Të shtënat afër KFC në Prishtinë, këta janë të dyshuarit që u arrestuan – policia sekuestron edhe një kallashnikov
Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive lidhur me rastin e të shtënave me armë zjarri që ndodhën më 13 shtator në rrugën “Woodrow Wilson” në Prishtinë, pranë objektit të KFC-së. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se si të dyshuar për këtë rast janë identifikuar dhe arrestuar: Jetmir Baftiu rreth 24-vjeçar, Ardit Kelmendi rreth 24-vjeçar, […]


Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive lidhur me rastin e të shtënave me armë zjarri që ndodhën më 13 shtator në rrugën “Woodrow Wilson” në Prishtinë, pranë objektit të KFC-së.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se si të dyshuar për këtë rast janë identifikuar dhe arrestuar: Jetmir Baftiu rreth 24-vjeçar, Ardit Kelmendi rreth 24-vjeçar, Hyzri Avdyli rreth 46-vjeçar, Shkëlqim Kastrati rreth 29-vjeçar, Arlind Tullari rreth 28-vjeçar.
Sipas informacioneve, fillimisht në ditët pas incidentit janë arrestuar Shkëlqim Kastrati dhe Arlind Tullari, ndërsa më 18 shtator, gjatë një operacioni policor, u arrestuan edhe Jetmir Baftiu, Ardit Kelmendi dhe Hyzri Avdyli.
Hetimet kanë zbuluar se kjo ngjarje lidhet edhe me një incident tjetër të ndodhur më herët atë ditë, rreth orës 01:00, kur ishte shtënë me armë në drejtim të veturës së Arlind Tullarit pranë shtëpisë së tij – rast i cili nuk ishte raportuar në Polici dhe u kualifikua si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Gjatë aksioneve, tek Ardit Kelmendi është gjetur një armë e shkurtë, ndërsa në shtëpinë e Hyzri Avdylit është sekuestruar një armë e gjatë – AK-47 (kallashnikov).
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
