Sulm kibernetik ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare,dyshime për ndërhyrje ruse dhe…

Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndodhet në qendër të një vale të gjatë sulmesh politike nga fuqitë botërore si Rusia, SHBA-të dhe Izraeli, është goditur sërish nga një sulm i sofistikuar kibernetik. Në një njoftim zyrtar, GJPN bëri me dije se në fundjavën e kaluar ka zbuluar një incident të ri të synuar të sigurisë […]

Korrik 1, 2025 - 20:00
 0  5
Sulm kibernetik ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare,dyshime për ndërhyrje ruse dhe…

Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndodhet në qendër të një vale të gjatë sulmesh politike nga fuqitë botërore si Rusia, SHBA-të dhe Izraeli, është goditur sërish nga një sulm i sofistikuar kibernetik.

Në një njoftim zyrtar, GJPN bëri me dije se në fundjavën e kaluar ka zbuluar një incident të ri të synuar të sigurisë kibernetike, të cilin e ka izoluar në kohë dhe ka nisur menjëherë masat për ta përballuar.

Ky është sulmi i dytë i këtij lloji në dy vitet e fundit ndaj institucionit, që ka në dorë ndjekjen penale të krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Gjykata nuk ka dhënë detaje se çfarë dëmi konkret është shkaktuar apo nga kush mendohet se është ndërmarrë sulmi. Megjithatë, ka nisur analiza për të vlerësuar ndikimin e incidentit dhe janë ndërmarrë hapa për të zbutur pasojat.

Në deklaratë, GJPN kërkon nga opinion publik dhe shtetet pjesëmarrëse një “mbështetje të vazhdueshme përballë sfidave të tilla”, me qëllim që të sigurohet funksionimi i saj për përmbushjen e misionit të drejtësisë ndërkombëtare.

Në fund të javës së kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale zbuloi një incident të ri, të sofistikuar dhe të synuar të sigurisë kibernetike, i cili tani është vënë nën kontroll.

Ky incident, i dyti i këtij lloji kundër GJNP-së në vitet e fundit , u zbulua, u konfirmua dhe u përmbajtur shpejt, përmes mekanizmave të alarmit dhe reagimit të Gjykatës. Po kryhet një analizë e ndikimit në të gjithë Gjykatën dhe tashmë po ndërmerren hapa për të zbutur çdo efekt të incidentit.

Gjykata e konsideron thelbësore informimin e publikut dhe Shteteve të saj Palë rreth incidenteve të tilla, si dhe përpjekjeve për t’i adresuar ato, dhe bën thirrje për mbështetje të vazhdueshme përballë sfidave të tilla.

Një mbështetje e tillë siguron aftësinë e Gjykatës për të zbatuar mandatin e saj kritik të drejtësisë dhe llogaridhënies, i cili është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha Shteteve Palë“, thuhet në njoftim.

Aktualisht, dy çështjet më delikate që ka në dorë Gjykata janë:

1.Presidenti rus Vladimir Putin, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në vitin 2023, për krime lufte lidhur me deportimin dhe zhvendosjen e paligjshme të fëmijëve ukrainas nga zonat e pushtuara në Rusi.

2.Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, të dy të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Rripin e Gazës – përfshirë përdorimin e urisë si armë lufte, sulme ndaj civilëve dhe akte çnjerëzore. Në nëntor 2024, ndaj të dyve u lëshua një urdhër arresti.

Përkundër kësaj pune të ndjeshme dhe ndikimit global, GJPN nuk gëzon mbështetje të plotë ndërkombëtare. Vetëm 124 vende kanë ratifikuar Statutin e Romës që i njeh Gjykatës juridiksionin e saj. Ndër shtetet që nuk e kanë pranuar janë fuqitë më të mëdha si: SHBA, Rusia, Izraeli, Kina, India, Turqia, Arabia Saudite, Irani, Egjipti dhe Indonezia.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj GJPN-së. Para pesë javësh, Gjykata u përball me një tjetër agresion kibernetik që e cilësoi si “përpjekje serioze për spiunazh”, me synimin për të minuar punën e saj. GJPN paralajmëroi atëherë për një fushatë të mundshme dezinformimi që do të kishte si synim diskreditimin e institucionit dhe dëmtimin e reputacionit të tij.

Në vitin 2022, autoritetet holandeze zbuluan një oficer të inteligjencës ruse, Sergey Cherkasov, i cili ishte infiltruar në GJPN nën identitetin e rremë të një stazhierit brazilian. Që nga ajo kohë, Gjykata është përballur me “sulme të përditshme e të vazhdueshme”, që sipas vëzhguesve perëndimorë, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Moskën.

Midis grupeve të dyshuara për sulmet kibernetike është edhe “Sandworm”, i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse. Nga ana tjetër, media si “The Guardian” kanë raportuar se Izraeli ka kryer një fushatë të fshehtë përgjimi dhe hakerimi ndaj GJPN që nga viti 2015, me përfshirjen e Mossad-it, Shabak-ut dhe njësisë famëkeqe 8200 të specializuar në luftë kibernetike. Megjithatë, GJPN nuk ka konfirmuar asnjë prej këtyre dyshimeve.

Në një klimë të tillë tensioni, Gjykata Penale Ndërkombëtare mbetet nën presion të vazhdueshëm, jo vetëm ligjor dhe diplomatik, por tashmë edhe teknologjik, duke e vënë në pikëpyetje sigurinë dhe aftësinë e saj për të vepruar pa u ndikuar nga fuqitë botërore që nuk pranojnë të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre.