Ambasadori bullgar në RMV për bisedë në MPJ, Mickoski: Do t’i dorëzohet demarsh

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot do ta thërrasë ambasadorin bullgar në vend, Zheljasko Radukov, për bisedë në ambientet e Ministrisë, ku do t’i kërkohet të shpjegojë pse presidenti bullgar Rumen Radev e ftoi Presidenten Gordana Siljanovska Davkova të bëjë foto para flamujve bullgarë, ndërsa flamuri maqedonas nuk ishte vendosur, shkruan […]

shtator 16, 2024 - 15:00
 0  5
Ambasadori bullgar në RMV për bisedë në MPJ, Mickoski: Do t’i dorëzohet demarsh
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut (MPJ). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot do ta thërrasë ambasadorin bullgar në vend, Zheljasko Radukov, për bisedë në ambientet e Ministrisë, ku do t’i kërkohet të shpjegojë pse presidenti bullgar Rumen Radev e ftoi Presidenten Gordana Siljanovska Davkova të bëjë foto para flamujve bullgarë, ndërsa flamuri maqedonas nuk ishte vendosur, shkruan TV Telma.

Për momentin, Ministria nuk bën të ditur nëse ambasadorit bullgar do t’i dorëzohet notë proteste.

Mirëpo, kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se ambasadorit bullgar në Maqedoninë e Veriut, Zheljasko Radukov do t’i dorëzohet një demarsh lidhur me mosvendosjen e flamurit maqedonas gjatë vizitës së Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje gjatë takimit me presidentin bullgar Rumen Radev.

“Në të kaluarën kur po poshtërohej dhe shitej dinjiteti maqedonas, atëherë heshtën, kurrizin e kishin përthyer dhe josheshin nga ata që na poshtëruan dhe na shkelën. Tani po dërgohen nota proteste diplomatike dhe nuk do të kemi më një politikë ndërkombëtare apo diplomatike me kurriz të lakuar. Atëherë kur të kalohet vija e kuqe, atëherë duhet reaguar. Nëse nuk reagoni, ky përjashtim do të bëhet më tej praktikë. Ajo që është më e rëndësishme për mua është që Evropa dhe bota të shohin në një skenë të hapur se cilat janë synimet reale të lidershipit në Sofje. Bullgarët në kushtetutën e Maqedonisë janë problemi më i vogël, nevoja për të treguar muskujt dhe për të treguar qëllimet e tyre të vërteta është shumë më e madhe. Atehere kur shohim se janë kaluar vijat e kuqe, atëherë do të duhet të intervenojmë dhe sot ai demarsh do t’i dorëzohet ambasadorit të fqinjit tonë lindor”, tha Mickoski.

Dje nga kabineti i kryetares Siljanovska Davkova thanë se do të kërkojnë shpjegim nga pala bullgare, sepse siç thonë ata, edhe pse nuk ishte planifikuar të fotografoheshin në hapësirë ​​të mbyllur, presidenti Radev e ftoi presidenten që të fotografohen së bashku para flamurit bullgar.

“Duam të besojmë se është një shkelje protokollare, jo procedurë e qëllimshme dhe devijim nga marrëveshja dhe nesër do të kërkojmë shpjegim nga pala bullgare”, njoftoi dy ditë më parë Vila Vodno.

LSDM opozitare disa herë ka reaguar ashpër ndaj, siç gjykojnë ata, debaklit diplomatik që përjetoi shteti maqedonas në Bullgarinë fqinje, i cili “poshtëron popullin maqedonas”. VMRO-DPMNE në pushtet u përgjigj se LSDM duhet të ndalojë manipulimin e publikut “dhe të shikojë në pasqyrë për të gjitha tradhtitë që ka bërë ndaj popullit maqedonas”.