore, është integrimi shoqëror dhe “një shoqëri për të gjithë”, shkroi më tej në hulumtim Malevska.
Profesori universitar Sefer Tahiri, tha se mediumet dhe politika kanë keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike. Sipas tij, tashmë tre dekada po përpiqemi të ndërtojmë shtetin, madje vlerëson se është harxhuar shumë energji për marrëdhëniet ndëretnike, përskaj agjendave populiste zgjedhore që mundohen të dominojnë kundrejt tjerëve.
“Mediumet dhe politika shpesh kanë keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike për qëllimet të caktuara. Tre dekada me radhë po merremi me atë se si duhet ndërtuar shteti. Shumë energji është harxhuar në marrëdhëniet ndëretnike. Mediumet i kanë shërbyer agjendave populiste zgjedhore, i cili bazohej në filozofinë e rritjes së një identiteti të caktuar etnik kundrejt tjerëve”, tha profesori Sefer Tahiri.
Tahiri në hulumtim shkroi se mediumet duhet të raportojnë në mënyrë korrekte dhe objektive, por edhe të ndikojnë në rritjen e tolerancës, respektit dhe mirëkuptimin dhe kohezionit social.
“Mediumet duhet të raportojnë për çështjet etnike, por jo edhe të nxisin përkeqësimin e tyre. Ato duhet të raportojnë në mënyrë korrekte dhe objektive dhe të ndikojnë në rritjen e tolerancës dhe mirëkuptimin e respektit të ndërsjellë, ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike, krijimin e kohezionit social, mbi të gjitha, e shërbimit të transmetimit publik”, shkroi më tej Tahiri.
Ndryshe, hulumtimi u prezantua sot në hapësirat e Europe House në Shkup.