U nënshkrua marrëveshje për investim afër Kumanovës nga një kompanie zvicerane, mundësi për rreth 200 vende të reja pune

Marrëveshja për një investim të ri prej së paku shtatë milionë eurosh, me të paktën 200 vende pune në vend, është nënshkruar sot mes Qeverisë dhe kompanisë zvicerane “DM Bau International”, prodhuese e objekteve modulare me mbi 100 vjet histori. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se plani investues përfshin […]

dhjetor 10, 2024 - 18:00
 0  5
U nënshkrua marrëveshje për investim afër Kumanovës nga një kompanie zvicerane, mundësi për rreth 200 vende të reja pune
Hristijan Mickoski nënshkroi marrëveshje investimi me një kompani zvicerane. Foto: Qeveria e RMV-së

Marrëveshja për një investim të ri prej së paku shtatë milionë eurosh, me të paktën 200 vende pune në vend, është nënshkruar sot mes Qeverisë dhe kompanisë zvicerane “DM Bau International”, prodhuese e objekteve modulare me mbi 100 vjet histori. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se plani investues përfshin investime në blerjen e tokës, ndërtimin e plotë të impianteve dhe pajisjen e tyre me makina dhe pajisje për prodhimin e objekteve modulare me qëllime të ndryshme, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja e ndihmës shtetërore që po nënshkruhet sot parashikon një investim prej të paktën 7 milionë euro në 5 vitet e ardhshme dhe të paktën 200 vende të reja pune. Në përputhje me informacionet e fundit të marra nga menaxhmenti i kompanisë, investimi do të kalojë këtë shumë minimale për të cilën është e detyruar kontraktualisht. Plani i investimit përfshin investime në blerjen e tokës, ndërtimin e plotë të impianteve dhe pajisjen e tyre me makineri dhe pajisje për prodhimin e objekteve modulare me qëllime të ndryshme. “DM Bau International” është pjesë e grupit “DM Bau” – një prodhues zviceran i objekteve modulare me mbi 100 vjet histori”, tha Mickoski.

Përveç prodhimit të objekteve të tilla, kompania vepron edhe si kontraktues për të njëjtit. Me një qarkullim vjetor prej rreth 10 milionë franga zvicerane, mbi 70 punonjës dhe rreth 30 projekte në vit, „DM Bau” llogaritet ndër prodhuesit më të mëdhenj europianë në këtë segment.

Momentalisht prodhimi bëhet në dy lokacione në Zvicër, dhe planet për ndërkombëtarizim dhe rritje të kapaciteteve “DM Bau” vendosi t’i realizojë përmes Maqedonisë. Në  zonën industriale afër Kumanovës, „DM Bau International” do të ndërtojë një kompleks të madh të përbërë nga disa objekte për prodhim, montim dhe magazinim, me një sipërfaqe totale prej rreth 35,000 metra katrorë nën çati.

“Për këtë qëllim, në vitin 2024 kompania bleu tokë me sipërfaqe rreth 72 mijë metra katrorë. Aktualisht aty po kryhen punimet fillestare tokësore për nivelimin e tokës, pas së cilës gjatë vitit 2025 do të fillojë ndërtimi i impianteve të prodhimit të tyre. Do të përmend se kompania „DM Bau International” është në pronësi të bashkëqytetarit tonë me origjinë nga Maqedonia, i cili jeton dhe punon në Zvicër, por që planet e tij investuese vendosi t’i realizojë në vendin tonë”, tha Mickoski.

Prej se ka marrë pozitën e kryeministrit, Mickoski me këtë sot, ka prezantuar gjithsej katër invetime.

Më 3 shtator, ai tha se është vendosur gurthemelit i një kompanie që vjen nga Gjermania, ku do të prodhohen bateri litiumi. Ai informoi se investimi është afërsisht 60 deri në 65 milionë euro, diku rreth 700 vende të reja pune dhe se do të prodhohen bateri litiumi.

Më 9 korrik u paralajmërua se Vabptek-u amerikan do të investojë 35 milionë euro në Maqedoninë e Veriut. Investimet do të bëhen në prodhimin e frenave për mjetet hekurudhore.

Më 5 korrik, u njoftua se kompanitë gjermane EPSOTECH e cila në partneritet me kompaninë belge AIM do të investojë në ndërtimin e një fabrike të re prodhuese në vend, për të cilën do të investohen 20 milionë euro. Siç njoftoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut për një vit do të hapen 110 vende të reja pune.

Më 25 qershor 2024Alcazar Energy Partners, investitori kryesor në burimet e rinovueshme të energjisë në tregjet në zhvillim, njoftoi fillimin e investimit të parkut më të madh të erës në Maqedoninë e Veriut me kapacitet deri në 400 MW.

Projekti i parë më i madh i kësaj natyre u premtua nga kompania gjermane WPD, e cila planifikonte të ndërtojë një elektranë me turbinë ere prej 415 megavat në drejtimin Kumanovë – Nagoriçani i Vjetër– Kriva Pallankë në vlerë prej rreth 500 milion euro. Ky invetim gjerman konsiderohej më i madhi në Maqedoninë e Veriut dhe investimi i parë më i madh në segmentin e energjisë së gjelbër të vendit që nga pavarësia e tij në vitin 1991. Megjithatë ky partnetitet mbeti i pa zyrtarizuar me ndonjë ligj të veçantë, e as nuk u nënshkrua ndonjë kontratë.