Rasti i Koçanit keqpërdoret për prapavija etnike dhe për fshehje të përgjegjësve, reagoi ASh Sela  

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka thënë se edhe tragjeditë keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët dhe se kjo është padrejtësi edhe ndaj viktimave të Koçanit, transmeton Portalb.mk. “Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski duke thënë se “do t’i kapim për veshi” dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet […]

Prill 13, 2025 - 20:00
 0  7
Rasti i Koçanit keqpërdoret për prapavija etnike dhe për fshehje të përgjegjësve, reagoi ASh Sela  
Ziadin Sela. Foto pritscreen nga video e ASH-së

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka thënë se edhe tragjeditë keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët dhe se kjo është padrejtësi edhe ndaj viktimave të Koçanit, transmeton Portalb.mk.

“Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski duke thënë se “do t’i kapim për veshi” dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet në praktikë nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga ASh Ziadin Sela. 

Sipas tyre, arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me prapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjedinë e Koçanit kanë dy qëllime: 

  1. Të fshehin përgjegjësit e vërtetë duke filluar nga kryeministri, ministri i punëve të brendshme dhe drejtuesit aktual të organeve kompetente, lokale dhe qendrore. 
  1. Të frikësojnë shqiptarët, të shtypin shqiptarët dhe të shkaktojnë revoltë dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimi nga problemet dhe përgjegjësitë reale. 

“Padrejtësia, arrestimi dhe akuzat ndaj personave që nuk kanë përgjegjësi për këtë rast dhe keqpërdorimi politik dhe etnik i këtij rasti, vlerësojmë se është edhe padrejtësi ndaj vetë viktimave dhe familjarëve të tyre, të cilët më së shumti presin drejtësi dhe jo keqpërdorim të dhimbjes së tyre”, thanë nga ASh Ziadin Sela. 

Ata ftuan drejtuesit e Qeverisë, Prokurorisë dhe gjykatave që të ndërpresin këtë fushatë që nuk i shkon në dobi askujt. 

“Por dëmton të gjithë, pa përjashtim, si ata që kërkojnë drejtësi ashtu edhe ata të cilëve sot ju bëhet padrejtësi përmes akuzave dhe arrestimeve të pabaza”, thanë nga ASh Ziadin Sela. 

Ky reagim vjen pasi dje, më 12 prill Prokuroria Themelore Publike në Koçan lëshoi urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj.

Ndërsa sot përmes një konference për shtyp ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe prokurori publik i shtetit Ljupco Kocevski dhanë detaje nga ky hetim.

Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë në periudhën 2012-16.03.2025.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.