RMV, dy të dyshuar për vënien e dy zjarreve, një tjetër që ka shkaktuar zjarr është arrestuar
Dy persona dyshohen se kanë vënë dy zjarre, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe shtoi se janë ndërmarrë hapa për zbardhjen e të vërtetës dhe për procedimin e mëtutjeshëm të rasteve tek organet kompetente, transmeton Portalb.mk. Nga ana e MPB-së, tha Toshkovski, është formuar aksioni operativ “Zjarri 2024”, në të cilin janë […]
Dy persona dyshohen se kanë vënë dy zjarre, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe shtoi se janë ndërmarrë hapa për zbardhjen e të vërtetës dhe për procedimin e mëtutjeshëm të rasteve tek organet kompetente, transmeton Portalb.mk.
Nga ana e MPB-së, tha Toshkovski, është formuar aksioni operativ “Zjarri 2024”, në të cilin janë përfshirë të gjitha Departamentet e Punëve të Brendshme në vend, sepse siç tha ai, është fakt se shumica e zjarreve shkaktohen nga faktori njeri.
“Ne jemi të fokusuar në zbulimin e të gjithë atyre autorëve sepse fakt është se shumica e zjarreve janë shkaktuar nga faktori njerëzor. Deri më tani kemi dy të dyshuar për dy ngjarje konkrete penalo-juridike dhe janë ndërmarrë hapa konkretë procedural në drejtim të konstatimit të së vërtetës dhe procedimit më tutje tek organet kompetente”, tha Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas seancës së Këshillit drejtues të Komitetit për Koordinimin dhe Menaxhimin e Sistemit për Menaxhimin e Krizave.
Lidhur me zjarret, sot Prokuroria Publike Themelore e Velesit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi nga fshati i Velesit, Orizari i Epërm për veprën penale “Shkaktim i rrezikut publik”.
“Më 21 korrik, i akuzuari 25-vjeçar ka shkaktuar zjarr me dashje në një deponi të egër në fshat, duke djegur sediljet e vjetra të veturave. Duke qenë se vendi ishte i tejmbushur me bar të thatë, zjarri u përhap me shpejtësi. Me këtë i pandehuri ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetët dhe trupat e njerëzve dhe pasurisë në fshatrat përreth. Rreziku që nga veprimet e tilla të të akuzuarve të shkaktohen dëme të mëdha është veçanërisht i theksuar duke pasur parasysh gjendjen alarmante me zjarret në rrethinën e Velesit dhe në tërë territorin e vendit”, kanë thënë nga Prokuroria Publike.
Prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore në Veles ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale dhe gjykata e ka pranuar propozimin.
Ndërkohë, po shqyrtohen ndryshime rrënjësore në sistemin e menaxhimit të krizave. Një nga opsionet është bashkimi i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit (DMSH) dhe Qendrës së Menaxhimit të Krizave (QMK) dhe krijimi i një organi të posaçëm që do të kishte kapacitete materiale dhe personel për t’u përballur me kriza të tilla në të ardhmen.
Propozime të tilla u vunë në tryezë në mbledhjen e Komitetit Drejtues për Menaxhimin e Krizave, i cili rekomandoi Qeverinë që urgjentisht të marrë vendim për riorganizimin e të gjithë sistemit për të përballuar në mënyrë adekuate çdo krizë që do të shfaqej në vend.
Vendimin e ka bërë të ditur ministri Pançe Toshkovski. Ai vlerësoi se zjarret janë fatkeqësi kombëtare dhe sistemi i mbrojtjes nga krizat është joadekuat.
“Ajo që ndodhi me zjarret është e mjerueshme për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE-së, nga pikëpamja që ne nuk kemi një sistem që mund të merret me menaxhimin e krizës, i cili do t’i përgjigjet në mënyrë të duhur situatave të krizës, veçanërisht me zjarre”, tha Toshkovski.