Punimet për stadiumin e Tetovës në “pushime”, këtë javë pritet dhënia e lejes së ndërtimit
Punimet për stadiumin e Tetovës janë ndërprerë për shkak se pritet të jepet leja e ndërtimit. Stadiumi ka pasur leje për rikonstruim, ndërsa leja e ndërtimit pritet të jepet këtë javë, shkruan Portalb.mk. Javën e kaluar Këshilli Komunal i Tetovës mbajti seancë të jashtëzakonshme, ku u vendos që stadiumi të lirohet nga tarifa komunale. “Ka […]
Punimet për stadiumin e Tetovës janë ndërprerë për shkak se pritet të jepet leja e ndërtimit. Stadiumi ka pasur leje për rikonstruim, ndërsa leja e ndërtimit pritet të jepet këtë javë, shkruan Portalb.mk.
Javën e kaluar Këshilli Komunal i Tetovës mbajti seancë të jashtëzakonshme, ku u vendos që stadiumi të lirohet nga tarifa komunale.
“Ka kaluar në këshill, brenda javës do të jepet leja”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.
Nga ana tjetër, këshilltari nga BDI Liridon Disha e kritikoi këtë veprim të komunës.
“Doli para zgjedhjeve me ekskavator e prishi stadiumin për t’i gënjyer qytetarët dhe tani deklaron se duhet leje dhe se stadiumi do të jetë gati për 3 vjet. E vërteta është se e la Shkëndijën pa tribuna dhe qytetin pa stadium”, shkroi Disha.
Kujtojmë që në korrik 2024 kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se procedurat për lejen e ndërtimit të stadiumit janë drejt përfundimit.
Aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit filluan gjatë muajt prill 2024.
Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.
Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.
Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.
- LEXO: Kasami: Procedurat për lejen e ndërtimit të stadiumit të qytetit janë drejt përfundimit
- LEXO: Kushtetuesja e hodhi poshtë nismën e Qeverisë së kaluar për stadiumin në Tetovë
- LEXO: Qeveria i ka ndërprerë punimet për stadiumin e Tetovës
- LEXO: Filluan aktivitetet për stadiumin e Tetovës, Kasami: Do ndërtohet stadium i ri, pritet të jetë gati për tre vjet