Propozimi për shkarkimin e Kocevskit do të shqyrtohet sot në seancën e qeverisë së RMV-së

Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit publik Ljupço Kocevski duhet të shqyrtohet sot në seancë të Qeverisë, pas së cilës do t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publikë. Shërbimi për media i qeverisë ka konfirmuar dje se opinioni i Ministrisë së Drejtësisë do të shqyrtohet në seancën e sotme, pas së cilës në përputhje me obligimet ligjore […]

shkurt 18, 2025 - 13:00
 0  8
Propozimi për shkarkimin e Kocevskit do të shqyrtohet sot në seancën e qeverisë së RMV-së
Prokurori i shtetit Lupço Kocevski, Foto: Printscreen nga video

Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit publik Ljupço Kocevski duhet të shqyrtohet sot në seancë të Qeverisë, pas së cilës do t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publikë. Shërbimi për media i qeverisë ka konfirmuar dje se opinioni i Ministrisë së Drejtësisë do të shqyrtohet në seancën e sotme, pas së cilës në përputhje me obligimet ligjore do t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, transmeton Portalb.mk.

“Si Qeveri do të vazhdojmë të ndërmarrim aktivitete që synojnë përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve është cenuar rëndë dhe për këtë jemi të përkushtuar fuqishëm që më në fund të sundojë drejtësia dhe të kemi shtet ligjor”, njoftojnë nga shërbimi për media i Qeverisë.

Ministria e Drejtësisë, duke vepruar pas përfundimit të seancës së 50-të të Qeverisë së RMV-së të mbajtur më 11 shkurt të këtij viti, ka ndërmarrë veprime dhe ka përgatitur mendim për propozimin për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, të cilin ia ka dorëzuar Qeverisë për procedim të mëtutjeshëm në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në periudhën e kaluar kemi qenë dëshmitarë të një sërë skandalesh, dëmtim të funksionalitetit të Prokurorisë Publike, prishje të marrëdhënieve ndërpersonale, veprime të kundërligjshme dhe korrupsion, joefikasitet në ndjekjen penale dhe shkelje të parimeve të organizimit të Prokurorisë Publike dhe pavarësisë në kryerjen e funksioneve të Prokurorisë së Lartë të shpallur nga Prokuroria e Lartë Publike”.

Prokurori publik shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç thotë Ministria e Drejtësisë, ka vepruar në rastet në të cilat, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë shkaktuar dyshim në paanshmërinë e tij, si dhe konflikt interesash, dhe nga të cilat është dashur t’i dijë.

Qeveria më 11 shkurt 2025 ka marrë vendim për inicimin e procedurës për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski.

“Zhgënjimi i Qeverisë nga veprimet jashtë kompetencave ligjore, zhgënjimi i qytetarëve nga sistemi që nuk funksionon dhe vazhdimi i përditshëm i situatave të tilla rezulton me dëmtim të besimit dhe mosfunksionim të sundimit të ligjit”, tha në një konferencë për media zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Mandati i prokurorit publik zgjat gjashtë vjet, ndërsa Kocevski në këtë pozitë është zgjedhur një vit më parë. Qeveria kërkon që Kocevskit t’i ndërpritet mandati para kohe, e arsyeja për këtë është, siç thonë nga atje, zhgënjimi për veprim jashtë kompetencave ligjore, duke theksuar se Kocevski në mënyrë të kundërligjshme e ka emëruar ushtruesen e detyrës së shefes së Prokurorisë së Lartë Publike në vend të të suspenduarit Mustafa Hajrlluhai.

Prokurori republikan Kocevski e mohon pretendimin se ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, duke theksuar se ka zbatuar ligjin dhe afatet në të.

Kocevski u zgjodh në Kuvend si prokuror i ri publik i shtetit në shkurt të vitit 2024.