Policia e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka arrestuar policin 34 vjeçar nën dyshimet se ka falsifikuar monedha 2 euro
Në një aksion të përbashkët ndërmjet punonjësve të Policisë së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, është arrestuar 34 vjeçari nën dyshimet për para të falsifikuara, transmeton Portalb.mk. “Në territorin e Kosovës u arrestua 34 vjeçari Sh.D. nga Resnja, i punësuar në Repartin për ndjekje të krimit të organizuar dhe të rënda pranë MPB-së”, […]
Në një aksion të përbashkët ndërmjet punonjësve të Policisë së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, është arrestuar 34 vjeçari nën dyshimet për para të falsifikuara, transmeton Portalb.mk.
“Në territorin e Kosovës u arrestua 34 vjeçari Sh.D. nga Resnja, i punësuar në Repartin për ndjekje të krimit të organizuar dhe të rënda pranë MPB-së”, raportoi Policia, duke theksuar se ai dyshohet në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “falsifikim të parave”.
Policia ka publikuar pamje gjatë bastisjes së tre lokacioneve, ku janë gjetur makina për prodhimin e monedhave prej 2 eurove.
Paraprakisht ishte krijuar një ekip i përbashkët hulumtues ndërmjet Prokurorisë Themelore Publike në Shkup dhe Prokurorisë Speciale Publike në Kosovë.
“Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë’, njoftojnë nga Prokuroria.
Ndryshe, në fund të vitit 2023, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen për prodhim dhe futje në treg të parave të falsifikuara dhe kanë sekuestruar një vlerë të madhe të monedhave false.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të arrestuar janë tre shtetas të Kosovës dhe tre të Maqedonisë së Veriut. Ky institucion tha se dyshohet që paratë të jenë prodhuar “në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit”.