Siljanovska-Davkova nuk do ta thërrasë Këshillin e Sigurimit përkundër njohurive të Mickoskit për destabilizimin e mundshëm të shtetit

Presidetja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova nuk planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski se BDI mund të ndërmarrë hapa për destabilizimin e shtetit këtë vjeshtë. Kështu ka bërë të ditur për “360 Gradë” zyra e presidentes të shtetit, transmeton Portalb.mk. Kabineti është përgjigjur shumë shkurt: “Të nderuar, përgjigjja e pyetjes […]

gusht 7, 2024 - 00:30
 0  5
Siljanovska-Davkova nuk do ta thërrasë Këshillin e Sigurimit përkundër njohurive të Mickoskit për destabilizimin e mundshëm të shtetit
Gordana SIljanovska Davkova. Foto nga kabineti i presidentes

Presidetja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova nuk planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski se BDI mund të ndërmarrë hapa për destabilizimin e shtetit këtë vjeshtë. Kështu ka bërë të ditur për “360 Gradë” zyra e presidentes të shtetit, transmeton Portalb.mk.

Kabineti është përgjigjur shumë shkurt:

“Të nderuar, përgjigjja e pyetjes suaj është: jo.”

Ndryshe, siç thuhet në faqen zyrtare të Presidentit të Shtetit, Këshilli i Sigurisë është organi më i lartë këshillues i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i bën propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Kujtojmë se dje Mickoski tha se kanë informacione të marra nga disa kanale se kjo kryesi e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e fundit do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit.

“Sipas këtyre informacioneve, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të zbuluar më shumë detaje rreth informacioneve që ka paraqitur në intervistën e fundit për të përjavshmen “Fokus”, se sjellja e BDI-së kërcënon imazhin ndëretnik në shtet dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e shtetit.

“Ne si qeveri kemi të drejtën e plotë për të mbrojtur sovranitetin territorial, integritetin dhe paqen e qytetarëve. Ky është edhe qëllimi i një shteti. Në bazë të informacioneve që kemi, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë. Të presim që koha të japë përgjigje se a do të konfirmohen ato informata apo jo”, tha Mickoski.

Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.

Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.