RMV, konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit, pritet zgjedhja e Afrim Gashit për kryeparlamentar

Sot në Kuvend nisi seanca në të cilën konstituohet përbërja e re parlamentare. Kryesuesja e seancës është Merita Kollçi Koxhaxhiku, si deputetja më e vjetër në Kuvend. Në votim u vendos Komisioni për verifikim, kuvetëm gjashtë deputetë ishin kundër përzgjedhjes së këtij Komisioni, të gjashtë nga e Majta, transmeton Portalb.mk. Për kryetare të komisionit u […]

maj 28, 2024 - 14:00
 0  6
RMV, konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit, pritet zgjedhja e Afrim Gashit për kryeparlamentar
Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Tetuta Buçi/Portalb.mk

Sot në Kuvend nisi seanca në të cilën konstituohet përbërja e re parlamentare. Kryesuesja e seancës është Merita Kollçi Koxhaxhiku, si deputetja më e vjetër në Kuvend. Në votim u vendos Komisioni për verifikim, kuvetëm gjashtë deputetë ishin kundër përzgjedhjes së këtij Komisioni, të gjashtë nga e Majta, transmeton Portalb.mk.

Për kryetare të komisionit u zgjodh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE, ndërsa anëtarë Bllagica Lasovska, Daniela Nikolova, Diana Toska dhe Bekim Sali.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimumi tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Пër kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN.

“Grupet punuese të VLEN-it, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve, dhe VMRO DPMNE-së si fituese e zgjedhjeve, në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë me sukses e kanë përmbyllur harmonizimin e programeve zgjedhore dhe kanë arritur marrëveshje që për kryetar të Parlamentit të propozohet Afrim Gashi. Ndërkohë njoftojmë opinionin se grupet punuese intensivisht vazhdojnë negociatat për eshalonin e dytë dhe të tretë. Shumë shpejt si shtet do të kemi një qeveri evropiane, e përkushtuar për rritje ekonomike, investime dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve”, njoftoi Alternativa.

Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.

Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI gjithashtu ka 18 deputetë. Koalicioni VLEN ka 14, e Majta 6 dhe ZNAM 6 deputetë.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse VLEN do ta mbajë mandatin. 

Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativë, e cila është pjesë e Koalicionit VLEN. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe ka kërkuar që në seancën e sotme të mos verifikohet.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është deputet për herë të parë pasi nuk ishte në lista në ciklin e kaluar zgjedhor.

Ndryshime në lista do të ketë, duke pasur parasysh se Mickoski do të jetë kryeministër, ndërsa disa nga deputetët e rinj do të marrin ulëse në ekzekutiv.

Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, deputetë janë ish-kryeministri dhe lideri i partisë Dimitar Kovaçeski dhe gjithë kryesia që dha dorëheqje bashkë me të.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni  VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, LSDM njëjtë, 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI poashtu 18 mandate, një më pak, i cili shkoi për VLENIN. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse difinitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.