U desht të ndodhë tragjedia që të mbyllen 13 diskoteka për mosplotësim të kushteve
Inspektorati Shtetëror i Tregut në Maqedoninë e Veriut ka kryer 82 kontrolle në diskoteka dhe lokale nate, ku janë identifikuar shumë parregullsi. Një ditë pas tragjedisë u kry aksion i The post U desht të ndodhë tragjedia që të mbyllen 13 diskoteka për mosplotësim të kushteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Inspektorati Shtetëror i Tregut në Maqedoninë e Veriut ka kryer 82 kontrolle në diskoteka dhe lokale nate, ku janë identifikuar shumë parregullsi. Një ditë pas tragjedisë u kry aksion i ashpër dhe gjithëpërfshirës në territorin e të gjithë shtetit. Në shënjestër janë objektet gastronomike, klubet e natës, diskotekat, kabaretë. Janë kryer kontrolle në mbi 50 objekte, ndërsa shumë prej tyre nuk plotësojnë kushtet. Nga 50 lokale të natës të inspektuara, vetëm 22 kishin licenca të vlefshme.
Aksionet vazhduan, së fundmi, nga 23 objekte të licencuara, 13 prej tyre nuk plotësojnë kushtet teknike dhe mund të humbin licencat. Po ashtu, 5 objekte kishin licenca të skaduara.
“Nga 41 të tjerat, 30 prej tyre kishin parregullsi në bazë të ligjit për aktivitetet hotelierike. Janë lëshuar 28 vendime për kundërvajtje dhe dy mbyllje për tejkalim të orarit të punës, që nënkupton edhe gjobë”, tha zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Inspektimet vazhdojnë me një hetim të gjerë, në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore.
Tragjedia zgjoi nga gjumi institucionet. Institucionet kompetente shtrinë kontrollet në më tepër drejtime.
Pesëmbëdhjetë për qind e firmave private që kanë licenca për ndërtim, projektim dhe mbikëqyrje të ndërtimeve të kategorisë A dhe B nuk i plotësojnë kushtet për punë dhe licenca u është hequr. Këtë e njoftoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Ai tha se ditët e fundit Ministria ka kryer kontroll të licencave të lëshuara, në përputhje me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Planifikim Urbanistik.
“Nga gjithsej 1.100 licenca të lëshuara, deri më tani janë kontrolluar 643 nga to, tek 97 licenca ose mbi 15 për qind është konstatuar se personat juridikë, pasi kanë marrë licencat, kanë pushuar së plotësuari kushtet ligjore mbi bazën e të cilave i kanë marrë ato…Kjo do të thotë se në momentin e aplikimit i plotësonin kushtet, por më pas nuk i respektonin më. Për këtë arsye do të merren masa për revokimin e licencave: 13 personave juridikë do t’u hiqet licenca për ndërtues të kategorisë A, 34 të tjerëve për ndërtues të kategorisë B, dy kompanive për mbikëqyrje të ndërtimeve të kategorisë A, gjashtë për mbikëqyrje të kategorisë B, tre firmave për projektim të ndërtimeve të kategorisë A, 20 të tjerave për projektim të kategorisë B, dy personave juridikë për rishikim të dokumentacionit të projektit të kategorisë B, një personi juridik për menaxhim dhe mirëmbajtje të objekteve, si dhe 16 kompanive të planifikimit urban për hartimin e PDU-ve”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Nikolloski tha se ligjet ekzistuese nuk janë të mira dhe përmbajnë paqartësi, prandaj do të pasojnë ndryshime ligjore. Në të ardhmen, licencat do të duhet të kontrollohen çdo 6 muaj.
Lidhur me diskotekën “Puls” në Koçan, Nikolloski tha se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka kompetencë, pasi bëhet fjalë për një objekt të kategorisë B, ndërsa sipas ligjit për decentralizim, Ministria ka kompetencë vetëm për objektet e kategorisë A.
“Objekti është ndërtuar në vitin 1999, sipas një plani urbanistik të Komunës së Koçanit,…1është ndërtuar si industri e lehtë jondotëse dhe është përdorur si fabrikë tekstili dhe magazinë. Më pas, është shtuar një pjesë prej 50 metrash katrorë, e cila në vitin 2011 u legalizua si ndërtim pa leje dhe iu bashkua objektit ekzistues. Nga aspekti i planifikimit urbanistik, procedurat janë respektuar. Problemi lind kur fillon përshtatja dhe rikonstruksioni i brendshëm pa asnjë miratim nga askush. Për më tepër, është vendosur një vulë që vërteton përmbushjen e kushteve nga një subjekt juridik, i cili ose nuk e ka parë gjendjen reale ose e ka injoruar atë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Ndërkohë ka vazhduar edhe më tej kontrolli i objekteve gastronomike, gjatë ditës së djeshme nga 82 kontrolle të bëra, është konstatuar se 13 objekte gastronomike nuk i plotësojnë kushtet minimale për operim. Siç ka njoftuar zëdhënësja e Qeverisë, këtyre subjekteve juridike do t’u merren licencat dhe do të kenë ndalesa për kryerjen e veprimtarisë.
Gjatë një aksioni policor në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë mbyllur dy objekte hotelerie nga 16 sa ishin kontrolluar. Nga MPB thonë se në bashkëpunim edhe me policinë financiare, Inspektoratin Shtetëror të tregut dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë kryer kontrolle për shkatërrimin e aktiviteteve kriminale në objekte hotelierike, tregtinë me drogë, ndërmjetësimin për prostitucion, larje parash dhe vepra të tjera penale korruptive
“Janë kryer kontrolle në 16 objekte hotelierike, 10 në Tetovë dhe 6 në Gostivar, tek të cilët janë konstatuar një sërë parregullsish dhe nga ana e Inspektoratit të Tregut dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, do u shqiptohen kallëzime adekuate penale, derisa nga ana e Inspektoratit, janë mbyllur dy objekte në Tetovë”, thonë nga MPB.
Këto kontrolle janë vazhdimësi i aksioneve policore, pas tragjedisë në Koçan me 59 viktima ku u konstatua se i njëjti ka funksionuar me licencë të falsifikuar.
Gjatë ditës së djeshme, Qeveria njoftoi se nga 12 objektet tek të cilat janë kryer kontrolle e të cilat kanë pasur licenca aktive, tre prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet minimale teknike për të operuar dhe të njëjtave do u hiqen licencat. Përpos kësaj, kundër tyre do të shqiptohen edhe gjoba.
Nga Qeveria njoftuan se në terren janë mbi dhjetë ekipe ndërsa do të kontrollohen edhe subjekte që nuk kanë licencë të vlefshme, por që kanë operuar në të kaluarën. Deri tani janë kryer kontrolle në më tepër se 60 objekte ndërsa shumica e tyre nuk plotësojnë kushtet për funksionim.
Nga lista që publikoi dje ministria e ekonomisë, nga 215 klube nate, licenca të vlefshëm kanë vetëm 22 prej tyre.
Edhe Drejtoria e Policisë Financiare është përfshirë aktivisht në aksionin për inspektimin e funksionimit të ambienteve që operojnë si kabare, disko dhe klube nate në të gjithë vendin dhe po vepron në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
Nga atje thonë se të gjitha kapacitetet e Drejtorisë së Policisë Financiare janë vënë në dispozicion për nevojat e këtij aksioni, i cili synon zbardhjen e parregullsive dhe aktiviteteve të mundshme të paligjshme në funksionimin e këtyre objekteve.
“Aksioni fokusohet në identifikimin e mashtrimeve financiare, evazionit fiskal, operacioneve të paligjshme dhe parregullsive të tjera në operacionet financiare të objekteve. Paralelisht me këtë, autoritetet hetimore janë fokusuar në zbardhjen e të gjitha aspekteve që mund të çojnë në sanksione ndaj atyre që nuk respektojnë ligjet dhe rregulloret”, thonë nga Policia Financiare.
Tragjedia e fundit në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj dhe mbetën të lënduar mbi 155 të tjerë, ka hapur shumë diskutime për atë se sa të sigurta janë objektet në vendin tonë, duke filluar nga institucionet shtetërore, spitalet, shkollat.
I ftuar në emisionin Ftesë në Studio, zjarrëfikësi Avni Ameti, tha se në vendin tonë ka qendra dhe komplekse të cilat kanë vetëm një hyrje dhe një dalje, të cilat janë kundër standarteve të BE-së por edhe standarteve të Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se në shumë institcione mungojnë hidrantët apo mjete të tjera për mbrojtje nga zjarri.
“Ne kemi në Maqedoni komplekse të ndryshme apo qendra tregtare, ku kanë vetëm një hyrje dhe vetëm një dalje, me standartet e BE dhe standartet tona nuk lejohet që një objekt i madh të ketë vetëm një hyrje dhe një dalje. Megjithatë, kemi lloje të tilla objektesh, dihet që nuk në institucione shumë pak posedojnë hidrante në ambiente siç janë spitalet apo edhe vetë në objektet e zjarrfikësve ska mjaftueshëm”, tha Avni Ameti, zjarrfikës.
Ameti diskutoi edhe rëndësinë e edukimit për mbrojtje nga zjarri, duke qenë se popullata nuk është mirë e informuar për mënyrat se si të mbrohemi në raste të zjarreve masive. Ai gjithashtu theksoi se populla jonë investon mijëra euro për gjëra luksoze në shtëpi, por nuk investohet për siguri, për aparate dhe alarme kundër zjarrit.
“Dihet që në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut nuk kemi personel të kualifikuar për të bërë edukimin e popullatës për rastet e rrezikut të zjarrit, kështu që ne si zjarrfikës na bie barra që të dalim në mediume për të dhënë informacione që ne si zjarrfikës kemi njohuri për rreziqet dhe mbrojtje nga zjarri. Gjithashtu ne si popullatë investojmë në shtëpitë tona me qindra mijëra euro, por nuk blejmë një aparat për sigurinë tonë që na detekton në raste zjarre, kjo është ajo që ne bëjmë gabim. Ne kemi bërë gjithmonë thirrje që popullata të furnizohet me alarme dhe aparate kundër zjarrit.”
Duke marr shkas edhe nga rasti i tragjedisë së fundit, ku shkak për zjarrin ishin pikërisht mjetet piroteknike, Ameti apeloi që të kemi kujdes kur përdorim mjetet piroteknike, sidomos në ambiente të mbyllura.
Sakaq, një 58 vjeçar nga Kumanova, pronar i një kabareje, është arrestuar në kuadër të kontrolleve të paralajmëruara policore në klube të natës dhe kabare, në gjithë territorin e vendit. Siç njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme, 58 vjeçari T.V nga Kumanova, pronar i kabaresë, është kapur duke nxjerrë nga makina e tij aparate kundër zjarrit dhe duke i futur në objekt.
Menjëherë më pas, zyrtarët policorë kanë kryer kontroll në objekt me çka kanë gjetur dhe kanë konfiskuar mjete piroteknike. Personi është arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ndërsa me prezencë të avokatit, me të është realizuar bisedë zyrtare, ndërsa është dhënë vendim për ndalesë për punë, informojnë nga MPB.
Siç njoftuan një ditë më parë nga Qeveria në një aksion gjithëpërfshirës në të gjithë vendit ku është konstatuar se shumë objekte gastronomike, klube të natës, diskoteka e kabare nuk plotësojnë kushtet për punë.
Edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut po zhvillon aksion gjithëpërfshirës në territorin e të gjithë shtetit. Në shënjestër janë objektet gastronomike, klubet e natës, diskotekat, kabaretë. Kryeministri Hristijan Mickoski u zotua se nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt. Të gjitha lokalet që nuk i plotësojnë kushtet do të mbyllen dhe sanksionohen. Ministria e Ekonomisë përditësoi regjistrin e licencave të dhëna dhe sipas saj, nga 215 lokale për kabare, klube nate, disko klube dhe klube ne hapësirë të hapur, licenca të vlefshme kanë vetëm 22 lokale. Flaka Media
The post U desht të ndodhë tragjedia që të mbyllen 13 diskoteka për mosplotësim të kushteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .