Paraburgim për tre qytetarët për nxitje të urrejtjes ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, të përfshirë në incidentin me flamurin e RMV-së

Nën dyshimet për nxitje të urrejtjes ndëretnike, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar deri te gjykatësi i procedurës paraprake paraburgim për tre persona, transmeton Portalb.mk.  Gjykata Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Publike të treve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe […]

Nëntor 30, 2024 - 01:00
 0  6
Paraburgim për tre qytetarët për nxitje të urrejtjes ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, të përfshirë në incidentin me flamurin e RMV-së
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nën dyshimet për nxitje të urrejtjes ndëretnike, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar deri te gjykatësi i procedurës paraprake paraburgim për tre persona, transmeton Portalb.mk.  Gjykata Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Publike të treve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale. Personat e ndaluar dyshohen për veprën penale të nenit 319 paragrafi 1 i Kodit Penal dhe kanë të bëjnë me ngjarjet e djeshme ku janë shkatërruar simbolet kombëtare dhe flamuri kombëtar.

Për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit në baza nacionale, racore e fetare akuzohet edhe një i mitur, i cili do të gjykohet në bazë të ligjit për drejtësi për fëmijët.

Prokuroria raportoi se të dyshuarit më 28 nëntor në periudhën mes orës 20:00 dhe 23:00, në bulevardin “Krste Misirkov” në Shkup kanë djegur flamurin dhe simbolet nacionale.

Ndryshe, tetë persona u arrestuan për shkelje në disa baza, me rastin e të festës së Ditës së Flamurit Shqiptar. Siç tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencën e sotme për media, katër nga të arrestuarit janë privuar nga liria për pjesëmarrje në përleshje, ndërsa të tjerët për shkak të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, përçarje dhe intolerancë. Personat, siç tha Toshkovski, ndodhen në stacionin policor dhe sipas udhëzimit të prokurorit publik, me procedurë urgjente do të paraqiten para gjykatës, e cila do të duhet të vendosë në kuadër të kompetencave ligjore, transmeton Portalb.mk.

Të arrestuarit, thotë ministri, ishin të rinj të moshës 18, 19, 20 dhe 21 vjeç dhe njëri prej tyre është i mitur.