Të ‘parët’ shijuan kinemanë në Gostivar, rinia sot filmat i shikon nga shtëpia
Ndonëse nga vitet 1950-ta deri në fillim të viteve 1990 Gostivari kishte kinema, sot kjo për shumëkënd ka mbetur vetëm një kujtim i bukur. Gjeneratat e reja në Gostivar nuk e dinë se si është të kesh kinema në qytet, filmat i shohin nga interneti dhe me raste shkojnë në Shkup. Të anketuar nga Portalb.mk […]
Ndonëse nga vitet 1950-ta deri në fillim të viteve 1990 Gostivari kishte kinema, sot kjo për shumëkënd ka mbetur vetëm një kujtim i bukur. Gjeneratat e reja në Gostivar nuk e dinë se si është të kesh kinema në qytet, filmat i shohin nga interneti dhe me raste shkojnë në Shkup. Të anketuar nga Portalb.mk gostivarasit u shprehën se qyteti ka nevojë për kinema e cila do të avanconte jetën kulturore në këtë qytet.
Qytetarët e Gostivarit kërkojnë kinema, duan që të kenë një vend ku mund të shohin filma.
Për Ajnure S. kinemaja është shumë e nevojshme në Gostivar.
“Fundjavën si zakonisht e kaloj jashtë qytetit. Mos ekzistenca e një kinemaje në qytet më bën të ndjehem më e varfër (në aspektin kulturor) në krahasim me bashkëmoshatarët e mijë që banojnë në qytetet ku ka kinema”, tha Ajnure.S.
Ngjashëm mendon edhe Jusra A.
“Fundjavën e kaloj më shumë në Mavrovë, pa kinema ndjehem shumë keq, mendoj se është e nevojshme që një herë në muaj ta kalojmë ditën në kinema”, u shpreh Jusra.A.
Kinemaja duhet edhe për fëmijët, pasi ajo zhvillon mendimin kritik dhe nxit imagjinatën. Kështu thotë Zumera A, pronare e një qendre për fëmijë në Gostivar.
“Është e nevojshme të ketë kinema. Kam qendër fëmijësh do ishte mirë që qyteti të ketë kinema për të bërë aktivitet të tillë edhe me të vegjlit tonë”, u shpreh Zumera A.
Një qytetare tjetër thotë se kinemaja do shërbente edhe për pleqtë si një vend ku ata mund ta kalojnë kohën.
“Për pleqtë është mirë të ketë kinema që të kenë vend ku ta kalojnë kohën. Mendimi im është ky pasi që pleqtë s’kanë ku të argëtohen”, tha Hamijet.R.
Valon O. thotë se kinemaja duhet pasi shumë të rinj i ndjekin premierat nëpër kinema.
“Pse mos te kemi edhe ne njëjte? Realisht më pëlqen të ndjek ndonjë film të mirë në kinema, sidomos nëse ka premiera të mira. Ndjehem ndoshta keq kur nuk mundem të udhëtoj deri në Shkup për të pa ndonjë film që dua, prandaj nëse do të kishim një kinema në qytetin tonë do t’i shërbente shumë vendit dhe qytetarëve”, tha Valon.O.
Ndërsa një qytetare tjetër na tha se Gostivari nuk ka nevojë për kinema.
“Ka pasur kinema, mirëpo nuk shkonte askush prandaj s’kemi nevojë sepse s’ka ngelur rini. Pleqtë nuk dalin nëpër kinema, ne rinisa (pakica) për kinema kur kemi dalim e shkojmë jashtë Gostivarit, kështu që nuk kemi nevojë”, tha Hirmize. Z.
Gostivari në vitet 1950 pas Shkupit ishte i vetmi qytet në Maqedoninë e Veriut që kishte kinema, me repertor të pasur dhe të larmishëm të filmave artistikë të të gjithë zhanreve, ku qytetarët kishin mundësi të shihnin filmat botëror vetëm pak ditë pas premierave,.
Kinemaja “Kultura”, siç raportoi Novamakedonija ishte në pronësi të vëllezërve Gjorgi dhe Zage Venovski nga Galiçniku, të cilët me paratë e fituara me kurbet e blenë objektin që gjendej në qendër të Gostivarit, afër sheshit të qytetit.
Me Ligjin për nacionalizimin u shtetëzua objekti i vëllezërve Venovski në të cilin ishte kinemaja, dy banesa dhe rreth një mijë metra katrorë oborr. Por, me miratimin e Ligjit për denacionalizim në fillim të viteve 1990, kinemaja iu kthye pronarëve të saj. Pronarët e rinj ndërtuan hapësirë afariste-banesore, e cila fatkeqësisht i dha fund historisë më shumë se gjysmë shekulli të kinemasë ikonike të Gostivarit “Kultura”.