RMV, kush po nxit destabilizimin?

Që pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale këtë vit, në fjalorin e partive politike në Maqedoninë e Veriut dhe protagonistëve të tyre, eksponentë si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, kryefjalë e kanë destabilizimin dhe skenaret, siç i quajnë ata, “të errëta”. Megjithatë, siç e kemi parë deri më tani, përderisa asnjëra palë nuk arrin […]

dhjetor 9, 2024 - 03:00
 0  4
RMV, kush po nxit destabilizimin?
Policia, MPB

Që pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale këtë vit, në fjalorin e partive politike në Maqedoninë e Veriut dhe protagonistëve të tyre, eksponentë si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, kryefjalë e kanë destabilizimin dhe skenaret, siç i quajnë ata, “të errëta”. Megjithatë, siç e kemi parë deri më tani, përderisa asnjëra palë nuk arrin të dëshmojë me fakte dhe të zbulojë gogolin që qëndron prapa këtyre skenarëve, fjalori i tillë frikësues mbetet në suaza të retorikës ditore politike, vepër që shkakton pasiguri, përçarje dhe tensione te qytetarët. Shembulli më i fundit është rasti me piromanin e disa veturave në Kumanovë, kur u dëshmua se nuk bëhet fjalë për grup të organizuar por, për për një person, shkruan Portalb.mk.

Nga ministria e Punëve të Brendshme në fillim lajmëruan se disa persona kanë vënë zjarr ndaj disa veturave dhe një objekti. Pas publikimit të pamjeve nga akti, shihet se dorasi ka vepruar i vetëm, pa ndihmën e askujt, e as nuk bëhet fjalë për ndonjë grup të organizuar mirë, siç pretendonte i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Koalicioni VLEN, partner i VMRO-DPMNE-së në pushtet, shkoi edhe më tutje me hetime dhe përmes një komunikate për media tha se i arrestuari është familjar i prokurorit, Xhelal Bajramit, prokuror dhe ish ministër, kuadër i BDI, duke aluduar, pa fakte konkrete, në adresën e fajësisë.

“Opinioni tani do ta ketë edhe më të qartë se nga cilat qendra jepen urdhërat për prishje të rendit dhe qetësisë. Sepse, është absurd në vete të shfrytëzohen rastet e tilla për të mbjellë frikë deri në palcë te qytetarët. Pasi, sipas parimit të funksionimit të tyre, qytetarët e frikësuar janë më lehtë të manipuluar” thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Por, dorasi nuk kishte të bëjë me BDI-në. Por, as me VLEN-in, dhe aq më pak skenar të errët, siç Bashkimi Demokratik për Integrim e cilësoi rastin edhe pasi rasti më ishte zbardhur.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë shprehur kritika, fillimisht në adresë të institucionit kompetent, e pastaj edhe për retorikën e subjekteve politike që ushqejnë destabilizimin në vend.

“Është krijuar një refren që nga fushata parazgjedhore, dhe vazhdohet e njëjta. Në fushatën parazgjedhore dominonte një ekstremizëm me elemente nacionaliste, e aty ku mbillet nacionalizëm nuk mund të mbillet diçka konstruktive. Mbillet urrejtje, pastaj urrejtja ushqehet dhe gjenë format e veta. Nuk them që Maqedonia e Veriut është afër destabilizimit, por shumë shpejt mund t’i ndodh destabilizimi qeveritar nëse nuk i kryen detyrat e caktuara”, tha për Portalb.mk, profesori universitar Mersel Bilalli.

“Është turp për institucionin, që nguten me deklarata ende pa i ditur faktet. Papërgjegjësi te jepen deklarata e konkluzione pa informacione të sakta. Subjektet politike edhe mund të nguten për shkaqe politike, por më e rëndë është kur vjen nga institucioni, sepse ata kanë përgjegjësi ta zbardhin rastin. Dhe nëse vjen prej kreut të institucionit është dëshpëruese. Tensionet veçmë kanë filluar 5 a 6 muaj më herët. Dhe kjo është qëllim në vetvete”, deklaroi për Portalb.mk Faton Aliti, publicist.

Kujtojmë se kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut mbisundon situatë e tensionuar, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke filluar me shfuqizimin e “balancuesit”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe, festat e flamurit dhe alfabetit dhe acarime të ndryshme në bazë ditore, vepra që kryesisht burojnë nga partitë politike.