QMK: Dy alpinistë çekë u shpëtuan në Kodrën e Diellit, njëri ishte lënduar gjatë skijimit
Dy alpinistë çekë, njëri prej të cilëve u plagos gjatë skijimit në Kodrën e Diellit, janë shpëtuar mbrëmë në një aksion të koordinuar të Sistemit të Menaxhimit të Krizave, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk. “Dje pasdite në ora 16:42 në numrin 112 është raportuar nga një alpinist skiator çek se një […]


Dy alpinistë çekë, njëri prej të cilëve u plagos gjatë skijimit në Kodrën e Diellit, janë shpëtuar mbrëmë në një aksion të koordinuar të Sistemit të Menaxhimit të Krizave, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
“Dje pasdite në ora 16:42 në numrin 112 është raportuar nga një alpinist skiator çek se një nga kolegët e tij, alpinist dhe skiator, është lënduar gjatë ecjes dhe skijimit në Kodrën e Diellit dhe se kanë nevojë për ndihmë”, thonë nga QMK.
Pas marrjes së koordinatave për vendndodhjen e të plagosurit, ekipet e shpëtimit me një mjet të specializuar – ratrak kanë shkuar për nxjerrjen e alpinistit të plagosur dhe transportimin e tij në qendrën “Kodra e Diellit”.
Alpinisti është nxjerrë shëndoshë e mirë nga pjesa më e lartë malore me borë e Sharrit dhe në pikën e parë të mundshme të ngritjes në rrugë të asfaltuar është transferuar në automjetin e ndihmës së shpejtë mjekësore në Spitalin klinik në Tetovë”, thuhet në njoftimin e QMK-së.
Në aksion, përmes Departamentit për Operacione dhe Koordinim të QMK-së, janë përfshirë edhe NP “Parku Kombëtar ‘Mali Sharr”, Shërbimi i Emergjencave Mjekësore, “Elem Tours”, kompania shtetërore që menaxhon Kodrën e Diellit, Stacioni Policor Kodra e Diellit dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim Tetovë.
Në dhjetor të vitit 2024, Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se gjashtë persona kishin humbur në Kodër të Diellit ku për shkak të mjegullës nuk kanë mundur ta gjejnë rrugën dhe kanë kërkuar ndihmë. Personat u gjetën nga autoritetet.