Prokuroria kërkoi dënime më të larta për të akuzuarit për aksidentin e autobusit të “Durmo Tours” në Llaskarcë

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në afërsi të fshatit Llaskarcë, transmeton Portalb.mk. “Përmes një vlerësimi kritik të provave, individualisht dhe në kombinimin e tyre, gjykata e shkallës së parë […]

gusht 24, 2024 - 15:00
 0  7
Prokuroria kërkoi dënime më të larta për të akuzuarit për aksidentin e autobusit të “Durmo Tours” në Llaskarcë
Seanca e shpalljes së aktgjykimit për aksidentin tragjik të autobusit "Durmo Turs" në Llaskarcë. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në afërsi të fshatit Llaskarcë, transmeton Portalb.mk.

“Përmes një vlerësimi kritik të provave, individualisht dhe në kombinimin e tyre, gjykata e shkallës së parë nuk ka lejuar që vendimi gjyqësor të varet vetëm nga mendimi i vetëm dhe i pambështetur i ekspertëve të përfshirë në superekspertizë, të cilët nuk kanë arritur të krijojnë një qëndrim për çështje kyçe, dhe seancën kryesore e ka zgjatur për më shumë se një vit”, deklaroi prokurori publik Darko Jakimovski.

Ai nënvizoi provat në bazë të të cilave Gjykata në mënyrë të drejtë dhe në tërësi ka vërtetuar gjendjen faktike dhe ka zbatuar Kodin Penal kur ka konstatuar se veprimet nga të gjithë të akuzuarit përmbanin të gjitha elementet thelbësore të veprave penale për të cilët janë shpallur fajtorë.

Mirëpo, ankesa është bërë për shkak të vendimit për masën e sanksioneve penale ndaj katër të pandehurve.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 25 janar 2024, të gjithë t akuzuarit për këtë rast u dënuan me gjithsej 39 vite burg.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, u dënua me 4 vite burg.

I akuzuari i dytëRemzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, u dënua me 6 vite burg.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar”, u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, u dënua poashtu me 5 vite burg.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, u dënua me më së shumti vite burg. Ai do të jetë i privuar nga liria për 14 vite.

Sipas prokurorit publik, lidhur me të pandehurit D.B., R.M., I.G. dhe G.D., Gjykata ka vlerësuar gabim rrethanat lehtësuese dhe rënduese, si dhe përgjegjësinë individuale të të pandehurve për ndodhjen e aksidentit të rëndë trafiku, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën 38 të tjerë.

“Jeta e udhëtarëve të cilët janë transportuar jo vetëm në autobusin në fjalë, por edhe në autobusë të tjerë dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacionin publik janë kërcënuar drejtpërdrejt nga mënyra se si të pandehurit i kanë kryer obligimet e tyre ligjore”, thekson prokurori publik në ankesë.

Duke marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë penale dhe kontributin që secili nga të pandehurit ka pasur në shkaktimin e pasojave të rënda, prokurori publik ka ankimuar aktgjykimin.

Për ato arsye, për këta të pandehur prokurori publik propozon që Gjykata e Apelit në Shkup të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë të të pandehurve D.B., R.M., I.G. dhe G.D. të vendosë dënime më të larta burgimi dhe një kohëzgjatje më të gjatë të dënimeve me ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën por shpëtuan. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.