Sami Lushtaku jep urdhër për mbylljen e dy qendrave mjekësore në dy fshatra, funksionin me sistemin e Serbisë
Kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka dhënë urdhër për mbylljen e dy qendrave të Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy fshatra të banuara nga komuniteti pakicë serb në Banjë dhe Syriganë. Lushtaku ka thënë se në to janë gjetur barna pa afat dhe keqpërdorime të tjera. “Këto dy […]


Kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka dhënë urdhër për mbylljen e dy qendrave të Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy fshatra të banuara nga komuniteti pakicë serb në Banjë dhe Syriganë.
Lushtaku ka thënë se në to janë gjetur barna pa afat dhe keqpërdorime të tjera.
“Këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim!”, ka shkruar Sami Lushtaku.
Postimi i plotë:
Pas pranimit të informatave dhe verifikimit të tyre, kam lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy vendbanimet me komunitetin joshumicë serb në Banjë dhe në Syriganë, të cilat kishin filluar të funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe, jashtë rendit kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.
Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale.
Këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim!
SL