‘‘Seanca do duhej të thirrej menjëherë’’ – Skenarët e mundshëm për formimin e institucioneve të reja
Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit po i afrohet fundit, ndërsa vëmendja tashmë është zhvendosur te hapat që do të çojnë në formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Kur kanë mbetur për ...


Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit po i afrohet fundit, ndërsa vëmendja tashmë është zhvendosur te hapat që do të çojnë në formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Kur kanë mbetur për t’u numëruar më pak se gjysma e votave për deputetët, monitoruesit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se partitë duhet të nisin sa më herët negociatat për formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që të shmanget zvarritja e formimit të institucioneve dhe rreziku i një bllokade të re politike.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 42.9 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 21.1 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.6 për qind të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se bazuar në ritmin aktual të procesit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë në ditët e para të korrikut. Pas këtij procesi, sipas tij, duhet të nisë menjëherë faza e konstituimit të Kuvendit.
Jakaj thekson se ndonëse legjislacioni parasheh që seanca konstituive të thirret brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, nuk ka arsye që të pritet afati maksimal.
“Për shkak të shpejtësisë së numërimit që po ndodh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mund të ndodhë dhe gjasat janë reale që të kemi certifikim të rezultateve aty kah data 4–6 korrik. Pastaj të nisë procedura për formimin e institucioneve. Dihet që sipas Kushtetutës dhe rregullores, seanca konstituive duhet të thirret nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentes brenda 30 ditëve. Por një seancë e tillë nuk do të duhej ta priste këtë konsumim të afatit 30-ditor deri në maksimum. Do të duhej të thirrej seanca menjëherë, nesër pasnesër, ose eventualisht brenda 10 ditëve të para të këtij 30-ditëshi”, thotë Jakaj.
Në anën tjetër, analisti politik Jeton Kelmendi konsideron se matematika parlamentare pas zgjedhjeve lë të hapura disa mundësi për krijimin e qeverisë, por jo të gjitha janë njësoj të realizueshme.
Sipas tij, një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës do të prodhonte një qeveri stabile nga pikëpamja numerike, megjithatë ai e sheh të vështirë materializimin e këtij skenari për shkak të raportit politik që partitë kanë ndërtuar ndër vite.
Kelmendi vlerëson se një alternativë më e mundshme do të ishte bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të komuniteteve joshumicë.
Një marrëveshje e tillë, sipas tij, do të mund të përfshinte edhe ndarjen e posteve kryesore institucionale, përfshirë pozitën e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit.
“Tash janë dy variante ku një qeveri stabile mund të krijohej mes LVV-së dhe PDK-së, por kjo nuk besoj se do të ndodhë pasi, duke njohur teorinë e Albin Kurtit, ai sigurisht se do të humbte dhe përgjysmohej pasi tabori i tij ka qenë PDK-ja dhe krahu i luftës. Andaj nuk besoj se mund të ndodhte një gjë e tillë. Varianti i dytë është që LVV-ja të shkojë në koalicion me LDK-në dhe minoritetet. Kjo në teori është e mundshme që presidenti t’i takojë LDK-së, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri LVV-së si parti fituese”, thekson ai.
Ndërkohë, Jakaj nënvizon se partitë politike nuk duhet të presin konstituimin e Kuvendit për të nisur komunikimin mes vete. Ai konsideron se rezultati zgjedhor tashmë është i qartë në vijat kryesore dhe se bisedimet për koalicione duhet të zhvillohen paraprakisht.
Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje politike do ta bënte të vështirë formimin e qeverisë së re dhe do të mund ta shtynte vendin drejt një cikli të ri paqartësish institucionale.
“Por në rrethanat aktuale, në situatën aktuale kur ne kemi shkuar brenda një viti e gjysmë në tre palë zgjedhje, do të duhej që partitë politike të kenë ose të zhvillojnë dialog para konstituimit të Kuvendit, sepse rezultatet pak a shumë po dihen, mund të ndërrojnë, mund të ndërrojë që Lëvizja Vetëvendosje të marrë një mandat, dy mandate ose tre mandate në maksimum, më së shumti, dhe rezultati do të dihet. Që me gjasë s’do ta bëjë një qeveri të vetën, duke qenë se do të jetë e zorshme bërja e një qeverie të tillë, atëherë do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të hynte në koalicion me ndonjë parti tjetër që do ta shpëtonte vendin nga zgjedhjet për shkak të formimit të qeverisë, ose për shkak të mos dështimit të qeverisë, ose në anën tjetër edhe të diskutohej edhe për presidentin”, potencon Jakaj.
Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
