“Politiko”: Zgjedhja e Tzitzikostasit si eurokomisioner grek mund të tensionojë marrëdhëniet Athinë-Shkup

Zgjedhja e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të emëruar politikanin 45-vjeçar Apostolos Tzitzikostas si komisioner evropian të vendit sinjalizon se ai po bën një zhvendosje djathtas, shkruan gazeta Politiko. Tzitzikostas, i cili është guvernatori aktual i rajonit të Maqedonisë Qendrore, konsiderohet një politikan me një ideologji të fortë të krahut të djathtë, veçanërisht kur bëhet […]

gusht 22, 2024 - 15:01
 0  6
“Politiko”: Zgjedhja e Tzitzikostasit si eurokomisioner grek mund të tensionojë marrëdhëniet Athinë-Shkup
Kyriakos Mitsotakis dhe Apostolos Tzitzikostas. Foto nga profili i Tzitzikostasit në Twitter

Zgjedhja e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të emëruar politikanin 45-vjeçar Apostolos Tzitzikostas si komisioner evropian të vendit sinjalizon se ai po bën një zhvendosje djathtas, shkruan gazeta Politiko. Tzitzikostas, i cili është guvernatori aktual i rajonit të Maqedonisë Qendrore, konsiderohet një politikan me një ideologji të fortë të krahut të djathtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën e brendshme të vendit, duke përfshirë mosmarrëveshjen e gjatë të Greqisë për emrin me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Tzitzikostas është një politikan që për vite kundërshtoi marrëveshjen ndërkombëtare midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut që zgjidhi mosmarrëveshjen për emrin e vendit. Ai udhëhoqi mitingjet kundër Marrëveshjes së Prespës duke organizuar një fushatë online të titulluar “Respektimi i të vërtetës” e cila kërkonte referendum për vendimin e qeverisë së atëhershme të majtë SYRIZA. Edhe pse me kalimin e viteve, qëndrimi i Tzitzikostas u zbut dhe ai tha se tashmë qëndrimi i tij është në përputhje me qeverinë greke dhe se marrëveshja e Prespës ka shumë pika problematike, por që është e detyrueshme për të dy vendet, pikërisht për shkak të qëndrimeve të tij të mëparshme. Për momentin nuk dihet se si do t’u përgjigjet disa pyetjeve për kontestin me emrin në seancën dëgjimore në Komisionin Evropian këtë vjeshtë, duke pasur parasysh se në Maqedoninë e Veriut ka një qeveri të re, e cila ka ri-ngjallë tensionet për emrin.

“Ka padyshim një zhvendosje të krahut të djathtë dhe kjo është një lëvizje simbolike e Mitsotakis për të treguar se ai po forcon të djathtën dhe se ajo po kthehet në bazën e partisë së tij”, tha Giorgos Siakas, një profesor asistent në Universitetin Demokrit nga Trakia.

Portali i njohur shkruan gjithashtu se Tzitzikostas është akuzuar disa herë si i afërt me ekstremin e djathtë. Në vitin 2013 ai ftoi në një paradë në Selanik partinë e tashmë të zhdukur neo-naziste Agimi i Artë, diçka që u prit me protesta nga kryetari i atëhershëm i qytetit Yannis Boutaris, ndërsa në vitin 2016, në kulmin e krizës së emigrantëve në Evropë, ai kundërshtoi nënshkrimin e marrëveshje bashkëpunimi mes Selanikut dhe UNHCR-së për përmirësimin e kushteve për azilkërkuesit, pas së cilës ai u akuzua nga rivalët politikë për ksenofobi.

Një veprim i tillë i Mitsotakis, sipas “Politiko”, vjen si pasojë e performancës së dobët të partisë së tij Demokracia e Re në zgjedhjet evropiane të qershorit të këtij viti. Në këtë mënyrë, ai po përpiqet të qetësojë votuesit më konservatorë duke riorganizuar kabinetin e qeverisë duke emëruar politikanë me prirje të djathtë.

“Mitsotakis po përpiqet të blejë kohë dhe të tregojë se po krijon një ekuilibër të ri të brendshëm. Është më shumë një manipulim komunikimi sesa një drejtim i ri politik”, thotë analisti politik Lefteris Kousoulis.

Një shembull i zgjedhjes së Mitsotakisit për politika më konservatore është se në korrik, qeveria tërhoqi kandidaturën e profesoreshës së drejtësisë Katerina Funtedaki si drejtoreshë e organit shtetëror që mbikëqyr shërbimet e fekondimit in vitro pasi u bë e qartë se disa deputetë të Demokracisë së Re do të votonin kundër zgjedhjes së saj.

Ndryshe, tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.