Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presidentit Biden

Ministrat e Jashtëm nga 7 vendet më të zhvilluara të botës (G7) po takohen të hënën ndërsa vazhdojnë luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. G7 përballet me trysni të shtuar për të çuar përpara përpjekjet diplomatike për t’u dhënë fund këtyre luftrave përpara se të fillojë punën administrata e re e Shteteve të Bashkuara.

Nëntor 26, 2024 - 02:00
 0  7
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presidentit Biden
takimi-i-g7-es-ne-itali,-i-fundit-per-administraten-e-presidentit-biden

takimi-i-g7-es-ne-itali,-i-fundit-per-administraten-e-presidentit-biden

Ministrat e Jashtëm nga 7 vendet më të zhvilluara të botës (G7) po takohen të hënën ndërsa vazhdojnë luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. G7 përballet me trysni të shtuar për të çuar përpara përpjekjet diplomatike për t’u dhënë fund këtyre luftrave përpara se të fillojë punën administrata e re e Shteteve të Bashkuara.

Shpresat për ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gazë dhe Liban janë përparësia kryesore e takimit të G7-ës që po mbahet në periferi të Romës. Në takim marrin pjesë ministrat nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ditën e parë të bisedimeve dyditore të hënën, takimit do t’u bashkohen edhe ministrat nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.

“Me partnerët do të diskutohen mënyrat për të mbështetur përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gazë dhe Liban, nismat për të mbështetur popullsinë dhe nxitjen e një kuadri politik të besueshëm për stabilitet në rajon”, tha Ministria e Jashtme italiane.

Grupi i ashtuquajtur Kuinti, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Jordania, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka vazhduar punën për të finalizuar planin për Gazën e pasluftës. Ky grup përballet me trysni të shtuar për të bërë përparim përpara se administrata e zotit Trump të marrë përsipër Shtëpinë e Bardhë, në janar. Presidenti i zgjedhur Donald Trump pritet të ndjekë një politikë që favorizon fuqishëm Izraelin mbi aspiratat e palestinezëve.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani shtoi një tjetër pikë në axhendën e G7-ës, javën e kaluar, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhëra për arrestimin e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin të tij të mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit.

Italia është vend anëtar themelues i gjykatës. Në vitin 1998, në Romë, u mbajt konferenca e themelimit të GJNP-së. Por, qeveria e krahut të djathtë të Italisë ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit pas sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit. Roma gjithashtu ka ofruar ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë.

Qeveria italiane ka mbajtur një qëndrim të përmbajtur, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj për gjykatën, por duke shprehur shqetësimin se urdhër-arrestet ishin të motivuara politikisht.

“Nuk mund të vihet shenjë barazie mes përgjegjësive të shtetit të Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit”, tha kryeministrja Giorgia Meloni, duke i bërë jehonë deklaratës së Presidentit amerikan Joe Biden.

Nathalie Tocci, drejtore e Institutit për Çështjet Ndërkombëtare me seli në Romë, tha se Italia do të bëjë përpjekje të krijojë një front të bashkuar në lidhje me urdhër-arrestet e GJNP-së, të paktën midis gjashtë vendeve të G7-ës që janë anëtare të gjykatës: pra të gjithë përveç Shteteve të Bashkuara.

Por në një ese të publikuar këtë fundjavë në gazetën ‘La Stampa’, zonja Tocci paralajmëroi se ky është një veprim me rreziqe, pasi Uashingtoni kryesisht dikton politikat e G7-ës. Uashingtoni e ka cilësuar urdhërin për arrestimin e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, si “të papranueshëm”.

“Nëse Italia dhe pesë vendet e tjera të G7-ës, që janë gjithashtu anëtarë të GJNP-së, nuk janë në gjendje të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, ata jo vetëm që do ta dëmtojnë atë, por do të veprojnë kundër interesave tona”, shkroi zonja Tocci.

Pikë tjetër me rëndësi e bisedimeve të G7-ës është Ukraina ku tensionet janë rritur që kur Rusia sulmoi Ukrainën javën e kaluar me një raketë balistike hipersonike që përshkallëzoi luftën gati 33-mujore.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha pritet të marrë pjesë në takim të martën në Fiuggi. Po atë ditë NATO dhe Ukraina do të mbajnë bisedime urgjente në Bruksel.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmi ishte hakmarrje për përdorimin nga Kievi të raketave me rreze më të gjatë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, të afta për të goditur thellë brenda territorit rus.

Grupi i 7 vendeve më të zhvilluara të botës kryeson me ndihmat ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022. Anëtarët e G7-ës janë veçanërisht të shqetësuar se si administrata e re e Presidentit Trump do të ndryshojë qasjen amerikane.

Presidenti i zgjedhur Trump ka kritikuar miliarda dollarët që administrata e Presidentit Biden ka miratuar për Ukrainën dhe ka thënë se ai mund t’i japë fund luftës brenda 24 orësh. Këto komente duket se sugjerojnë se ai do të ushtronte trysni ndaj Ukrainës për të dorëzuar territorin që Rusia e ka tani nën kontroll.

Italia është një mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe ka mbështetur vendimin amerikan për të lejuar Ukrainën të godasë Rusinë me raketa me rreze më të gjatë. Por, Italia ka përmendur si argument kushtetuten e vendit që nuk i lejon Romës t’i sigurojë Ukrainës armatim për të goditur brenda Rusisë. Italia i ka dërguar Kievit sistemet e mbrojtjes kundërajrore për të mbrojtur civilët ukrainas.

Takimi i ministrave të jashtëm të G7-ës, i dyti gjatë presidencës italiane pas atij që u mbajt në Capri në muajin prill, po mbahet në qytetin mesjetar Fiuggi, në juglindje të Romës, i njohur për llixhat e tij termale.

Të hënën, që përkon me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ministrat do të marrin pjesë në inaugurimin e një stoli të kuq që synon të simbolizojë vëmendjen e përqëndruar të Italisë në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

Gjatë fundjavës, dhjetëra mijëra vetë marshuan në Romë për të protestuar ndaj dhunës me bazë gjinore. Në Itali, deri më tani gjatë këtij viti, janë vrarë 99 gra, sipas një raporti që u publikua javën e kaluar nga organizata jo qeveritare “Eures”. /VOA