Rebalanci, përplasje për amendamentet – Refuzohet amendamenti për çerdhen e Sarajit

Në komisionin për financa e buxhet vazhdoi e njëjta sagë me amendamentet që nuk janë në fokusin e rebalancit të buxhetit, shkruan Alsat. Përfaqësuesit e Frontit Evropian me në krye Blerim Bexhetin propozuan amendamentin për të siguruar para 48,4 milion denarë për një çerdhe në fshatin Svillare e Poshtme, të Komunës së Sarajit. Me të […]

gusht 1, 2024 - 23:30
 0  4
Rebalanci, përplasje për amendamentet – Refuzohet amendamenti për çerdhen e Sarajit

Në komisionin për financa e buxhet vazhdoi e njëjta sagë me amendamentet që nuk janë në fokusin e rebalancit të buxhetit, shkruan Alsat.

Përfaqësuesit e Frontit Evropian me në krye Blerim Bexhetin propozuan amendamentin për të siguruar para 48,4 milion denarë për një çerdhe në fshatin Svillare e Poshtme, të Komunës së Sarajit.

Me të kërkohej sigurimi i mjeteve, meqenëse në të do të përfshiheshin fëmijët e 4 fshatrave të atij rajoni.

“Përkrah familjes, si një ndër format më të rëndësishme institucionale për përkujdesjen dhe përfshirjen e fëmijëve në procesin edukativo-arsimor janë edhe institucionet e edukimit parashkollor, që njëkohësisht përbën edhe bazën e edukimit sistematik të fëmijëve”, tha Arbana Pasholli, Fronti Evropian.

“Mjete për këto dedikime sigurohen nga buxheti i Ministrisë për Politikë Sociale. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale çdo vit shpall konkurs publik për financimin e kapaciteteve për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve në edukim parashkollor, me mjete nga buxheti i ministrisë. Duke pasur parasysh kohën prej disa muajsh, nga ana tjetër, madhësia e projektit “ndërtimi i çerdhes”, ky amendament nuk pranohet. Dhe i bëj apel komunës që të aplikojë vitin e ardhshëm. Thirrja është e llojit të hapur dhe të marrin mjete për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve”, u shpreh Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave.

Në debatin e mëtejshëm për amendamentin, Rijad Shaqiri nga radhët e VLEN, tha se këto çështje duhet të ishin shteruar për shqiptarët tashmë në shekullin XXI, megjithatë shprehu mbështetjen e koalicionit të tij për amendamentin.

“Prej vitit 2002, komuna e Sarajit drejtohet nga kuadër i BDI-së, kështu që pas 24 viteve të bisedojmë për hapjen e çerdheve, mendoj se kemi pasur 24 buxhete që kanë kaluar, apo edhe 24 rebalance të buxheteve që kanë kaluar, dhe asnjëherë nuk e kanë parë të rrugës që të merret një iniciativë e tillë, me të vetmin qëllim që të krijohen kushte më të mira për foshnjat…. Si do që të jetë, ne si grup parlamentar i koalicionit VLEN do t’i japim mbështetje këtij amendamenti, dhe kërkoj që në vitet në vijim, çdokush prej kryetarëve të komunave, të marrë obligimet e parashikuara me ligj dhe t’i plotësojë nevojat e qytetarëve konform detyrave që iu takojnë”, theksoi Rijad Shaqiri, Deputet i Koalicionit VLEN.

Megjithatë, amendamenti ra me votat 3 me 8 kundër, njësoj sikurse të njëjtin fat kishte edhe amendamenti për çerdhen në komunën e Zelenikovës./ Alsat.mk