Të gjithë personat në Koçan që duhej të kishin dijeni për “Puls”-in e egër të qytetit
Njerëzit në pozita të rëndësishme në Koçan gjatë 12 viteve që kur ekziston diskoteka “Puls” duhet ta kenë ditur se ajo ishte një “fuçi baruti” dhe se funksiononte në mënyrë ilegale. Deputetët nga pozita e opozita, kryeshefi i policisë, prokurori publik në Koçan, kryetari i gjykatës lokale, kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit komunal […]


Njerëzit në pozita të rëndësishme në Koçan gjatë 12 viteve që kur ekziston diskoteka “Puls” duhet ta kenë ditur se ajo ishte një “fuçi baruti” dhe se funksiononte në mënyrë ilegale. Deputetët nga pozita e opozita, kryeshefi i policisë, prokurori publik në Koçan, kryetari i gjykatës lokale, kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit komunal kanë qenë anëtarë të Këshillit Lokal për Parandalim përgjegjës për rritjen e nivelit të sigurisë së qytetarëve të Koçanit. Disa prej tyre as që e dinë se janë anëtarë, të tjerë nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në mbledhjet e këtij Këshilli, ndërsa një pjesë e tyre thonë se e gjithë kjo është “pro-forma”, shkruan IRL.
Edhe krahas raporteve dhe rekomandimeve që ministrat i kamë marrë për vetëqeverisjen lokale, për më shumë se një dekadë askush nuk është përkujdesur që këshillat vullnetare lokale për parandalim t’i rregullojë me ligj, veçanërisht ato që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me cilësinë e jetës së qytetarëve në jetën e tyre të përditshme.
Kanë qenë anëtarë të Këshillave Lokale për Parandalim, për të cilat nuk e kanë ditur se ekzistojnë
Vitet e fundit pushteti lokal në Komunën e Koçanit ka pasur mundësi që përmes mekanizmave të shumtë ta parandalojë rrezikimin e sigurisë dhe jetës së qytetarëve nëse do e kishte bërë me seriozitet punën përmes Këshillit Lokal për Parandalim, të cilin e ka formuar shumë vite më parë në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Ky Këshill ka për qëllim t’i zbulojë rreziqet e mundshme për qytetarët lokalë, duke përfshirë edhe ato ndaj sigurisë së tyre.
Ai ka pasur për detyrë t’i analizojë çështjet shqetësuese nga aspekti i sigurisë.
IRL kontaktoi me disa nga anëtarët e këtij këshilli në Koçan, por disa prej tyre as që e dinin se janë anëtarë të tij.
Sipas informacioneve që i kemi marrë, gjithçka ka filluar në vitin 2002 kur me propozimin e OSBE-së në pjesën më të madhe të komunave u krijuan të ashtuquajturit Këshilla Lokale për Parandalim (KLP).
Komunat nuk kanë detyrim ligjor që të formojnë një këshill të tillë, por këtë e bëjnë vetëm nëse dëshirojnë. Por, nga gjithsej 80 komunat në Maqedoni, rreth 50 prej tyre në të kaluarën kanë formuar një këshill të tillë për identifikimin e rreziqeve me të cilat mund të përballen qytetarët. Në mesin e këtyre komunave ka qenë edhe komuna e Koçanit.
Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNjVL) për IRL sqaruan se nga këto 50 komuna, në rreth 30 komuna këshillat e këtillë janë aktivë, ndërsa në 20 komuna të tjera ekzistojnë formalisht dhe nuk funksionojnë.
Këshillat për parandalim mund të japin vetëm këshilla. Praktikë e zakonshme është që në krye të Këshillit të jetë kryetari i komunës, pastaj të ketë përfaqësues nga policia, nga Këshilli komunal, administrata, arsimi, shërbimet sociale, shëndetësia, madje edhe nga komunitetet fetare lokale, organizatat joqeveritare, ekonomia dhe subjekte të tjera.
“Këshilli komunal sjell vendim për themelimin e Këshillit Lokal për Parandalim si organ këshilldhënës dhe koordinativ me qëllim të realizimit të bashkëpunimit dhe përforcimit të ndikimit të publikut në punën e policisë me qëllim përpilimin e rekomandimeve të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë publike në zonën e komunës dhe qytetit të Shkupit, ndërtimin e marrëdhënieve të besimit dhe partneritetit për parandalimin e dukurive që ndikojnë në sigurinë”, thanë nga BNjVL për IRL.
Siguria ka qenë një prioritet kyç për autoritetet në Koçan, por vetëm në letër
Ngritja e nivelit të sigurisë dhe cilësisë së jetës në komunitet është një nga prioritetet kryesore të Këshillit Lokal për Parandalim. Përbërja e fundit e KLP-së në Komunën e Koçanit është konstituuar 15 muaj më parë, pra më 15 dhjetor të vitit 2023.
Sipas disa anëtarëve aktualë ky Këshill në Koçan është formuar që në kohën kur në krye të komunës për dy mandate ka qenë kryetari Ljubomir Janev nga LSDM-ja (2000-2002 dhe 2005-2009).
Mirëpo, disa nga anëtarët aktualë të Këshillit emrat e të cilëve figurojnë në uebfaqen e Komunës, as që kanë dëgjuar për një gjë të tillë dhe as që kanë marrë pjesë në ndonjë seancë të KLP-së.
Disa të tjerë që kanë marrë pjesë në këto takime thonë se në to kanë biseduar për problemet me deponinë në Koçan, për përballjen me zjarret. Por, nuk u kujtohet nëse ndonjëherë kanë diskutuar edhe për diskotekën e vdekjes. Ata nuk mund as të konfirmojnë nëse ndonjëherë shefat e policisë, gjykatësit, prokurorët, kryetari i komunës apo punonjësit në komunë kanë shprehur dyshimin se “Puls” ka funksionuar në mënyrë të paligjshme, duke pasur parasysh se në vitin 2024 nuk kanë paguar një pjesë të tarifës për licencën (50%) që duhet të përfundojë në buxhetin e komunës.
Sipas të dhënave në uebfaqen e Komunës në Këshillin Lokal për Parandalim në Koçan anëtarë janë edhe deputetët Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE dhe Marija Angellovsa nga LSDM. Angellovska ishte deputete deri vitin e kaluar, ndërsa kryshefi i policisë dhe kryetari i gjykatës u shkarkuan nga posti pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet vitin e kaluar. Përveç organit themeloror, ka edhe grup të dytë dhe të tretë të punës që janë të përbërë nga këshilltarë në komunë inspektorë, zjarrfikës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Gjatë kësaj jave IRL në mënyrë elektronike iu drejtua me disa pyetje kryetarit të Komunës së Koçanit, policisë dhe prokurorisë. Nuk morën asnjë përgjigje. Pas kësaj kontaktuam disa nga anëtarët e KLP-së.
Deputeti Mile Lefkov fillimisht tha se ka qenë anëtar i Këshillit gjatë pandemisë së COVID-19 dhe krizës energjetike. Pastaj tha se ka qenë i ftuar në seancën konstituive të KLP-së, por se nuk kishte shkuar sepse atë ditë kishte pasur punë në Kuvend.
“Kam marrë pjesë në takime për problemet me deponinë”, tha deputeti aktual i VMRO-DPMNE-së.
Ish kolegia e tij, Marija Angellovska nga LSDM, e cila ka qenë deputete në periudhën 2020-2024, u habit që po e lidhim me KLP-në, edhe pse emri i saj ende figuron në uebfaqen e komunës. “Gjithçka është vetëm në letër”, na tha ajo.
Edhe gjykatësja Suzana Milevska, e cila është ish-kryetare e gjykatës në Koçan, na tha se asnjëherë nuk kishte dëgjuar për një këshill të tillë, e as që e kishin njoftuar se ishte anëtare në të.
“Për herë të parë e dëgjoj këtë nga ju. Nuk kam komunikuar me këtë kryetar komune. Do të ishte mirë që ai organ të funksiononte sepse kemi probleme edhe me komunikimin edhe me mënyrën në të cilën veprojnë zyrtarët”, na u përgjigj Milevska.
Janë kërkuar inspektime të shpeshta të objekteve hotelierike.
Në ueb faqen e Komunës së Koçanit ka tre lajme që kanë të bëjnë me punën e këtij Këshilli. Komuna ka publikuar edhe një broshurë në të cilën është i shpjeguar në detaje roli i KLP-së.
Ata janë takuar për të diskutuar problemet me deponitë, janë dhënë rekomandime për mbrojtje nga zjarri dhe në një seancë të mbajtur në janar të vitit të kaluar, inspektorëve iu është kërkuar që “të inspektonin më shpesh objektet hotelierike”.
Zhaklina Panovska-Angellkoviq, punonjëse e Komunës dhe anëtare e grupit të dytë të punës të Këshillit Lokal për Parandalim, për IRL se tha për diskotekën e djegur kanë folur vetëm në kontekst të parkingut.
“Nuk mund t’ju them gjë për këtë diskotekë, atë dimërore, nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam qenë prezente, kemi diskutuar vetëm për një gjë, sepse “Stokomak”-u e rregulloi parkingun, e kemi përmendur se pas mbylljes së marketit, parkingu do të përdoret edhe për diskotekën”, tha ajo.
Hulumtim për (mos)funksionimin e Këshillave Lokale për Parandalim
Në muajin tetor të vitit 2023, Qendra për Strategji Evropiane EUROTHINK me mbështetjen e Ambasadës Amerikane i publikoi rezultatet e një studimi lidhur me funksionimin e Këshillave Lokale për Parandalimi nëpër komuna.
Ata hulumtuan nëse dhe sa punojnë ato. Këtë e bënë nëpërmjet tre komunave të përzgjedhura: Kisella Voda, Gostivar dhe Strumicë, ndërsa gatishmëri për bashkëpunim në hulumtim shprehën 34 komuna.
Në raportin të cilin e siguroi IRL mund të lexohet se këshillat kanë qenë jofunksionale.
“Edhe krahas përpjekjeve shumëvjeçare për themelimin e KLP-ve në komuna, koncepti është ende në margjinat e aktiviteteve të pushtetit lokal dhe interesi për zhvillimin e tij është i ulët”, thuhet në dokument.
Por, edhe pse është konstatuar mungesë e interesit tek komunat, ekipi i projektit ka theksuar se Këshillat Lokale për Parandalim përfaqësojnë një mjet kyç në zinxhirin e mekanizmave për menaxhimin efektiv të problemeve lokale, përfshirë këtu edhe sigurinë.
Hulumtimi identifikoi më shumë mangësi në funksionimin e këshillave lokale:
Ekipi i projektit në analizën e tij ka arritur në përfundimin se pengesa kryesore për funksionimin e Këshillave Lokale për Parandalim është funksionimi i tyre mbi bazë vullnetare. Prandaj, është rekomanduar që formimi dhe funksionimi aktiv i këtyre këshillave të rregullohej si detyrim, e jo thjesht si një mundësi.
“Kjo do të rregullohej më lehtë dhe më shpejt nëpërmjet ndërhyrjes në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, konstatohet në analizë.
“Puls”-in me licencë të falsifikuar e kanë toleruar të gjitha autoritetet
Vetëm pas tragjedisë në Koçan u konstatua se diskoteka e vetme, e njohur në Koçan si diskoteka dimërore, nuk kishte licencë zyrtare, por funksiononte me një të falsifikuar. Kabareja, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, funksionon që nga viti 2012 dhe sipas regjistrit në 13 vitet e fundit licencë ka pasur vetëm në vitin 2021 dhe vitin 2023.
Kjo tregon se të gjithë kanë mbyllur sytë para lëshimeve – pushteti qendror dhe lokal, policia, inspektorët, ndërsa kabareja ka funksionuar pa probleme, sepse ka pasur mbështetjen e të gjitha strukturave që duhej ta kontrollonin, ndëshkonin ose përcaktonin se kishin vite që vepronte ilegalisht dhe që duhej ta mbyllnin atë.
Në zjarrin që shpërtheu në mëngjesin e 16 marsit jetën e humbën 59 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Nga të lënduarit, 178 po trajtohen në spital. Prej tyre, 101 po trajtohen në klinika në mbarë Evropën, kryesisht në Serbi, Bullgari dhe Greqinë fqinje. Në klinikat shtetërore në Maqedoni po trajtohen 64 pacientë, ndërsa në klinikat private 13.
Mosha e të vdekurve sillet nga nga 16 deri në 48 vjet.
Pas zjarrit ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se diskoteka “Puls” në Koçan ka funksionuar me leje të falsifikuar, madje nuk ka pasur as pëlqim të vlefshëm të lëshuar nga MPB-ja se objekti i plotëson kushtet për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurisë në komunikacion. Objekti është i regjistruar për industri të lehtë dhe asnjëherë nuk ka marrë leje për objekt hotelierie.
Ekipi i përbërë nga nëntë prokurorë i udhëhequr nga prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski, konstatoi se në “diskotekë” nuk ka pasur hidrant funksional, ka pasur vetëm dy aparate për shuarjen e zjarrit, nuk ka pasyr dy dyer për dalje të parapara për evakuim dhe nuk ka pasur as qasje në objekt për makinat zjarrfikëse nga të dy anët e rrugës. Të gjitha këto janë elemente të Rregullores për masat kundër zjarrit të miratuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Kartoni i gipsit me të cilin ka qenë e mbuluar pjesa e brendshme nuk ka qenë rezistent ndaj zjarrit, si dhe as tavani dhe as dera. Diskoteka nuk ka pasur as sistem njoftimi për zjarrin. Materialet piroteknike janë përdorur ilegalisht për lartësinë e objektit pa lejen e duhur.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer më 20 mars.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Koçan u ka caktuar paraburgim 30-ditor 24 nga gjithsej 27 të dyshuarve të përfshirë në hetimin për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, mes tyre ka persona zyrtar. Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.