Vulat e përçarjes së partive shqiptare!
Shkruan: Sefer TAHIRI E kam dëgjuar si legjendë nga një ish funksionar i PPD-së dhe po e rirrëfej. E kishin pyetur Kiro Gligorovin, presidentin e parë të Maqedonisë së Veriut se si t’ia bëjmë me shqiptarët, me kërkesat e tyre politike dhe juridike- kushtetuese. Përgjigja e tij kishte qenë e shkurtër “Nga një PPD, do […]

Shkruan: Sefer TAHIRI
E kam dëgjuar si legjendë nga një ish funksionar i PPD-së dhe po e rirrëfej. E kishin pyetur Kiro Gligorovin, presidentin e parë të Maqedonisë së Veriut se si t’ia bëjmë me shqiptarët, me kërkesat e tyre politike dhe juridike- kushtetuese. Përgjigja e tij kishte qenë e shkurtër “Nga një PPD, do tu bëni dy”. Pavarësisht nëse kjo porosi e Gligorovit, e cila bazohet në mendimin e lashtë kinez, pastaj romak e më vonë të përsëritur nga Makiaveli: “Përçaj e sundo”, duket shumë e vërtetë dhe çdo ngjashmëri e saj me realitetin shqiptar nuk është e rastësishme.
Partia për Prosperitet Demokratik, partia e parë e shqiptarëve u formua më 16 prill të vitit 1990 në fshatin Xhepçisht të Tetovës, me kryetar Nevzat Halilin. U legalizua kur u miratua Ligji për partitë politike, me ç’rast Partia për Prosperitet Demokratik u regjistrua si parti e parë shqiptare më 25 maj të vitit 1990.
Që ishte kohë e vështirë për veprim politik të shqiptarëve dëshmon edhe fakti se njëri nga themeluesit e PPD-së figuronte avokati Dushko Apostollski, ndërsa vetë partia ishte deklaruar se nuk është subjekt vetëm i shqiptarëve por kishte karakter shumëetnik. Mbase për të kaluar procedurat e regjistrimit, pasi ligji nuk lejonte themelimin e partive njëetnike. Ndërsa në skenë u shfaq si organizim partiak- politik i shqiptarëve, por ishte më shumë se kaq! Ishte lëvizje gjithë-popullore, ishte shpirti i shqiptarëve, i artikuluar në projekt politik.
Në fund të vitit 1993, në skenë paraqitet grupi i pakënaqur brenda PPD-së, i drejtuar nga kryetari i degës së atëhershme në Tetovë, Menduh Thaçi, i cili hapur shfaqi mospajtimet me politikën e PPD-së dhe bashkëpunimin e saj me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, e drejtuar nga Branko Cërvenkovski.
PPD-ja, goditjen e destrukturimit të saj e përjetoi nga media e Tiranës. Ishte komenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në dhjetor të vitit 1993, e cila vulosi ndarjen e kësaj partie më dysh. Në komunikatë thuhej “Burime të mirinformuara bëjnë të ditur se tani së fundi disa pushtetarë maqedonas po përdorin mjete presioni, shantazhi dhe dhune ndaj shqiptarëve në Maqedoni, që ata të mbajnë në krye të forcave të tyre politike elementë të diskredituar, të cilët kanë qenë një hallkë si në kurthin e armëve, të organizuar nga shërbimet sekrete të Ushtrisë Popullore Jugosllave, ashtu dhe në burgosjen e njerëzve të pafajshëm në Maqedoni. Këta pilatër janë gjithashtu përgjegjës për bllokimin e jetës demokratike të partisë më të madhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ata janë autorët e konfuzionit në kërkesat e drejta të shqiptarëve, konfuzion të cilin padronët e tyre e kanë përdorur dhe e përdorin me dhelpëri të madhe kundër interesave të shqiptarëve”.
Pas këtij komenti, PPD-ja nuk është më një parti e madhe, u nda në dysh. Në Tetovë u mbajt kongresi i njohur si i përçarjes. Më 12 dhe 13 shkurt të vitit 1994, një pjesë e PPD-së, që ishte krahu kundërshtues i politikave gligoroviane vazhdoi punimet e kongresit në Pallatin e Kulturës dhe zgjodhi kryetar Arbër Xhaferrin, ndërsa pjesa tjetër, PPD-ja e ministrave dhe deputetëve zgjodhi kryetar Xheladin Muratin. Të dy grupet thirreshin në emrin PPD dhe thonin se është një. Më vonë, krahu apo siç njihej fraksioni i Arbër Xhaferrit dhe Menduh Thaçit formoi Partinë e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), pasi emrin zyrtar me vendim gjykate e mbanin funksionarët e PPD-së. PPDSH-ja në kongresin e vitit 1997 bashkohet me Partinë Demokratike Popullore dhe formohet Partia Demokratike Shqiptare.
PDSH-ja më vonë prodhoi shumë parti të reja politike. Alajdin Demiri formoi parti, Bardhyl Mahmuti gjithashtu, Imer Selmani formoi Demokracinë e Re, e cila më vonë u zhduk nga harta politike. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 kreu i kësaj partie shënoi rezultat të shkëlqyeshëm, por nuk fitoi asnjë deputet.
Rufi Osmani në vitin 2011 formoi Rilindjen Demokratike Kombëtare, e cila pas debaklit në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014 dha dorëheqje nga posti i kryetarit. Osmani pas dorëheqjes deri në vitin 2016 vazhdoi të jetë anëtar i kryesisë qendrore të partisë së tij, kur edhe dha dorëheqje për shkak të mospajtimeve me kryetarin e partisë, Vesel Memedi. Pas këtij akti RDK-ja u nda në dysh, në njërën anë ishte Memedi, i cili fitoi gjyqin dhe vulat, duke u bërë pjesë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, së bashku me LR PDSH-në e Ziadin Selës dhe UNITETI-n e Gezim Ostrenit. Në anën tjetër funkiononte RDK-ja në krye me Fadil Zendelin, i cili në zgjedhjet e vitit 2016 me partinë BESA formoi koalicionin Rilindje me BESË.
Në vitin 2014 në skenën politike doli Lëvizja BESA. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017, kjo parti u nda në dy krahë, ai i Tetovës i drejtuar nga Bilall Kasami dhe ai i Shkupit i drejtuar nga Afrim Gashi.
Në fillimet e saj, BESA ishte strukturë heterogjene për nga profili i njerëzve, megjithatë në politikbërje dukej homogjene, madje nuk është vërejtur ndonjë element, që mund të nxjerrë në sipërfaqe mospajtime. Por, edhe kjo parti edhe pse mbante emër paradigmatik nuk i shpëtoi dot sindromit të përçarjes, dhe luftës për të parin e partisë. Beteja kryesore ishte për vulën!
Me vendim të Gjykatës së Shkupit në vitin 2018 vulat i takuan krahut të Kasamit, ndërsa krahu i Gashit dhe Zeqirija Ibrahimit formuan partinë e re Alternativa. Sot janë sërish bashkë, prandaj nuk ia vlen të ziheni për partitë.
Pikërisht virusi i përçarjes e shkatërroi edhe PDSH-në e Menduh Thaçit, duke e bërë sot parti pa identitet. Goditjen ndoshta të fundit ia dha Ziadin Sela, duke formuar partinë e quajtur LR-PDSH.
Sela në janar të vitit 2014 u përjashtua nga PDSH-ja, ndërsa pretendonte se është përfaqësuesi i vërtetë i PDSH-së, aq më tepër që edhe filozofinë dhe doktrinën politike i bazonte tek vizioni i Arbër Xhaferrit. Pas humbjes së betejës për reformimin e PDSH-së, Sela ribrendoi partinë dhe formoi Aleancën për Shqiptarët. Vendimi i kreut partiak, Arben Taravari që t’i bashkohet koalicionit VLEN, ndikoi që aleancistët e Selës ta shkarkojnë, ndërsa ai pretendon se është lideri i Aleancës. Së fundmi vendimi i Gjykatës së Tetovës e njeh Ziadin Selën si lider.
Një proces i këtillë destrukturimi është tentuar edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim. Më 3 tetor në vitin 2015, u formua Uniteti, i drejtuar nga ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Gëzim Ostreni, por kjo parti ishte shumë e dobët në zgjedhje dhe nuk arriti të shkaktojë “tërmet” në BDI.
Në vitin 2022 në skenën politike shqiptare, doli i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit”, i drejtuar nga Izet Mexhiti, ndërsa në ballë të tij ishin Blerim Bexheti, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta, të cilët kërkonin debat brenda-partiak në BDI. Në sfond dukej kërkesa me ngulm për ta hequr Artan Grubin, krahun e djathtë të Ali Ahmetit. Pasi Bexheti dhe Xhaferi u ndalën në mes të rrugëtimit të reformimit të BDI-së, Mexhiti vazhdoi i vetëm. Duke dashur të tregojë se është vazhdimësi e linjës politike, e cila ka transformuar shtetin, Mexhiti me bashkëmendimtarët e tij më 13 gusht të vitit 2023, në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit themeluan partinë Lëvizja Demokratike.
Pse kanë ndodhur përçarjet në bllokun politik shqiptar?
Në fillimet e pluralizmit, beteja brendapartiake ka qenë parimore, pra ka qenë përplasje konceptesh në dimensionin e politikbërjes dhe gjithmonë nën vellon e artikulimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare. Më vonë kjo betejë bëhej për motive individuale, duke u reduktuar në betejë për pozitën e liderit. Shpesh beteja ka qenë parimore me llafe, por në thelb ka qenë klanore dhe në disa raste krahinore. Në prapavijë ishte betejë vrapi pas futjes në listat e deputetëve, vrapi pas pozicioneve shtetërore, tenderëve, veturave të nxehta dimrit e të ftohta verës, vrapi pas kartelave me të cilat pushtetarët për të cilët Ali Asllani do të thoshte “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka“!
Nuk duhet lënë anash se në subjekte të caktuara ka pasur edhe persona apo grupacione të infiltruara nga struktura të ndryshme, të cilat i kanë dhënë “zjarr” përçarjes ndërshqiptare.
Pas PPD-së, RDK-së, rasti i partisë BESA ishte i treti kur gjykata vendos në favor të grupacionit “zyrtar” të partisë dhe jo fraksionit të shkëputur, i cili pretendon se ka legjitimitetin politik. Në këtë vijë janë edhe paralajmërimet për rastin e Aleancës për Shqiptarët.
Partitë tona assesi nuk po dalin nga labirintet gjyqësore, duke harruar se një subjekt varet nga fryma dhe nga aktivizmi i rinisë e studentëve, por edhe shtresave tjera sociale.
Duke pasur parasysh se beteja brenda llojit gjithmonë është më e rreptë, kjo ka qenë evidente edhe brenda partive shqiptare. Madje më i butë ka qenë kundërshtimi i BDIsë, e cila 20 vjet ka qenë në pushtet.
Poashtu është indikative se janë përçarë pikërisht partitë që mbajnë emra simbolik si: Aleanca, BESA e Rilindja Demokratike Kombëtare.
Përderisa në kampin maqedonas, megjithë përplasjet e brendshme kemi dy parti të konsoliduara dhe stabile, siç janë VMRO DPMNEja dhe LSDMja, partitë shqiptare nuk arrijnë të qëndrojnë të “pamposhtura” nga përçarja dhe kjo ndikon negativisht ndaj statusit të shqiptarëve.
Për fund, historia politike e shqiptarëve na dëshmon se ajo ka qenë betejë për vulat dhe cilin lider do ta njeh gjykata!
Beteja politike nuk duhet të jetë betejë vulash, por duhet të jetë demokratike. Njëri nga politikanët me vulë partiake në xhep, Vesel Memedi pati deklaruar se “Nuk është me rëndësi kush e ka vulën, por çelësin”. Legjitimitetin e përcaktojnë qytetarët !