U zbuluan edhe katër persona të tjerë të dyshuar si pjesë e një “organizate terroriste” në RMV
Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme që kanë filluar në dhjetor të vitit të kaluar, e që kanë të bëjnë me parandalimin dhe shuarjen e kërcënimeve nga terrorizmi, dje nën udhëheqjen e një prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është kryer një aksion i koordinuar i […]
Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme që kanë filluar në dhjetor të vitit të kaluar, e që kanë të bëjnë me parandalimin dhe shuarjen e kërcënimeve nga terrorizmi, dje nën udhëheqjen e një prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është kryer një aksion i koordinuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe departamenteve për shtypjen e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe për operacionet speciale të policisë pranë Ministrisë së Brendshme, transmeton Portalb.mk.
“Në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar janë bastisur shtëpi dhe objekte tjera, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pistoletë, material propagandistik, aparate telefonike, pajisje kompjuterike dhe sende të tjera që do të jenë objekt i ekspertizës së mëtutjeshme mjeko-ligjore, ndërsa nga liria janë privuar katër persona. Aksioni është rezultat i veprimeve të kryera nga Laboratori i Forenzikës Digjitale pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku u zbuluan disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat të dyshuarit ndanin material propogandistik të ISIS-it të marrë dhe përkthyer paraprakisht dhe rekrutonin anëtarë të rinj”, thonë nga Prokuroria.
Prokurori kompetent, duke vepruar sipas kallëzimit penal, ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj këtyre personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “organizatë terroriste”.
“Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore, prokurori publik në fjalë i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozime për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të gjithë të dyshuarve. Gjykatësi e ka pranuar propozimin dhe i ka caktuar të dyshuarve masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, shtojnë nga Prokuroria.
Kujtojmë se Sektori për luftimin e terrorizmit më datë 15.12.2024 ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar kundër katër personave: G.M. (21) nga Gostivari për veprën penale “organizatë terroriste” (neni 394 a paragrafi 1) dhe kundër H.B. (32) nga Struga, R.S. (38) nga Gostivari dhe T.M. (27) nga Gostivari për kryerjen e veprës penale “organizatë terroriste” (neni 394 a, paragrafi 2) të Kodit Penal.