Sipërfaqja e zonave më të mbrojtura të Parkut Kombëtar “Mavrovë” do të rritet
Më shumë se gjysma e sipërfaqes së Parkut Kombëtar “Mavrovë” do të jetë zonë e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa pjesa tjetër zonë e shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe zonë tampon, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk. Sipas studimit të ri të rivalorizimit, kjo është një rritje me mbi 20 për qind në pjesët të mbrojtura […]
Më shumë se gjysma e sipërfaqes së Parkut Kombëtar “Mavrovë” do të jetë zonë e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa pjesa tjetër zonë e shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe zonë tampon, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Sipas studimit të ri të rivalorizimit, kjo është një rritje me mbi 20 për qind në pjesët të mbrojtura më rreptësisht të parkut, krahasuar me të njëjtin dokument që u hartua në vitin 2012. Studimi, i cili përfundoi dhjetorin e kaluar, vendos gjithashtu kufij të rinj të jashtëm të parkut kombëtar, duke rritur sipërfaqen e tij me mbi 1000 hektarë.
Hulumtimet shkencore që u kryen për nevojat e studimit gjatë vitit të kaluar konfirmuan praninë e 14 njësi të rrëqebullit të Ballkanit, 130 arinjve, një popullatë të qëndrueshme ujqërish, si dhe një nga popullatat më të mëdha të fluturës së bakrit, një specie e rrezikuar që është në listat e kuqe nën mbrojtje të rreptë. Nga Parku Kombëtar thonë se Mavrova është një oazë për bishat e mëdha, sepse ka popullatën më të madhe të dhive të egra dhe një popullatë stabile të kaprollit, të cilët janë të rëndësishëm për ushqimin e rrëqebullit të rrezikuar.
Sipas të dhënave nga studimi, në dhjetë vitet e fundit, sipërfaqja nën pyje është rritur në parkun kombëtar nga 30.600 në 36.200 hektarë, si dhe sasia e rezervave të drurit. Këtu gjendet edhe popullata më e madhe natyrore e gështenjës së egër me një numër të madh pemësh qindravjeçare.
Nga PK “Mavrovë” thonë se janë të kënaqur me studimin e ri dhe me zgjidhjet për kufijtë dhe zonimin që ofron, por edhe për mundësitë për mbrojtjen e biodiversitetit.
“Tashmë janë bërë studimi i rivalorizimit, kërkimet shkencore për florën dhe faunën dhe studimi socio-ekonomik dhe mbetet për t’u zhvilluar Plani i Menaxhimit dhe Plani i Veprimit. Studimi u prezantua në qershor me propozim-kufijtë e jashtëm dhe propozim-zonimin. I gjithë procesi për rishpalljen e Parkut Kombëtar të Mavrovës është në fazë të avancuar dhe pas përfundimit të debateve publike, Ministria e Mjedisit do të përgatisë një projektligj”, thotë Tomo Gjorgjievski, udhëheqës i Departamentit për mbrojtje të Parkut Kombëtar.
Nga Ministria e Mjedisit bëjnë të ditur se pasi t’u dorëzohet versioni përfundimtar i studimit, do të nisin me hartimin e Projektligjit për shpalljen e Mavrovës Park Kombëtar.
Aktualisht, pas dy takimeve konsultuese publik të mbajtura me këshillin e palëve të përfshira të PK “Mavrovë” dhe me publikun e gjerë, ministria nuk ka pranuar asnjë vërejtje, sugjerim apo propozim për studimin. Nga aty thonë se analiza shkencore e vlerave natyrore nga ky dokument do të jetë bazë për Propozim-ligjin, për të cilin kur të jetë gati do të organizohet një diskutim publik.
Mavrova u shpall zonë e mbrojtur për herë të parë në vitin 1949. Ligji për Mbrojtjen e Natyrës i vitit 2005 krijoi një detyrim për të rishpallur zonat tashmë të mbrojtura, përfshirë parqet kombëtare. Studimi i parë për valorizimin e zonës së mbrojtur është bërë në vitin 2012.
Ndërkohë, për shkak të planifikimit dhe ndërtimit të një numër të madh të hidrocentraleve, organizatat e shoqërisë civile në vend po iniciojnë hapjen e një lënde para Konventës së Bernës. Në seancën e fundit Komiteti i Konventës në dhjetor të vitit të kaluar, kërkoi nga vendi që të anulojë menjëherë ndërtimin e hidrocentralit të vogël “Ribnika” në Mavrovë dhe të përshpejtojë shpalljen e Parkut Kombëtar dhe miratimin e ligjeve për mbrojtjen e ujit dhe natyrës. Rasti i iniciuar nga “Eco svest” për mbrojtjen e Mavrovës dhe lumenjve nga këto kapacitete energjetike ka një dekadë që vazhdon dhe ka rezultuar me tërheqjen e investitorëve të hidrocentraleve të vegjël Zhirovnica 5 dhe 6.
- LEXO: Mbeten hidrocentralet e vegjël në Mavrovë, Malin Sharr dhe Kozhuf, të kota rekomandimet e Konventës së Bernit
- LEXO: Komiteti i Konventës së Bernës edhe këtë vit i kërkoi RMV-së të heqë dorë nga hidrocentralet e vegjël
- LEXO: Ka mundësi juridike që të ndërpriten koncesionet për mini hidrocentralet në Mavrovë, duhet vetëm të aplikohen