Testimi TIMSS: Nxënësit nga RMV-ja në matematikë janë në vendin 44 kurse në shkencat natyrore në vendin e 47

Nga 58 vende, nxënësit e Maqedonisë së Veriut në matematikë janë në vendin e 44-të. Në shkenca natyrore jemi tre vende më poshtë, gjegjësisht në vendin e 47-të. Këto janë rezultatet e testimit  të fundit ndërkombëtar TIMSS që u realizua në vitin 2023, për herë të pestë në vendin tonë. U testuan nxënësit e klasës […]

dhjetor 4, 2024 - 20:00
 0  3
Testimi TIMSS: Nxënësit nga RMV-ja në matematikë janë në vendin 44 kurse në shkencat natyrore në vendin e 47
Shkollë, klasë, arsim, mësim, nxënës, provim

Nga 58 vende, nxënësit e Maqedonisë së Veriut në matematikë janë në vendin e 44-të. Në shkenca natyrore jemi tre vende më poshtë, gjegjësisht në vendin e 47-të. Këto janë rezultatet e testimit  të fundit ndërkombëtar TIMSS që u realizua në vitin 2023, për herë të pestë në vendin tonë. U testuan nxënësit e klasës së katërt, në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe dhe për herë të parë në mënyrë elektronike, transmeton Portalb.mk.

“Edhe ky studim krahasues ndërkombëtar tregoi se sistemi ynë edukativo-arsimor ka nevojë për ndryshime të mëdha, në mënyrë që nxënësit tanë të përmirësojnë njohuritë e tyre. Prandaj,  veprojmë në të gjitha segmentet e arsimit, duke filluar nga arsimi fillor gradualisht dhe në konsultim me të gjitha palët e interesuara”, thonë nga MASh.

Nga MASH shtojnë se kanë paralajmëruar dhe në një numër  të madh të shkollave po realizojnë  qëndrimin e zgjatur në shkollë, si mundësi për më shumë aktivitete mësimore  dhe jashtë mësimore  përvetësim më të mirë të materialit, përvetësim të aftësive të reja, zhvillim interesash.

“Nëpërmjet procesit të optimizimit, ndërtojmë  rrjet efikas shkollor që do të çojë në suksesin më të mirë të nxënësve me përdorimin racional të burimeve.  Po reformojmë arsimin e mesëm -gjimnaz , po zgjerojmë konceptin e arsimit dual si dhe po zhvillojmë qendra të reja rajonale për arsim profesional dhe trajnim. Mësimdhënësit vazhdojnë me trajnime serioze, sepse ata janë themeli i të gjithë sistemit edukativo-arsimor.Përmirësimi i rezultateve të shtetit në testimet ndërkombëtare do të vijë vetëm si rezultat i  përmirësimi real të cilësisë i të gjithë sistemit edukativo-arsimor dhe jemi duke punuar vazhdimisht për këtë”, shtojnë nga MASh.

TIMSS (Trends International Mathematics and Science Study) është studim ndërkombëtar në të cilin maten arritjet e nxënësve në matematikë dhe në grupin e lëndëve natyrore (shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji), si dhe faktorët të cilët ndikojnë në ato arritje.

Në nivel ndërkombëtar, Singapori mban vendin e parë në matematikë poashtu edhe në shkencë.

Sipas rezultateve të fundit të testimit PISA, nxënësit nga Maqedonia sërish u gjendën kah fundi i gjithsej tetëdhjetë vendeve në këtë listë. Nga gjithsej 81 shtete që ishin pjesë e testimit, sipas rezultateve të matematikës, me 389 pikë Maqedonia u gjend në vendin e 61-të. Sa i përket matjes së shkrim-leximit gjuhësor, pra leximit me kuptim, me 359 pikë vendi u rendit në vendin e 71-të. Në shkencat natyrore nxënësit tanë fituan 380 pikë, me çka vendi u rendit në vendin e 68-të. Sipas arritjeve në lëndën e matematikës, nxënësit  tanë për nga njohuritë janë afër me nxënësit në Tajlandë, Peru, Arabinë Saudite, Kosta Rika. Sa i përket leximit me kuptim jemi njësoj si Indonezia dhe Shqipëria, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë fituan pothuajse të njëjtin numër pikësh si ata nga Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Shqipëria.