Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta sot viziton Shkupin

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, sot qëndron në Shkup, në kuadër të turneut të tij të punës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas agjendës, Kosta do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski në orën 10:30 në Qeveri, ndërsa një konferencë e përbashkët për shtyp është planifikuar për në orën 11:15 në press qendrën qeveritare. […]

maj 15, 2025 - 11:00
 0  4
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta sot viziton Shkupin
Antonio Kosta (Costa). Foto nga profili i tij në X

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, sot qëndron në Shkup, në kuadër të turneut të tij të punës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas agjendës, Kosta do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski në orën 10:30 në Qeveri, ndërsa një konferencë e përbashkët për shtyp është planifikuar për në orën 11:15 në press qendrën qeveritare. Përveç Kryeministrit, presidenti i Këshillit Evropian do të takohet edhe me Presidenten e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, transmeton Portalb.mk.

Përpara takimit me Kostën, kryeministri Mickoski tha dje se do t’i përcjellë Presidentit të Këshillit Evropian pikëpamjet e tij mbi ndryshimet kushtetuese, të cilat mbeten të pandryshuara.

“Qëndrimet tona janë të qarta në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu nuk ka ndryshim, sepse nga ana tjetër nuk shohim, të paktën në këtë moment, asnjë sinjal se ka një ndryshim në sjellje, pra nga ana e fqinjit tonë lindor. Më vjen keq që është kështu dhe shpresoj që në periudhën që vjen do të flasim më shumë për zgjidhje sesa për probleme”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vizitën e Kostës.

Përpara turit, Kosta tha se vjen për të folur me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u treguar atyre se BE është e gatshme t’i ndihmojë ata me sfidat me të cilat përballen.

“Forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore politike për BE-në dhe për mua personalisht. Ekziston një moment i qartë për zgjerim, por momenti kërkon angazhim”, tha Kosta, duke riafirmuar angazhimin e BE-së ndaj rajonit për anëtarësim në Union.

Pjesa e punës e vizitës së Kostës filloi në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Serbisë.

Nga Beogradi, Kosta udhëtoi për në Sarajevë ku do i’u drejtua anëtarëve të Forcave të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas së cilës u takua me anëtarët e presidencës së BeH, Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.

Presidenti i Këshillit Evropian vazhdoi më pas për në Podgoricë ku u takua me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, Kryeministrin Milojko Spajiq dhe anëtarë të Qeverisë së Malit të Zi. Të mërkurën pasdite, ai vazhdoi për në Prishtinë për t’u takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.

Të premten, Kosta do ta përfundojë turneun me samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, ku ai do të jetë bashkë-organizator. Tema e samitit është “Evropa e Re në Botën e Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët” me fokus në siguri.

Si pjesë e samitit do të mbahen gjithashtu tre tryeza të rrumbullakëta tematike.