Udhëzime për punësim me “balancues” të ngrirë: Kandidati nuk është i detyruar të deklarojë përkatësinë e komunitetit

Procedura për punësim në institucionet e sektorit publik mund të vazhdojë nëse në shpalljen publike nuk shënohet përkatësia e komunitetit e kandidatit dhe kandidati nuk obligohet të tregojë përkatësinë e tij në komunitet. Ky është një nga udhëzimet që Ministria e Administratës Publike i ka dërguar sot pranë institucioneve shtetërore, për t’i udhëzuar se si […]

shtator 30, 2024 - 22:00
 0  5
Udhëzime për punësim me “balancues” të ngrirë: Kandidati nuk është i detyruar të deklarojë përkatësinë e komunitetit
kadastër, sportel, shërbime, administratë, administratë shtetërore

Procedura për punësim në institucionet e sektorit publik mund të vazhdojë nëse në shpalljen publike nuk shënohet përkatësia e komunitetit e kandidatit dhe kandidati nuk obligohet të tregojë përkatësinë e tij në komunitet. Ky është një nga udhëzimet që Ministria e Administratës Publike i ka dërguar sot pranë institucioneve shtetërore, për t’i udhëzuar se si të veprojnë gjatë punësimit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e mjetit “balancues”, raporton 360Shkallë, përcjell Portalb.mk.

“Procedura tashmë e filluar për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet nëse shpallja publike është bërë në përputhje me aktet, gjegjësisht dispozitat e përfshira në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, d.m.th nëse në shpalljen publike theksohet përkatësia ndaj një komuniteti, ose nëse kandidati detyrohet që në aplikacion të tregojë përkatësinë në një komunitet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë përkatëse në Regjistrin e punonjësve në sektorin publik nuk regjistrohen të dhënat për punonjësit në institucione.

Më 18 shtator në një seancë të Gjykatës Kushtetuese u diskutua nëse deklarimi i përkatësisë në komunitet, e cila është e nevojshme për plotësimin e çdo pozicioni pune, kandidatëve për nëpunës administrativ ua kufizon qasjen në çdo pozitë pune, gjegjësisht nëse me “obligimin e kandidatëve për nëpunës shtetërorë që në aplikim, mes të dhënave të tjera, ta shënojnë edhe përkatësinë në një komunitet” e cenon parimin e profesionalizmit dhe kompetencës dhe bëhet edhe shkelje e të drejtës së garantuar me Kushtetutë për punë dhe zgjedhje të lirë të punësimit.

Kështu, gjykatësit kushtetues vendosën të hapin lëndë për përdorimin e “balancuesit” gjatë punësimit në administratë.

Derisa të vendosin nëse “balancuesi” është kushtetues apo jo, ai do të qëndrojë i ngrirë.

Sipas kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatësit informues për lëndën, Darko Kostadinovski, kriteri i vetëm për punësim dhe avancim duhet të jetë vetëm sistemi i meritës dhe kompetencat.

Përkatësia kombëtare, shtoi ai, është ndjenjë private, personale dhe e brendshme e përkatësisë  së një individi. Kostadinovski përkujtoi se Gjykata Kushtetuese tashmë ka marrë vendim dhe ata si gjykatës kushtetues kanë thënë se është e drejtë personale “ta shpreh, të mos e shpreh apo të përmbahem” për përkatësinë kombëtare.

Lënda u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për ta rishqyrtuar mjetin “balancues”, sepse ishin të mendimit se me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Pastaj, partitë opozitare të shqiptarëve theksuan se heqja e “balancuesit” do të cenonte të drejtat e minoriteteve.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit qeverisës “VLEN”, tha se shqiptarët nuk humbasin asgjë me heqjen e këtij mekanizmi.

Sipas tij, gjatë formimit të Qeverisë së re, marrëveshja politike mes “VLEN”-it dhe partnerëve nga VMRO-DPMNE ka qenë që “balancuesi” të avancohet në ligj për përfaqësim adekuat të komuniteteve pakicë.

Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka sqaruar që në Qeveri ka harmoni për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë, pasi vlerësohet ligj më i mirë për shtetin, ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen.