Tragjedia në klubin në Bukuresht, shembull se përgjegjësia është edhe politike dhe jo vetëm penale

Tragjedia e Koçanit, ku në një klub nate humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 196 të tjerë, ngjason shumë me zjarrin në diskotekën “Kolektiv” në Bukuresht të Rumanisë, që ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2015, ku si pasojë e një zjarri humbln jetën 64 njerëz dhe 146 kishin rezultuar të plagosur, shkruan […]

Mars 23, 2025 - 11:00
 0  5
Tragjedia në klubin në Bukuresht, shembull se përgjegjësia është edhe politike dhe jo vetëm penale
18.03.25 Protesta në Shkup për tragjedinë e zjarrit në Koçan. Foto nga Fisnik Xhelili Portalb.mk

Tragjedia e Koçanit, ku në një klub nate humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 196 të tjerë, ngjason shumë me zjarrin në diskotekën “Kolektiv” në Bukuresht të Rumanisë, që ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2015, ku si pasojë e një zjarri humbln jetën 64 njerëz dhe 146 kishin rezultuar të plagosur, shkruan Portalb.mk.

Screenshot nga zjarri në klubin Kolektiv, Bukuresht video në Youtube nga Morbid Midnight
Screenshot nga zjarri në klubin Kolektiv, Bukuresht video në Youtube nga Morbid Midnight

Ngjajshëm si në Koçani, edhe në Bukuresht zjarri kishte nisur nga mjetet piroteknike. Tragjedia kishte nxitur revoltë që kishin mbushur rrugët e Bukureshtit. Për shkak të korrupsionit dhe ngjarjes tragjike rrugët ishin vërshurar nga rreth 20 mijë protestues të shumtë, nën brohoritjet: “Vrasës!”, “Turp të keni!”…

Protesta “dridhi” ulësen e kryeministrit të atëhershëm Viktor Ponta, i cili vetëm një ditë pas protestave dha dorëheqje.

“Po e dorëzoj mandatin. Po jap dorëheqjen, që do të thotë se, edhe qeveria ime po bën të njëjtën gjë. Unë mund të bëj vetëm beteja politike, por jo kundër popullit. Ky do të ishte një gabim i madh dhe do ta pësonin të gjithë”, pat thënë kryeministri i atëhershëm Ponta.

Dorëheqja e tij ishte përkrahur edhe nga krerë tjerë shtetëror, në paraqitje publike, presidenti rumun Klaus Johanis kishte deklaruar:

“Populli ka të drejtë. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë politike për këtë. Politikanët nuk mund ta injorojnë këtë valë revolte.”

Parlamenti rumun pas dorëheqjes së kryeministrit Ponta kishte miratuar qeveri teknokrate.

Kryetari i qytetit të Bukureshtit Kristijan Popesku Piedone mori dënim me katër vjet burg për lejimin e klubit të natës të funksiononte pavarësisht se nuk përmbushte standardet e nevojshme të sigurisë. Piedone ishte dënuar fillimisht në shkallën e parë me tetë vjet e gjashtë muaj burg, por dënimi i tij ishte ulur nga Gjykata e Apelit të Bukureshtit. Disa ditë para dënimit, ai u arrestua nga policia në aeroportin e Bukureshtit dhe u ndalua të largohej nga vendi.

Të dyshuarit e tjerë të burgosur në Bukuresht përfshinin tre pronarët e klubit të natës, një piroteknik dhe dy zyrtarë që kishin lëshuar leje për “Kolektiv”.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer  më 20 mars.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Koçan u ka caktuar paraburgim 30-ditor 24 nga gjithsej 27 të dyshuarve të përfshirë në hetimin për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, mes tyre ka persona zyrtar. Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.