RMV, nisi fushata për zgjedhjet parlamentare

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare. Të dyja fushatat do të zhvillohen paralelisht gjatë katër ditëve të ardhshme, duke përfshirë edhe ditën e sotme, pas së cilës më 22 prill fillon heshtja 48-orëshe për zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk. Përkundër heshtjes për zgjedhjet presidenciale, fushata për zgjedhjet parlamentare […]

Prill 18, 2024 - 15:00
 0  3
RMV, nisi fushata për zgjedhjet parlamentare
Zgjedhjet e vitit 2024 në Maqedoninë e Veriut. . Foto ilustrim e krijuar nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk në Canva (përmban elemente nga Canva)

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare. Të dyja fushatat do të zhvillohen paralelisht gjatë katër ditëve të ardhshme, duke përfshirë edhe ditën e sotme, pas së cilës më 22 prill fillon heshtja 48-orëshe për zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.

Përkundër heshtjes për zgjedhjet presidenciale, fushata për zgjedhjet parlamentare do të vazhdojë edhe në këto dy ditë – situatë të cilën kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski, së fundi e quajti unike deri më tani në ciklet zgjedhore.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të zgjasë deri më 6 maj, pas së cilës do të fillojë heshtja dyditore para 8 majit – dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Partitë dhe koalicionet do të prezantojnë programet zgjedhore

Me një sërë aktivitetesh nga sot deri në përfundim të fushatës më 6 maj, partitë dhe koalicionet do të prezantojnë programet e tyre zgjedhore dhe kandidatët për deputetë që do të propozojnë në njësitë zgjedhore.

Koalicioni “E ardhmja evropiane” i udhëhequr nga LSDM e fillon fushatën parlamentare me ngjarjen “Nuk heqim dorë nga e ardhmja” që do të mbahet në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup. Karvani i LSDM-së dhe koalicionit, të cilin do ta udhëheq lideri i partisë Dimitar Kovaçevski, së bashku me bartësit dhe kandidatët e tjerë për deputetë, do të vazhdojë gjatë ditës në Gjevgjeli dhe Demir Kapi.

VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia juaj” do ta nisin fushatën për zgjedhjet parlamentare me tubim në Ohër, ku do të prezantohet kandidatja për presidente Gordana Siljanovska-Davkova.

Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI do të shënojë fillimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare me aktivitete në Shkup, ndërsa kandidati për president Bujar Osmani sonte do të mbajë tubim në Kumanovë.

Velesi është pikënisja nga e nis fushatën partia E Majta. Prej aty do të prezantohen lideri dhe deputeti Dimitar Apasiev, i cili është bartës në Njësinë e parë zgjedhore dhe deputeti Borislav Krmov, bartës në Njësinë zgjedhore 3. Kandidatja presidenciale e përkrahur nga e majta, Biljana Vankovska-Cvetkovska sot do të prezantojë fushatën e saj zgjedhore në Veles.

Koalicioni “VLEN” i partive opozitare shqiptare do të mbajë konferencë për media në selinë në Shkup, ku do të flasin bartësit e listave të kandidatëve për deputetë në të gjitha njësitë zgjedhore, si dhe kandidati për president Arben Taravari.

Janë bërë të ditura edhe aktivitetet e pjesëmarrësve të tjerë në zgjedhje.

Një ditë para nisjes së fushatës, dje në Kuvend është firmosur Kodi për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike Parlamentare. Në akt morën pjesë përfaqësues të shumicës së partive politike dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në garën zgjedhore për një mandat në legjislativ, por jo të gjitha e nënshkruan Kodin. Rezistenca ka ardhur kryesisht nga subjektet më të vogla politike dhe arsyeja kryesore e vendimit të tyre, siç kanë thënë disa prej tyre, është shpërndarja e padrejtë e mjeteve nga buxheti i shtetit për marketing zgjedhor të partive politike.

Kujtojmë se 24 prilli 2024 (e mërkurë) dhe 8 maji 2024 (e mërkurë) të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.