RMV, u anulua blerja e softuerit që kishte për qëllim të vlerësonte publikimet e mediave si pozitive, negative ose neutrale

Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë ka anuluar procedurën për blerjen e softuerit për vlerësimin e ndikimit të medias dhe për konvertimin e të folurit në tekst në gjuhën maqedonase “on premise deployment”. Arsyeja, siç thuhet në njoftimin e anulimit të publikuar në Portalin e Prokurimit Publik, është se nuk u […]

Prill 30, 2025 - 23:00
 0  5
RMV, u anulua blerja e softuerit që kishte për qëllim të vlerësonte publikimet e mediave si pozitive, negative ose neutrale
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto nga Fisnik Xhelili / Portalb.mk

Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë ka anuluar procedurën për blerjen e softuerit për vlerësimin e ndikimit të medias dhe për konvertimin e të folurit në tekst në gjuhën maqedonase “on premise deployment”. Arsyeja, siç thuhet në njoftimin e anulimit të publikuar në Portalin e Prokurimit Publik, është se nuk u paraqit asnjë ofertë ose asnjë ofertë e pranueshme për prokurimin, raporton Portalb.mk.

Me njoftimin (Nr. 03756/2025), të publikuar më 5 mars 2025, Qeveria po kërkonte një kompani që do të zhvillonte një softuer gjithëpërfshirës që do të monitoronte median – postimet elektronike, të shtypura, online dhe në mediat sociale – dhe do ta vlerësonte përmbajtjen si pozitive, negative ose neutrale. Për më tepër, kërkohej një raport ditor deri në orën 9 të mëngjesit të ditës tjetër me të dhëna të hollësishme mbi njoftimet për median, duke përfshirë emrin e medies, autorin, përmbajtjen dhe një lidhje me burimin origjinal.

Sistemi i planifikuar do të ishte i pajisur me inteligjencë artificiale, i arritshëm nëpërmjet një aplikacioni celular dhe gjithashtu do të funksiononte jashtë linje për pjesën e transkriptimit të të folurit në tekst. Softueri, sipas specifikimit teknik, ishte menduar për nevojat e rreth 30 institucioneve shtetërore dhe organeve politike.

Anulimi i procedurës do të thotë që Qeveria nuk do të ketë në dispozicion një sistem të tillë për momentin. Ky plan qeveritar u vlerësua si potencialisht i rrezikshëm për liritë e medias kur u shfaq për herë të parë në publik, veçanërisht për shkak të mbledhjes së paralajmëruar të të dhënave mbi emrat e autorëve, mediave dhe përmbajtjes që do t’i nënshtrohen analizës dhe vlerësimit.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut prej 5 marsit e deri më 5 prill e ka hapur konkursin për përzgjedhjen e një kompanie që duhet të zhvillojë softuer për vlerësimin e ndikimit mediatik dhe do të mundësojë vlerësimin e lajmeve të publikuara nëse janë pozitive, negative apo neutrale.

Në specifikacionin teknik të tenderit të publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimit Publik pa specifikuar buxhetin e parashikuar, thuhet se kompania që do të përzgjidhet në tender duhet të ofrojë shërbimin e vlerësimit të ndikimit apo “clippingut në media, përkatësisht monitorimin, përzgjedhjen, prodhimin dhe shpërndarjen e njoftimeve në media të shkruara, elektronike, internet dhe rrjete sociale. Softueri duhet të ofrojë të dhëna për median që ka publikuar lajmin dhe emrin e autorit të lajmit.