Reagon kryetari i Bujanocit pas bllokimit të fondeve nga Serbia

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti ka reaguar pasi zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi njoftoi se Serbia ka bllokuar fondet për tekstet shkollore të nxënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës. “Dënoj fuqishëm çdo formë të sabotimit institucional, qoftë edhe përmes mjeteve financiare, që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme për shqiptarët në

Nëntor 13, 2025 - 18:30
 0
Reagon kryetari i Bujanocit pas bllokimit të fondeve nga Serbia
Reagon kryetari i Bujanocit pas bllokimit të fondeve nga Serbia

Reagon kryetari i Bujanocit pas bllokimit të fondeve nga Serbia

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti ka reaguar pasi zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi njoftoi se Serbia ka bllokuar fondet për tekstet shkollore të nxënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës.

“Dënoj fuqishëm çdo formë të sabotimit institucional, qoftë edhe përmes mjeteve financiare, që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme kur në thelb të saj qëndrojnë fëmijët, arsimi dhe librat shkollorë, fusha që duhet të jenë të shenjta dhe të paprekshme nga çdo kalkulim politi”, shkruan Pajaziti.

Shton se ligjet aktuale të Serbisë lejojnë që Këshilli Kombëtar Shqiptar të pranojë fonde dhe mbështetje financiare nga të gjitha burimet legjitime, përfshirë edhe nga shtetet e rajonit.

“Bllokimi i mjeteve të transferuara nga Qeveria e Kosovës, pa ndonjë arsyetim ligjor apo teknik, nuk mund të shihet ndryshe veçse si akt politik dhe administrativ që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit rajonal dhe me standardet evropiane të barazisë dhe transparencës”, shton tutje kryetari i Bujanocit.

Pajaziti thotë se kjo ndalesë duhet të zhbllokohet menjëherë e të mos krijojë precedent për shtetin e Serbisë, sipas tij “duke dëshmuar se instrumentet financiare po përdoren si mjet presioni ndaj institucioneve të shqiptarëve”.

“Kërkojmë nga instancat zyrtare të Republikës së Serbisë që të ndërhyjnë urgjentisht për të zhbllokuar mjetet e destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, në mënyrë që ky institucion të mund të zhvillojë pa pengesa aktivitetin e tij në fushën e arsimit dhe më gjerë. Në të kundërt, do të jetë i pashmangshëm angazhimi i faktorit ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, për të garantuar zbatimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginë dhe për të detyruar autoritetet e Beogradit që të respektojnë angazhimet e veta ligjore dhe ndërkombëtare”, përfundon Pajaziti.

Zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.