Prokuroria e Maqedonisë do të përdorë sistem të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë në kuadër të projektit “BE – Mbështetje për sundimin e ligjit” do të marrë një sistem të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve. Përfaqësuesit e projektit dje në takim me prokurorin publik Lupço Kocevski informuan për aktivitetet e planifikuara që duhet të realizohen në kuadër të projektit për periudhën […]
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë në kuadër të projektit “BE – Mbështetje për sundimin e ligjit” do të marrë një sistem të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve. Përfaqësuesit e projektit dje në takim me prokurorin publik Lupço Kocevski informuan për aktivitetet e planifikuara që duhet të realizohen në kuadër të projektit për periudhën e ardhshme, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë njofton se në kuadër të aktiviteteve të këtij projekti, lidhur me teknologjinë informative, fokusi i mbështetjes do të jetë në përgatitjen e specifikacionit teknik për implementimin e sistemit të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve në Prokuroria Publike.
“Fondet për këtë projekt të madh dhe kompleks, në të cilin përveç Prokurorisë Publike janë përfshirë edhe disa institucione të tjera, janë siguruar përmes programit IPA-3 të Bashkimit Evropian. Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë do të formojë grup të posaçëm punues për digjitalizim i cili do të punojë në përcaktimin e karakteristikave funksionale të sistemit të ri, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e Prokurorisë Publike. Në mbledhjen e djeshme ishte e pranishme Shoqata e Prokurorëve Publikë, kryetari i së cilës Elvin Veli do të angazhohet për të mbështetur procesin e ndërtimit të sistemit të ri elektronik”, njoftoi Prokuroria Publike.
Ata theksojnë se ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të IT-së po punojnë për përmirësimin e sistemit ekzistues Luris për ndihmë juridike ndërkombëtare.
Pas përfundimit të kësaj, Prokuroria Publike thotë se vendi do të jetë i pari në rajon që do të mundësojë lidhjen e drejtpërdrejtë elektronike të sistemeve Luris me Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Drejtësisë.
“Përveç aktiviteteve tjera, projekti “BE – Mbështetje për Sundimin e Ligjit” punon në përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore për vlerësimin, kontrollin dhe përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve publikë, ndihmon në trajnimin e hetuesve në qendrat hetimore, kontribuon në përgatitjen e Strategjisë së re për komunikim dhe transparencë të Prokurorisë Publike, si dhe analizon burimet njerëzore në dispozicion të Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.