Zgjidhja është edukimi i brezave, jo mbyllja e Tiktokut si “armik” i popullit

Shkruan: Sefer TAHIRI, profesor i gazetarisë Bota që moti është shndërruar në fshat global, ndërsa epoka e teknologjisë digjitale, e përcjellë me hove zhvillimore globin tashmë e ka transformuar në mëhallë. Si në jetën reale, edhe në atë virtuale, në mëhallë përveç njerëzve të mirë ka edhe prej atyre që Edi Rama i quan “rrugaçë”! […]

Jan 13, 2025 - 16:00
 0  5
Zgjidhja është edukimi i brezave, jo mbyllja e Tiktokut si “armik” i popullit

Shkruan: Sefer TAHIRI, profesor i gazetarisë

Bota që moti është shndërruar në fshat global, ndërsa epoka e teknologjisë digjitale, e përcjellë me hove zhvillimore globin tashmë e ka transformuar në mëhallë. Si në jetën reale, edhe në atë virtuale, në mëhallë përveç njerëzve të mirë ka edhe prej atyre që Edi Rama i quan “rrugaçë”!

Në të vërtetë rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës jo vetëm të diturve, analfabetëve funksional, por edhe rrugaçëve. “Më përpara ata flisnin vetëm në bare pas një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë”. Janë fjalët e Umberto Ekos që sulmon në këtë mënyrë internetin në ceremoninë e dhënies së diplomës së tij Honoris causa në Universitetin e Torinos për merita në çështje të komunikimit, kulturës dhe medias.

Interneti në fakt ka mundësuar zgjerimin e hapësirës së lirisë së shprehjes dhe me këtë edhe zhvillimin e demokracisë, pasi ka zëvendësuar komunikimin njëkahësh të mediave tradicionale me komunikimin dykahësh apo ndërveprues mes qytetarëve të globit.

Por, sferën publike demokratike e ndotin dukshëm njerëz të ndryshëm që përdorin fjalor “rruge” përkatësisht që komunikimin etik shpesh e zëvendësojnë me fjalor vullgar , banalizues, stereotipizues e diskriminues, i cili shpie drejt dhunës.

Këta janë rrugaçët e Tiktokistanit!

Në këtë drejtim pra Tiktoku prinë! Qasja e lehtë dhe e pakufizuar në këtë rrjet u ka mundësuar prani dhe dukje njerëzve të ndryshëm, të cilët shajnë, fyejnë dhe promovojnë dhunë. Ndërsa dhuna është spirale, ajo nga verbale bëhet fizike!

Shto këtu edhe sfidat e ndryshme, të cilët të rinjtë i promovojnë si trende tiktokiane, që shpesh përfundojnë edhe pasoja fatale, siç janë lëndimet e ndryshme, ndërsa fatkeqësisht ky rrjet ka shkaktuar apo ka ndikuar edhe në marrjen e jetës së disa të rinjve.

Shqipëria e ka ndjerë në palcë agresivitetin e pështirë të Tiktokut!

Kryeministri Edi Rama në emër të qeverisë shqiptare ka thënë se “Tiktoku është rrugaçi i lagjes dhe kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Do ta mbyllim për një vit”. Rama e shpalli armik të brendshëm, por besa edhe të jashtëm.

Kundërshtarët politik të Ramës u shprehën se veprimi është politik, pasi tenton tu mbyll gojën kritikuesve të tij, edhe pse duke pasur parasysh ambientin politik në Shqipëri dhe opozitën e ç’akorduar, një veprim i tillë fare nuk duket i nevojshëm.

Mbyllja a është zgjidhje? Mbase jo, pasi censura nuk e zgjidh problemin e ndotjes së sferës komunikuese globale. Kaosi që shkaktojnë rrjetet nuk zgjidhet me vënien e drynit, pasi siç mund të vërehet shumë “tiktokerë” shqiptarë nuk mund të ndalohen pasi veprojnë nga vende tjera.

Në Maqedoninë e Veriut debati mbi Tiktokun dhe Snapçatin, që s’ka dyshim se ndikojnë negativisht tek të rinjtë është më tepër “ad hoc”, pra incidental, i pastrukturuar dhe i përcjellë me qëndrime euforike ekstreme.

Kur ndodhin raste siç ishte ai i therjes me thikë i të riut, Martin Cani në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar, apo më herët vrasja e 18 personave në Serbi në maj të vitit 2023 ngriten alarmet mbi pasojat e ndikimit negativ psikologjik përkatësisht traumat dhe çrregullimet psikike ndaj të rinjve që i shkakton përdorimi i tepruar i rrjeteve, sidomos i Tik tokut.

“Kur të vjen në komshi, prite në shtëpi”! Apo më veç ka ardhur!

Por për devijimet dhe mosedukimin në nivel të fëmijëve tanë në familje apo nxënësve në shkolla nuk mund ta apostrofojmë si në korr Tiktokun dhe vetëm atë apo Snapçatin.

Nuk është zbulim i ujit të nxehtë se Tik toku rrit dhunën mes të rinjve, por siç do të thonë kritikët e Ramës “Nuk mund t’i faturohet i tërë degradimi i sistemit edukues, arsimor dhe social, së bashku me uljen e sigurisë në shkolla, mbajtjen e armëve dhe shitjen e drogës! Nuk mund ti faturohet mungesa e terreneve sportive, kinemave, qendrave kulturore e rekreative?” E njëjta vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, pa çka se nuancat janë evidente.

Para se të shkojmë drejt hapit radikal që është që do ishte mbyllja e Tiktokut, le të mbajmë të gjithë përgjegjësi, duke u ndërmarrë veprime, të cilat do të ishin zgjidhje apo ulje e dëmit që shkakton Tiktoku:

1. Ndalimi i përdorimit të Tik tokut në shkolla, por edhe i celularëve, përveç në rastet kur janë në funksion të zhvillimit të njësive mësimore, në të cilat Interneti është i dobishëm.

2. Ndalimi me Rregullore dhe Kodin etik i përdorimit të celularëve nga arsimtarët gjatë orëve të mësimit në shkollat fillore dhe të mesme.

3. Përfshirja e konceptit “Mësim përmes lojës” përkatësisht i metodave të reja mësimore, të cilat nxënësit i bëjnë subjekte aktivë në klasë. Metodat klasike të mësimdhënies, sipas të cilave mësuesi flet dhe nxënësit dëgjojnë duhet të shkojë në histori.

4. Zbatimi i sistemit arsimor suedez, sipas të cilit shkolla nuk funksionon vetëm si e digjitalizuar përkatësisht kthimi i praktikës së leximit të librave dhe dorëshkrimit, duke i kushtuar shumë më pak kohë tabletëve apo laptopëve, kërkimeve të pavarura online dhe aftësive në tastierë.

5. Përforcim i mbikëqyrjes së prindërve ndaj përdorimit të Internetit e sidomos nga fëmijët, pavarësisht se sa janë të zënë me karrierat e tyre.

6. Flakja e “blerjes” së qetësisë së tyre, duke iu thënë fëmijëve “I keni telefonat, luani”. Nevojitet kufizim i orarit se kur mund të përdoren celularët.

5. Ndalimi me Rregullore dhe Kodin etik i Tik tokut në administratën shtetërore dhe sektorin publik, siç u miratua vendimi për ndalimin e tij në SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian.

6. Mediat të luajnë rol edukues sa i përket efekteve negative të rrjeteve sociale dhe afirmimi i anës pozitive së tyre në funksion të mësimdhënies, ruajtjes së traditave, kultivimin e lirisë së shprehjes e kështu me radhë.

Si përfundim, Maqedonia e Veriut duhet të synojë të jetë shtet i lirë dhe demokratik dhe ndalimi i plotë i Tiktokut nuk është opsion i duhur, sepse zgjidhjet ekstreme nuk janë më fatlumet dhe më të qëndrueshmet. Siç nuk është as lejimi i përdorimit të tij në mënyrë të pakontrolluar, si deri më tani.

Pra nevojitet një zgjidhje e ndërmjetme, një zgjidhje kufizuese, një opsion balancues midis lirisë dhe përgjegjësi. Çmimi i lirisë është pikërisht përgjegjësia!