VLEN akuzon se Artan Grubi ende e komandon BDI-në, kjo e fundit thotë se VLEN-i ka humbur kontrollin

Koalicioni VLEN ka akuzuar se BDI e di se komandohet ende nga Artan Grubi. Ndërsa për të shmangur zgjedhjet nga kjo parti thonë se BDI kaa vetëm një mënyrë: të bojkotojë zgjedhjet dhe të provokojë tensione në ditën e votimit, transmeton Portalb.mk. “Kjo është karta e tyre e fundit, sepse e dinë që shqiptarët nuk […]

Mars 3, 2025 - 19:00
 0  4
VLEN akuzon se Artan Grubi ende e komandon BDI-në, kjo e fundit thotë se VLEN-i ka humbur kontrollin
Përfaqësuesit e Frontit Evropian. Foto: Fronti Evropian

Koalicioni VLEN ka akuzuar se BDI e di se komandohet ende nga Artan Grubi. Ndërsa për të shmangur zgjedhjet nga kjo parti thonë se BDI kaa vetëm një mënyrë: të bojkotojë zgjedhjet dhe të provokojë tensione në ditën e votimit, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është karta e tyre e fundit, sepse e dinë që shqiptarët nuk u besojnë më dhe nuk i duan më në pushtet. Ali Ahmeti vetë e pranoi nga Likova: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale! Çfarë tregon kjo? Që BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj – por vetëm frikën nga shantazhi. Kjo parti, e cila për dy dekada i ka mbajtur shqiptarët peng me gënjeshtra dhe manipulime politike, sot është e kapur nga një klikë e zhytur në korrupsion dhe panik. Tani nuk vendos më as anëtarësia e saj dhe as votuesit – BDI komandohet me telekomandë nga i arratisuri Artan Grubi.
Ata që dikur mburreshin se nuk i trembeshin as bombave të 2001-shit, sot janë katandisur sa t’u dridhen gjunjët nga bombat politike të Artan Grubit.A është Artan Grubi autor i skenarit për bojkotin e zgjedhjeve lokale? Me çfarë po e mban peng Artan Grubi këtë kryesi të BDI-së? Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën! Koha e BDI-së ka mbaruar – askush nuk do t’i shpëtojë nga ndëshkimi i popullit!”, thonë nga VLEN.

Nga ana tjetër, BDI-ja thotë se “pas skandaleve ku zyrtarët e tyre u kapën në flagrancë për korrupsion”, VLEN ka humbur kontrollin dhe “po sillet si një anije pa busull”.

“Në vend që të japin përgjigje për aferat ku janë përfshirë, tani shpikin teori absurde për të larguar vëmendjen nga skandalet e tyre. Një parti që ka zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe të përfshirë në afera të rënda nuk mund të flasë për të tjerët. Shqiptarët e shohin qartë se kush po punon për ta dhe kush po tenton të shpëtojë nga ndëshkimi. VLEN nuk ka më as ide, as vizion – vetëm panik dhe shpifje”, thonë nga BDI.

Ndryshe, Ali Ahmeti ditë më parë, propozoi që të mbahen zgjedhjet e parakohshme në tetor, bashkë me zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër, sipas VLEN-it, kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale nuk është qëllimi i vërtetë i Ali Ahmetit, por një justifikim për të arsyetuar bojkotin e zgjedhjeve lokale